
Nga JAKIN MARENA
TIRANE- Ditët e Ina Ramës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme me sa duket po sosen, duke e bërë në këtë mënyrë fakt të kryer largimin e saj nga ky post. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ashtu sikurse është njoftuar javë më parë do zhvillojë ditën e sotme takimet e veçanta konsultative me krerët e grupeve parlamentare të të gjithë spektrit politik për postin e kryeprokurorit të ri. Si dhe në lajmërimin e ditëve më parë për këtë takim konsultativ nga ana e Presidencës, nënvizohet fakti se këto takime kanë për qëllim “evidentimin e vlerave më të mira që përfaqëson figura e ardhshme e kreut të akuzës, si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë”.
Çka tregon se në këto takime do të diskutohet për formatin që do të ketë kandidati për Prokuror i ri i Përgjithshëm që do të pasojë në këtë post Ina Ramën. Organizimi i takimeve konsultative do të jetë i njëjtë me atë të mëparshmin për datën e zgjedhjeve. Kështu takimi i parë do të jetë ai i orës 10.00 me kreun e grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi. Në 11.00 takimi i dytë do të jetë me kreun e grupit socialist Gramoz Ruçi. Ndërsa në orën 12.00 presidenti Nishani do të takohet me forcën e tretë politike në vend, përkatësisht me kreun e grupit parlamentar të LSI Lefter Koka. Në orën 13:00 Nishani do takojë kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ndërsa në orën 14:00 do të ketë takim me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule. Në fund, në orën 15:00 takimet konsultative me krerët e grupeve parlamentare, Nishani do t’i përmbyllë me takimin me kreun e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi.
Sërish në këto takime nuk do të jetë pjesë FRD, që përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë me Gazmend Oketën. Ajo që mbetet për t’u parë është mundësia që socialistët dhe aleatët e tyre të qëndrojnë dhe në takimin me Nishanin në idenë se ndryshimi i kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas Kushtetutës duhet bërë në maj të vitit të ardhshëm dhe jo në nëntor të këtij viti.
KANDIDATET E LAKUAR PER KRYEPROKUROR
Ndërkohë që nuk do të diskutohet për emra konkretë në takimin e sotëm të Presidentit Nishani me krerët e grupeve parlamentare, kohët e fundit janë lakuar shumë emra për të zënë vendin e Ina Ramës. Kështu, përpos daljes së disa emrave politikë në fillim të dy përfaqësuesve të LSI, nënkryetarit aktual të Kuvendit Nasip Naço dhe Spartak Brahos, janë lakuar dhe një sërë emrash të tjerë, kryesisht nga trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Sandër Simoni, kryetar i komandur i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Altin Dumani, Prokuror i Apelit në Tiranë, Ivi Kaso Drejtor i agjencisë së antikorrupsionit pranë kryeministrisë dhe avokat i Berishës në Gjykatën e Lartë në disa procese, Admir Thanza gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Adnor Shameti Universiteti “Justiniani”, Altin Shegani Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Hysni Demiraj gjyqtar, Neshat Fana, anëtar i KLD, Erinda Ballanca avokate e Berishës në disa procese në Gjykatën e Lartë, Dritan Peka Prokuror dhe Shkëlzen Selimi gjyqtar janë disa nga emrat e lakuar në media. Që gjithsesi s’kanë konfirmim zyrtar për kandidatë.
(sg/shqiptarja.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply