Pëllumb Sulo
Në Shqipëri reshjet e nisura që prej pasdites së djeshme kanë krijuar një situatë problematike në shumë zona të vendit. Njësitë e emergjencave civile, por dhe forca të policisë dhe ushtrisë, kanë ndërhyrë gajtë ditës në zonat kritike. Ndërsa autoriteti rrugor po mban nën mbikqyrje situatën duke njoftuar në mënyrë periodike për gjendjen e rrugëve, ku në disa pjesë janë vërejtur rrëshqitje të dherave.
Probleme janë vërejtur edhe në kryeqytet. Në zonën e Babrrusë u evakuuan 25 familje gjatë ditës, pas vërshimit të lumit të Tiranës, i cili është tejfryrë. Përmbytje ka patur dhe në disa fshatra të tjera, ndërsa udhëtimi drejt Elbasanit është devijuar nga rruga e vjetër, për shkak se në zonën e Mulletit ujërat e kanë bërë të pamundur hyrjen për në autostradë.
Vështirësi janë hasur edhe në disa lagje periferike të kryeqytetit, ku uji ka depërtuar në banesa. Ndërsa Lumi i Lanës i cili përshkon qytetin, ka dalë nga shtrati, në disa pjesë të tij. Rreshjet e shumta kanë vështirësuar dhe qarkullimin. Bashkia këshilloi qytetarët që të shmangin lëvizjet në orët e pasdites, ndërsa disa qindra punonjës të saj janë vënë në gatishmëri.
Ndërkohë, rreshjet e dëndura të ditës së sotme kanë krijuar një situatë problematike edhe në të gjithë zonën veriore të Shqipërisë, ku ka fryrje të përrenjve malorë, rrëshqitje dherash dhe rrezikim të banesave. Sipas emergjencave civile situate është më kritike në Qarkun e Lezhës, ku sot ishte edhe zevendës kryeministri Niko Peleshi. Fryrja e lumejve Drin dhe Buna nuk ka rrezikuar për momentin përmbytje në zonën e Nënshkodrës, ndërkohë që po përmirësojnë situatën hidroenergjitike në kaskadën e Drinit, ku gjenden edhe hidrocentralet më të mëdhej të vendit.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply