Intervistë me veprimtarin e LPK-së, Ibrahim Kelmendi (2)
Treshja e Shtabit (Thaçi, Syla, Haliti) e sabotoi dhe e shpërdoroi luftën e UÇK-së
“Kosova Sot”: Edhe zëdhënësi i UÇKsë, Ali Uka u vra. Ai banonte me Hashim Thaçin, i cili kurrë nuk ka folur për këtë rast. Çka fshihet pas kësaj vrasjeje?
Ibrahim Kelmendi: Në prag të luftës pati ndodhur një vrasje goxha e bujshme në Tiranë, sidomos për shkak të barbarisë së saj. Është fjala për gazetarin Ali Uka, i cili në Tiranë po afirmohej si zëdhënës i UÇK-së. Për atë vrasje është dyshuar edhe Hashim Thaçi, shoku i Ali Ukës, meqë nuk duhet ta ketë duruar afirmimin e tij aksidental. Rastësisht pata takuar babanë e Ali Ukës, i cili kishte ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në gjykimin për vrasjen e djalit të tij. Atë e takova të bujtina e Tafilit, ku po flija edhe unë (meqë e paguanim krevatin 5 DM në natë për individ). Mënyra si u zhvillua seanca ishte një farsë që më irritoi. Aty nuk u fol fare me kë kishte banuar Ali Uka, as se ishte arrestuar si i dyshuar për vrasje Hashimi, por po kryhej një formalitet për të gjykuar atë vrasje, sikur e kishte bërë një kushëri i tij, që kishte ardhur në Tiranë nga Cyrihu. Atë e mbanin të burgosur në burgun psikiatrik në Elbasan dhe i kishin caktuar diagnozën e të sëmurit psikik. I kam harruar detajet, por di që pata raportuar gjerësisht për atë farsë gjyqë- sore në gazetën “Zëri i Kosovës” (mars ose prill 1998).
“Kosova Sot”: Po babai i Ali Ukës, te kush dyshonte për vrasjen e djalit?
Ibrahim Kelmendi: Nuk më kujtohet tamam.
“Kosova Sot”: Kush e ka dirigjuar në të vërtetë luftën e UÇK-së, këta që sot marrin merita e rrahin gjoks, apo ishin shërbimet sekrete, sidomos ai francez?
Ibrahim Kelmendi: Luftën e UÇK-së nuk e ka dirigjuar askush, por e ka bërë UÇK-ja e vegjëlisë çlirimtare në Kosovë, e cila ka sfiduar bandën sabotuese e komplotiste të treshes famëkeqe! UÇK-në, shpërthimi i kryengritjes së armatosur në mars të vitit 1998, pas plojës ose epopesë se Jasharëve, e zuri të goditur rëndë nga vrasjet e burgosjet që u kishin bërë forcat serbe pjesëtarëve të saj, si dhe sabotimi e komplotet që i kishin bërë Xhaviti e Azemi gjatë viteve 1994- 1998. Vegjëlia çlirimtare, kryengritëse, u vetë-organizua në zona, formoi shtabet e zonave, e bëri luftën siç diti e mundi, duke sfiduar sabotimet financiare, në armatim, organizim, që ia bënte “shtabi” i bandës së treshes, i cili e kishte selinë në hotele e restorante të Tiranës. Fatkeqësisht, ndërkombëtarët i afirmuan po këta tre, meqë i kishin kapur si marioneta të shërbimeve të huaja që duhet të kenë qenë. Mbaj mend kur me pati thënë Sekretari i Shtetit gjerman, Wolfgang Ischinger, se po i vinte gjynah për UÇK-në, si po e komprometonin çunat Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke i takuar të ngarkuarit ndërkombëtarë, duke marrë nga ata pyetje, duke simuluar sikur po i merrni përgjigjet nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ua përcillnin atyre broçkullat e tyre…
Padronët i kanë dhënë garanci Thaçit
“Kosova Sot”: Cila ishte lidhja e Thaçit me shokë, me agjenturat franceze dhe a besoni se edhe sot e kësaj dite këto lidhje ekzistojnë?
