![]()
Tirana festoi sot 17 nëntorin, ditën e çlirimit nga trupat nazifashiste 68 vjet më parë. 17 nëntori 1944, shënon aktin më të rëndësishëm politik dhe ushtarak, pasi kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Si çdo vit opozita dhe veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare zhvilluan sot homazhe pranë bustit të Ushtarit të Panjohur. Duke folur për debatin për rishkrimin e historisë veteranët thanë se historia nuk mund të ndryshohet pasi ajo është shkruar me gjak.
“Le të shkruajnë libra për të ndryshuar historinë. Ne atë e shkruajmë me gjak dhe nuk ndryshon dot. Le të japin dekorata ato janë metale, neve na dha populli titullin çlirimtar i vet, “- tha Rustem Peqi, kryetari i shoqatës së Veteranëve. Ai u bëri apel të rinjve të mos e harrojnë historinë dhe as luftën e çlirimit të Shqipërisë. “Mos harroni, mësoni historinë, sepse e kemi të lavdishme. Nuk është kjo Gjermani që është sot, por erdhën këtu na vranë e na dogjën, 4 nga 5 gratë dëshmore, u varën sepse puthën flamurin. Liri Gerua u dogj përsëgjalli në Fier nga fashistët. Të mos e bëjnë që luftën të thjeshtë, ka dashur shumë mund e sakrifica. Ne na vjen keq që në këtë 100-vjetor jemi të ndarë por s’kemi çfarë të bëjmë. Ka ditë të vështira, pro lavdia e popullit tonë nuk i ndryshon. Historia jonë është shkruar me gjak prandaj jemi krenarë për historinë që kemi kaluar”, – tha Peqi. Për të kujtuar ditën e çlirimit të Tiranës kryetari i bashkisë, Lulzim Basha zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Ai vlerësoi kontributin e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit, dhe se nderimi i atyre burrave dhe grave është një detyrim ndaj tyre. “Ky përkujtim nis me një përulje të thellë, nderojmë ata që ranë dhe luftuan për çlirimin e Tiranës, e kësaj faqe të lavdishme që i dhanë kryeqytetit çlirimin e pritur. Një detyrim edhe për edukimin e brezit të ardhshëm. Ata që bien për atdheun nuk vdesin kurrë. Shpresoj që në këtë 100 -vjetor, të shërbejë si një burim për bashkim dhe jo përçarje. Detyra jonë është të mos përsërisim gabimet e të shkuarës, por të bashkohemi të gjithë për ti dhënë vendit atë që meriton”, tha Basha.
/Shekulli Online/ E.L/
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply