MURAT BASHA
Ai sot u rikthye. Kurse unë ndjehem keq që nuk do t’i them babait tim se sot do të kthehet në atdhe Mbreti Zog I. Në të vërtetë kthehen eshtrat e Mbretit. Si mund t’i them babait se kthehen eshtrat e Mbretit, kur ai mendon tjetër gjë…? Me peshën e viteve, por dhe vuajtjeve mbi supe, ai tashmë ecën bashkë me erën përmbi re. Ai jeton me të shkuarën, ndjehet mirë më të. Aq më tepër kur historia e jetës së tij është në pjesën më të madhe historia e eshtrave të babait të tij. Peng i një amaneti, detyrim i besës. Mbajtja e fjalës. Mund të duken të çuditshme këto fjalë sot, por e tillë është historia. Ne shqiptarët shpesh kemi qenë peng i amanetit apo besës, që me aq art është jetësuar te legjenda e “Kostandinit dhe Doruntinës”…. Sidoqoftë, sot Mbreti është në atdhe, në Shqipëri. I ri, tepër i ri, e nisi veprimtarinë në shërbim të atdheut dhe kombit. Ne sot jemi krenarë për të, duke u përulur me nderim të thellë para tij, për përkushtimin ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, për çdo gjë që ndërtoi dhe realizoi në atdhe, prej Kongresit të Lushnjës, që hodhi themelet e shtetit të parë kombëtar shqiptar e deri kur mbylli sytë më 9 prill 1961, në Paris. Këtij burri, por edhe shumë të tjerëve që luftuan, punuan dhe sakrifikuan gjithçka në shërbim të atdheut dhe kombit, komunistët i kishin ndaluar rikthimin në atdhe edhe pas vdekjes. Makabritet që mund ta bëjnë vetëm mendjet e sëmura. Por, tek e fundit, kjo ishte kultura e së majtës shqiptare (vazhdon të jetë edhe sot, me disa përjashtime), e mbushur me mitologji revolucionare dhe mohim i çdo vlere që del jashtë kontureve të saj të ngurta, ideologjike. Heshtje. Mungesë kuraje për të kërkuar falje për tragjedinë që i shkaktuan një populli. Heshtje. Mungesë kuraje për t’u kërkuar falje viktimave të pafajshme. Heshtje. Mungesë kuraje për të treguar gropat në të cilat gjenden eshtrat e të pushkatuarve, me dhe pa gjyq. Heshtja dhe errësira kanë mbuluar një kohë të errët, një kohë pa kohë. Kohën e ndalur e një populli të përshkuar dhe dërrmuar nga dhuna e terrori, edhe për sa? Kemi pritur më kot pendesën… E kam thënë dhe më parë, ata që kanë kryer krime e kanë të vështirë pendesën, sepse pendesa lidhet me madhësinë e fajit. Po ndërgjegjja? Duhet ta kesh, që të mund të dëgjosh zërin e saj. Të ndarë mes vedi. Pse? Sepse nuk janë mbyllur “llogaritë” me të shkuarën. Dikur kam shkruar se në Shqipëri lufta solli një risi, si në çdo vend tjetër lindi dualiteti ndërmjet luftëtarit të rezistencës dhe partizanit ose militantit partiak. Luftëtari i rezistencës vendos mbi gjithçka luftën për liri, sakrificat në mbrojtje të atdheut, por edhe të dinjitetit njerëzor. Kurse militanti partiak, në momentin që në horizont shfaqet pushteti, bëhet i dhunshëm karshi gjithçkaje edhe kundër luftëtarit të rezistencës. E trishtueshme, por e vërtetë. Historia jonë e dhimbshme flet qartë për këtë fakt. Pikërisht për të njëjtat “arsye” pa arsye sot përsëri vazhdojmë të jemi të ndarë edhe përsa i përket vlerësimit të figurave historike, por në veçanti për Mbretin Zog I. Nuk dua të bëj asnjë koment apo të jap konsiderata historike për veprimtarinë e tij. E kam bërë deri sot, do ta bëj edhe në të ardhmen nëse hapet një debat. Sot dua të flas pak, por fare pak, ama, për veprimet apo fjalët e një hordhie militantësh partiakë, “fatkeqësisht” të gjithë të majtë, të cilët prej kohësh kanë “zaptuar” një pjesë të mediave duke organizuar “debate” apo emisione me njëri-tjetrin, pa pranuar mendimin e “kundërt” me qëllim zbardhjen (nxirjen) e të “vërtetave” historike. Po këto të “vërteta” historike i serviren publikut të mbuluara kryekëput nga tisi i ideologjisë, militante, partiake. Ideologji së cilës i shërbyen me devotshmëri deri dje dhe jo vetëm dje… Ndikimi i tyre, por, mbi gjithçka, llogaritë politiko-elektorale, e kanë “detyruar” edhe kryetarin e Partisë Socialiste të rreshtohet përkrah militantëve partiakë. Them llogaritë politiko-elektorale, sepse specifikisht për këtë rast nuk besoj te kushtrimi i të parëve apo thirrja e gjakut. Pasi kjo do të ishte e dyfishtë. Gjyshi i tij nga babai, i nderuari z. Vlash Rama dhe bashkëshortja e tij, punuan me ndershmëri dhe përkushtim pranë Mbretit Zog I dhe familjes mbretërore shqiptare. Kjo thirrje duhet të ishte më e “fortë” se sa ajo “tjetra” që vjen nga krahu i majtë, nga komunistët dhe militantizmi, ngrehur mbi llogaritë politiko-elektorale. Ky mentalitet, kinse ose jo, të bën të thuash banalitete të tilla si ajo që: nuk konceptohet që një princ të jetë këshilltar i Presidentit të Republikës….?? Po përse jo? Nuk paska të drejtë princ Leka II që në rrugën e gjyshit, Mbretit Zog I, babait mbretit Leka I, të japë kontributin e tij në interes të atdheut dhe kombit? Po ku kishte gjë më të bukur dhe prekëse kur një djalë i ri (mbetur jetim, në raport me humbjen e prindërve) betohet para trupit të pajetë të babait, mbretit Leka I, se do të ndjekë rrugën e paraardhësve të tij në shërbim të atdheut dhe kombit. Për të minimizuar dasitë, por në të njëjtën kohë edhe nisur rrugën e “vështirë” të pajtimit dhe bashkëpunimit në interes të shqiptarëve, kryetari i Partisë Socialiste duhet të ishte prezent në ceremonitë e rikthimit dhe rivarrimit në atdhe të Mbretit Zog I. Por, siç duket, thirrjet e të parëve i dëgjon vetëm nga veshi i majtë. Kurse llogaritë politiko-elektorale e ndalojnë që të kryejë një veprim dinjitoz, por që në fund të fundit do kurajë dhe integritet. Përtej gjithë fjalëve apo ndodhive të këtyre ditëve. Një gjë është e sigurt. Mbreti sot është në atdhe. Po kjo nuk është e gjitha. Ai, Mbreti ynë, Zogu I, do të jetë pranë bashkëshortes, Mbretëreshës Geraldinë. Do të ketë pranë edhe djalin, mbretin Leka I dhe bashkëshorten e tij, mbretëreshën Suzanë. Më në fund ata janë bashkë. Nuk kanë qenë kurrë të gjithë së bashku. Fati apo ngjarjet dhe rrethanat historike i dhanë kuptim tjetër jetës së tyre, por kurrë nuk ia ndryshuan drejtimin dhe përkushtimin, atë të shërbimit dhe sakrificave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ata nesër do të jenë pranë njëri-tjetrit. Këtu, poshtë, në tokën shqiptare. Në tokën ku patën kujtimet më të bukura, edhe pse…, por gjithçka mund të duket magjike nëse e sheh nga një këndvështrim i veçantë. Dashuria për vendin bën të harrosh gjithçka jo të mirë që të ka ndodhur në atdhe. Ata, së bashku, do të jenë për brezat e ardhshëm të shqiptarëve një dëshmi historike, shembull sakrifice dhe vetëmohimi, por, mbi gjithçka, një poemë dashurie sublime për njëri-tjetrin dhe në veçanti për atdhe dhe komb. Ne jemi sot këtu për t’i nderuar, por edhe falënderuar për veprën e tyre. Ata u përpoqën shumë që ne të ëndërronim për lirinë, por edhe të bindeshim për të lëvizur drejt shpresës, të luftonim për të. Por ata, para se të jenë mbretër dhe mbretëresha, janë një familje. Familje shqiptare. Një familje që ka gjithë të drejtën e Zotit të prehet në tokën amtare. Megjithatë, ata janë familja mbretërore shqiptare. Simbol i madh. Simbolet e mëdha janë përherë edhe shënjestra të mëdha të armiqve dhe kundërshtarëve. Por, tek e fundit, e rëndësishme është që ata së fundi janë me ne. Jo më të ndarë, por të gjithë bashkë. Çfarë mrekullie! Bashkë.
Panorama
Per”Alba – Dansk” shkodrani



Leave a Reply