Ibrahim Kelmendi: Hashim Thaçi kishte raporte “shoqërore” me francezin Arnaud, njësoj si ushtari me komandantin, që do të thotë, Hashimi vetëm ka zbatuar urdhrat e atij shërbimi filoserb, atëherë e sot. Nuk e di çfarë raporte duhet të kenë tani Hashimi dhe ai shërbim, por njihet praktika e shërbimeve të tilla – njëherë marionetë, përjetësisht marionetë (pos kur vetë shërbimet vendosin ta lirojnë). Mosbrengosja e Hashim Thaçit për Gjykatën Speciale, respektivisht angazhimi i tij që ajo të krijohet, përmban sigurinë që i është dhënë Hashimit nga padronët e tij! Unë kam përvojë si përkthyes në proceset gjyqë- sore në Gjermani. Për të zbuluar krimin e organizuar policitë hetimore fusin në radhët e tyre spiunë. Spiunit i lejohet për kamuflim të luajë rolin e narkodilerit, ta zëmë, por kur ndodh procesi gjyqësor, ai nuk gjykohet, e shumta ai duhet të dëshmojë për të bëmat e strukturave të kapura. Kështu parashikoj të ndodhë edhe me Hashimin, pa zhurmë publike, do të garantojë Franca se e kishin rekrutuar dhe plasuar në UÇK për t’u informuar për “veprimtaritë terroriste” dhe të “krimit të organizuar” në Kosovë.
“Kosova Sot”: A mund të jetë edhe situata në Mitrovicën e pasluftësndarja e këtij qyteti në dysh dhe krejt pjesës veriore me komunat e tjera të shumicës serbe, pasoja e lidhjeve të fshehta dhe pazareve të Thaçit me shërbimet franceze?
Ibrahim Kelmendi: Pasojë kryesore duhet të ketë qenë vendimmarrja e Shtabit të Ushtrisë Franceze, ndërsa Hashimi, si marionetë e saj, vetëm ka luajtur rolin diversionist për të penguar forcat e UÇK-së që të mos provonin të pozicionoheshin me kohë edhe në ato pjesë, të cilat po vazhdon t’i mbajnë të pushtuara Serbia dhe KFOR-i i vendosur në atë zonë. “Kosova Sot”: Çfarë raportesh kanë pasur mafiozët e shtabit të UÇK-së me Adem Jasharin, me familjen e të cilit sot janë zbehur raportet? Ibrahim Kelmendi: Uroj ta korrigjoni diskualifikimin e vrazhdë “mafiozët e shtabit të UÇK-së”. Nuk kam informacion të konkretizuar. Di që ai “shtab”, i cili përbehej nga Nait Hasani, Xheladin Gashi, Rexhep Selimi, Sokol Bashota, etj., “grupin e Drenicës”, siç e quanin diskualifikueshëm, që komandohej nga Adem Jashari, duhet ta kenë sabotuar dhe nuk e kanë integruar fare në UÇK. Kështu duhet t’i kishin urdhëruar bosët Xhaviti e Azemi. Qysh në vitin 1996, nga UÇK-ja e Drenicës, janë kërkuar ndihma nga Lëvizja dhe Fondi në Gjermani, meqë ai “shtab” po e sabotonte. Me Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarët e tij mbanin lidhje Ali Ahmeti, Fehmi e Ramiz Lladrovci. Xhaviti dhe Azemi po i sabotonin edhe përmes ndikimit të tyre në Kryesi të Lëvizjes. E kam me të dëgjuar, por jo të thashethemeve ordinere, se kundër Hashimit dhe Kadri Veselit UÇK-ja e Drenicës duhet të kishte marrë vendim që t’u ndalohet hyrja në atë zonë. Ali Ahmeti duhet të ketë intervenuar që ai dënim të anulohej…
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply