![]()
Ish-komandanti i brigadës autonome të xhenios: Ju rrëfej punimet kolosale, urat dhe tunelet e mëdha të ushtrisë. Hoqëm 370 mijë mina të mbetura nga Lufta e Dytë. Asnjë ngjarje e jashtëzakonshme me jetë njerëzish
Thotë se është e vështirë të shkruash për xhenierët e veprimtarinë e tyre, e cila fillon që gjatë kohës së LANÇ, për punën e gjerë e komplekse të pas çlirimit; për atë rindërtuese dhe likuidimin e shkatërrimeve që lanë pas pushtuesit nazifashiste, për aksionet e çminimit, apo për punën e madhe të ndërtimit të objekteve ushtarako- shtetërore të mbrojtëse, të cilat kërkuan cilësi teknike, lodhje e sakrifica të veçanta… …Ai ka qenë komandanti i Brigadës autonome të xhenios me qendër në Elbasan. Ishte vetëm 15 vjeç kur u bashkua me njësitë partizane e luftoi deri në Vishegrad, por studimet pas luftës do t’i bënte në shkollën e xhenios në Leningrad. Pas kësaj do të kishte disa detyra të rëndësishme por në brigadën autonome të xhenios, e vetmja asokohe në republikë, do të shërbente për 20 vjet me radhë. E natyrisht këtu mbart dhe kujtime të jashtëzakonshme. E gjithçka kulmon me vizitat në objektet e rëndësisë së veçantë, tip tunel, të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.
Cilat ishin fillimet e xhenios?
Si datë dokumentare, 10 Prill 1944, njihet si dita e krijimit të Trupave Xheniere. Gjatë Luftës ANÇ, veprimet xheniere kanë qenë në fillim disi të thjeshta e kryheshin nga vetë repartet partizane. Si aksione të rëndësishme xheniere partizane, me të rëndësishme mund të përmendim: hedhjen në erë të depove të municionit të ushtrisë italiane në Radhimë të Vlorës; shkatërrimin e instalimeve të Minierës së Selenicës; shkatërrimin e disa urave të vogla në Patos; shkatërrimin e disa urave të vogla në rrugën Ersekë-Leskovik; shkatërrimin e urës së Farkës nga Çeta e Pezës, minimin e rrugës Ndroq-Durrës në luftimet e Pjeshgëzës nga Brigada XXII Sulmuese; minimin e rrugëve Vorë- Shkodër dhe Kukës-Shkodër, në luftimet në pritat kundër kolonave gjermane, kombinuar me veprimet sulmuese të Divizionit të II-të në operacionin për çlirimin e Shkodrës.
Po pas çlirimit të vendit?
Xhenierët menjëherë pas lufte, morën pjesë në rindërtimin e urave të shkatërruar e të rrugëve e minierave apo portit të Durrësit etj. sidomos me elementë standard “Belej” që na kish dhuruar UNRA amerikane e ndihmave të pas luftës për Evropën. Por aksioni më i rëndësishëm plot sakrifica e trimëri, që ai i çminimit të Bregdetit të Durrësit i kryer nga një batalion i posaçëm xhenier nën drejtimin e kapitenit Panajot Haxhimihali, ish kuadër në LANÇ. Është për t’u shënuar se këto fusha të minuara, qenë vendosur nga Ushtria pushtuese naziste, me një sistem të kombinuar e të studiuar, për të përballuar, ashtu siç kishin dyshuar ata, një zbarkim të mundshëm të forcave aleate në Ballkan. Duke angazhuar në këtë aksion edhe robër lufte, italianë, gjermanë, xhenierët me trimëri e guxim të rrallë, çarmatosën, hoqën e transportuan për në depo të sigurta, 170 mijë mina kundër tanke e 200 mije mina kundër këmbësorie të vendosura edhe në bregdetin e Kavajës, atë të Vlorës e Sarandës. Duhet theksuar se, veprime të vogla të pjesshme çminimi, janë bërë edhe me pas në disa vite të tjera me radhë, në bregdetin e Durrësit etj, sidomos para sezonit të plazhit. Si aksione të veçanta trimërore të xhenierëve në çminime, mund të përmenden: ai i xhenierit minator Taqi Kovaçit, që kur Adriatiku kish hedhur në plazhin e Durrësit një minë të stërmadhe detare të panjohur gjermane dhe kur po bëheshin përpjekje për të thirrur specialistë nga Italia, ai i tha drejtorit Veli Dedi: “ma lini mua këtë baloz të zi” dhe deri në mëngjes e keni këtu fije, fije! Është po aq vetëmohues aksioni i oficerit të xhenios Arqile Blaka që ra dëshmor mbi mina, kur po çminonte në Përmet, te urat. Jashtëzakonisht vetëmohues qe edhe akti i italianit të panjohur rob te gjermanët, i prerjes së lidhjeve dhe çaktivizimin e një sistemi të tërë të minimit nga ushtria naziste, duke shpëtuar një lagje të tërë të Shkodrës në kohën e tërheqjes së reparteve të Korparmatës “E” të ushtrisë naziste.
Cilat ishin punimet e mëdha të brigadës së xhenios në kulmin e Luftës së Ftohtë?
Një kapitull i rëndësishëm është ajo e punës së lodhshme, plot përkushtim e sakrificë e xheniereve, sidomos efektivit të oficereve të Brigadës së Xhenios Elbasan në punimet e me objekte të tipit tunel; pjesëmarrja në stërvitje të mëdha komando-shtab me veprime xheniere të mirëmbajtjes së rrugëve e urave, por sidomos disa aksione ndërtimesh të mëdha, siç janë: Ndërtimi i dy rrugëve të mëdha strategjiko-ushtarake dhe ekonomike, si rruga Gramsh-Lozhan dhe ajo Berat-Çorovodë, për të siguruar mbrojtjen nga synimet agresive Vorio- Epiriote të Monarko-fashistëve grekë, sidomos ato për zmbrapsjen e provokacioneve të mëdha të gushtit 1949, me sigurim rrugësh, objektesh për qendra zjarri tip “Kollpak” dhe vendosjes së sistemit të fushave të minuara për mbrojtjen e kufirit jugor. Shumë kompleks qe ndërtimi i Bazës Ushtarako-Detare- Pashalimanit e të Sazanit me objekte për damben me gurë në det, molin lundrues e kazerma, depo, ofiçina me blloqe betoni, për vendosjen e të cilëve u desh ndihma e vinçit të madh lundrues “Adem Reka” etj. Fusha së aviacionit të Kuçovës, që më pas iu shtua strehimi i madh për avionët, tip tunel u ndërtua nga Batalioni i Ilia Çakulit; si deh një seri objektesh të tipit tunel si: Kompleksi i Poliçanit, apo objektet tunel për depo municioni, vendkomanda, rrugë etj, në zonën e Skrapari.
Po në aksione civile merrnit pjesë?
Më kujtohet një herë kur në Tiranë, për shkak të një përmbytje u shkatërrua ura që të çonte për në kombinat. Ishte koha kur kombinati i tekstileve kishte filluar punën me tre turne. Atëherë ne shkuam në mes të natës dhe montuam një urë dhe kur të nesërmen në mëngjes autobusët kaluan në këtë urë të gjitha thanë më habi: “Si ka mundësi”. Po për shkak të përmbysur patëm një alarm në Elbasan. Ishte koha kur punohej për ndërtimin e kombinatit metalurgjik. Ishte dimër dhe pikërisht në datën 31 dhjetor me jepet një alarm se për shkak se kishte shpërthyer Shkumbini, jo vetëm që ishte përmbysur një pjesë e mirë e kombinatit Metalurgjik, por edhe në majën e një vinçi ndodheshin 3-4 punëtorë të cilëve u rrezikohej jeta. Natyrisht që e lashë darkën përgjysmë dhe dhashë alarm në brigadë. Duke përdorur disa mjete amfibe arritëm të shpëtonim punëtorët që kishin hipur në majën e vinçit të një ekskavatori që punonte me inertet në buzë të Shkumbinit.
“Mehmetin e qerasa me misra të pjekur”
Duke kujtuar takimet me krerët e lartë të shtetit ish-komandanti Nexhmi Menzelxhiu tregon dy raste: “Një herë erdhi Enver Hoxha të shikonte punimet që ne kishim bërë në Labinot, ku ishin depot e mëdha të municioneve. Na kishin lajmëruar dhe ne ishim përgatitur mirë. Mbaj mend që Enveri sapo zbriti na makina na mori për qafe ne, si komandant e komisar të brigadës së xhenios dhe na hoqi menjëherë emocionet. Ndërsa një herë tjetër teksa punonim në rrethin e Skraparit vjen në festën e çlirimit të Çorovodës, Mehmet Shehu. Me këtë rast si erdhi të shikonte ecurinë e punimeve të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm. Mbaj mend që ku i raportova “shoku kryeministër i republikës…” ai në fund më tha: Po ç’i do gjithë këto fjalë o komandant. “I ka rregullorja shoku kryeministër”, iu përgjigja. Atij i pëlqeu cilësia e punimeve. Ishte nga ata drejtues shteti që shkeli me këmbët e tij të gjitha objektet ushtarake në ndërtim. Pas inspektimit e ftuam për drekë por ai nuk pranoi. Atëherë m’u kujtua dhe i thashë: “Shoku kryeministër, kemi ca misra të pjekur”. Atëherë Mehmeti m’u kthye e më tha: “Më kape ngushtë, këto më pëlqejnë”
Ja gjeneralët që drejtuan xhenion
“Pas çlirimit, xhenio u rikrijua si Armë e veçantë, krahas Armëve të tjera të Ushtrisë. Si drejtor i parë i Xhenios, u emërua Veli Dedi, Hero i Luftës Antifashiste të Spanjës e i Rezistencës Franceze. Pas tij, erdhi si Drejtor i Xhenios, Spiro Shalësi kuadër me Akademi e karrierë. Më pas erdhi Mendu Backa, që kishte si shef Shtabi Pandi Dushkun. Mendui, arriti deri në detyrën e zv/ Ministrit të Mbrojtjes me gradën gjeneral. Alfred Moisiu, qe për një kohë kish kryer detyrën e Shefit të Drejtorisë së Fortifikimit. Kuadrot e Xhenios kishin kryer shkolla të larta e akademi në BS. Si inxhinier shumë i aftë, me kontribute, drejtor i Institutit të Projektit të Xhenios, ka qenë Abedin Galaxhi”, rrëfen Nexhmi Menzelxhiu.
Brigada Xheniere Punimet kolosale, në Gjadër e Porto
Palermo Me rëndësi kanë qenë stërvitjet 3-mujore të dimrit të batalioneve rezerviste të Brigadës e sigurimi me veprime shpëtimi i popullsisë gjatë përmbytjeve të mëdha të Shkumbinit me mjete amfibe-lundruese apo si ato të Lezhës, apo puna për likuidimin e pasojave të tërmetit në ndihmë të popullsisë në Dibër-Librazhd; ndërtimi i rrugëve për në Malësinë e Madhe apo për lidhjen e Hidrocentraleve mbi Drin të drejtuar nga inxhinier Remzi Erebara; ndërtimi i Fushës së Aviacionit të Gjadrit me ndihmën e kinezëve me objekte të tipit tunel si dhe objekteve të tjera rreth Tiranës, nga Brigada e Xhenios Tiranë me komandant Rexhep Hoxhën; ndërtimi i objekteve nëntokësore për katër silurues të bregdetit në Himarë, Porto Palermo e më në veri, e në shumë vepra të tjera, ku shkëlqeu vetmohemi xhenier, sidomos i oficerëve, me sakrifica larg familjeve. Në gjitha këto punime kolosale, s’ndodhi asnjë ngjarje e jashtëzakonshme me jetë njerëzish, sepse në punë zbatoheshin masa të rrepta sigurimi”.
Leonard Veizi
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply