KRENARI
Krenare sodis malet e larta,
fushat e gjera dhe pllajat me blerim,
kjo tokë ka rritur trima me flatra,
që nder e emër i dhanë vendit tim.
Bekuar qoftë gjoksi i nënave të mira,
që i mëkon brezat me dashuri në çdo stinë
bekuar qofsh përjetë, Shipëria ime,
me mall largohemi e me mall tek ti vijmë.
SHQIPES
Futuro, moj Shqipe, fluturo..
endi krahët nëpër erë,
është dita jote, ndaj gëzo,
mbill ëndrra e korr pranverë …
TEK LISI I VJETËR
Ky lisi im i vjetër, shekullor,
në çdo gjethe fsheh një plagë,
shekujsh s’u kërrus nga akull a borë,
nga rrënja në majë frymon gjak.
Herë – herë vij të prehem pranë tij,
nga trungu i burojnë këngë trimërie,
nën hijen e tij stërgjyshërit e mi,
me pushkë shkruan një ninullë lirie..
Nën hije, në djep më përkundi nëna,
unë u rrita e mora rrugët e botës,
por shpesh vij, me fjalë të pathëna
tek ky lis që i bën ballë erës e shqotës.
KRENARIA E NËNËS
Ka ditë, kur përmbi timen Vlorë,
bien pa pushim petale trëndafilash,
në prehër i mbledh Nëna e gjorë,
nën një kor me zëra bilbilash.
Lëvizin një çast monumentet prej guri,
kur Nëna u hedh petalet përmbi,
në sfondin e kaltër valëvitet Flamuri
me ngjyrat e tij kuq e zi…
Nëna ua përmend emrat një nga një,
tek puth gurin e ftohtë gjithë dashuri,
buzë detit ngre dorën e thërret me zë:
Këta trima janë bijtë e mi …!
KAM PARË…
Kam parë kështjella,
me bedena e kapin qiellin si me duar,
erën e kam parë nën gur të futet
dhe ëndrrën e qëndisur mbi flamur – realizuar.
Kam parë degën e bajames që lehtë lëkundet
dhe malin që shqipes dy-krenare i përgjunjet.
DASMA LABE
Për ku janë nisur këta dasmorë,
me këngë e valle taborrë- taborrë?
Me Ismail Qemalë në ballë,
Kanë marrë rrugën për në Vlorë.
Hapni rrugën, të ftuar e kumbarë,
mbushni rrugë e sokaqe me petale,
po vjen dhëndrri mbi kalë të bardhë ,
mbështjellë me Shqipen Dykrenare.
Le të derdhet rakia nga gëzimi,
me dolli labe, siç e do zakoni ,
orizi dhe karamelet për nusen Liri
të fluturojnë lirshëm nga ballkoni…
Pa merreni nusen e lyejani duart
me mjaltin e maleve të Labërisë,
tri herë sipas ritit të kapërcejë pragun
me këmbë të mbarë si zonjë e shtëpisë.
Pastaj, t’ja marrë labçe, nëna Vlorë,
që nga Narta, gjer te Pashalimani,
rrugë e sheshe të mbushen me dasmorë,
e në valle të hyjnë Karaburuni e Sazani.
Pa të hyjnë në valle Gurakuqi e Boletini,
trima nga Kosova e krahinat e tjera,
bini, ju tupana në këtë dasmë, bini,
ndërsa në Shesh Flamurin e puth era.
VLORËS
-Vlorës, qytetit tim-
Vlora ime ,Vlorë me halle,
Grua – zonjë përmbi male,
Ngre stuhi e djeg vullkane,
Vlora ime, Vlora labe…!
Vlora ime, – vajzë e bukur,
Fustan-bardhë porsi flutur,
Lule limoni flokët stolisur,
Përmbi ballë shaminë qëndisur…
Vlora ime , Vlorë me nure,
Vlora ime, trimëreshë
Armiqtë detit i përzure,
Vlora ime – luaneshë …
Vlora ime , Vlora jonë,
Vlorë e flakës në Paris,
Në Stamboll ngrite ciklonë
Shkronjëartë e historisë.
Vlora jonë, depo e barotit
Vlora e maleve dhe e detit,
Armiqtë shkove në grykë të topit,
Vlorë e denjë për kurorë mbreti !
Gjunjëzuar prehërit tënd
Nënë e dashur – Vlora ime,
Ngado shkoj të sjell ndërmend,
Emri yt më jep veç gëzime!
MALL PËR FËMIJËRINË
E frikshme është jeta e mërgimit,
Një këngë vaji që s’ka mbarim..
Notat e trishtme dridhen buzëve,
Lotët e ngrira tashmë s’kanë burim ..!
Ku është dielli, dielli i qiellit tim ?
Në ç’ kostelacion është degdisur, s’e gjej dot,
Kur isha fëmijë, më përkëdhelte e më puthte,
Tani më ka braktisur, më ka lënë në lot…
Më ka marrë malli për gjirin e nënës,
Ashtu siç është i vyshkur, i tharë ..
Ta puth e të pi nën dritën e hënës,
E si fëmijë prapë vajit t’ia marr.
VËSHTRIM SHQIPONJE
Dikur…
Krenare fluturonte në qiell një shqiponjë,
Kishin zili fushat, malet e shpendët e tjerë,
Hidhte vallen duke dredhur shaminë si zonjë
puthej me rrezet e diellit e lodronte me erën.
Ngritën kurthe ta kapnin shqiponjën e re,
Dallgë e stuhi rrugën për t’ia prerë,
Por e mjera mblodhi fëmijët në fole,
E rrugën e fluturimit u mësoi si përherë.
Kaluan kohrat, fëmijët janë rritur..
Qosheve të globit fluturimin kanë marrë,
Shikon nënë e gjorë e rri duke pritur
Malli për bijtë e djeg porsi zjarr.
Nëna trime është thinjur, rrudhur, plakur…
Veç vështrimin e ka të mprehtë si shqiponjë,
Pret fëmijët të trokasin sërish tek pragu
E ajo ta ndjejë dhe një herë vehten zonjë…
LABËRIA IME
Sot, do t’i këndoj Labërisë sime,
me dashuri, ëmbëlsi dhe shpresë,
është ëndërr që jeton brez pas brezi,
është trashëgimi që nuk vdes.
Do t’u këndoj atyre maleve ,
mbushur me shqopa dhe gjineshtra,
dheut që di të lindë vetëm trima,
për atë ndiej dhimbje në eshtra.
Ndër vite ke luftuar e mira ime,
ke qarë, burra, gra e fëmijë,
kapedanë me zemrën si stërrall,
çdo copë toke me gjak e lave ti.
Dhe emigrimi, nuk pati mëshirë,
varrezat u bënë qytet më vete,
trëndafilat i derdhe si vargje të dlira,
Labëria ime, pse pate kaq derte…?!
Ndaj sot, i këndoj Labërisë sime,
me dashuri, ëmbëlsi dhe shpresë,
është ëndërr që jeton brez pas brezi,
është trashëgimi që nuk vdes.
PO SOT ATDHE, SI JE?
Po sot atdhe, si je?
Prind që solle mua të tjerë,
Lulëzove dimrit gjer në re,
Dhe vdiqe në pranverë.
Në shekuj s’bëm keq kujt,
Po dielli shikon vrenjtë,
Kush të hap varre dhimbjesh,
Atdhe, o tokë e shenjtë!
Ne e deshëm lirinë,
Ne e deshëm demokracinë,
Ndaj dhe besuam si femijë
Në sytë e tu profecinë.
Unë e di kush të vret ty,
Këtë e di unë, e di dhe ti,
Nuk është zoti lart në qiell,
Është bota e re, është ligji i ri.
Ne e deshëm lirinë,
Ne e deshëm demokracinë,
Ndaj dhe besuam si femijë
Në sytë e tu profecinë.
Po sot atdhe, si je?
Me dorë në zemër e dritë në sy
Unë bij nga brinja jote
Perandoria ime, toka që mbolla
Ëndrrat e para.
E thurja cdo natë si shoqet pa pushim
E këndoja cdo ditë në verë si gjinkalla .
Ne e deshëm lirinë,
Ne e deshëm demokracinë,
Ndaj dhe besuam si femijë
Në sytë e tu profecinë.
Po sot atdhe, si je?
MUSHT DASHURIE
Dashuria pikon përherë musht mbi faqen time,
dashuri, që prej shekuj derdh stuhi e furtunë,
djepin përkunda me duart e mia prej ëndrre,
duke i kënduar foshnjës betimin mbi flamur.
Dhe luftova unë me përbindësha deti e qielli,
duke bekuar në përditë Zotin, që më bëri femër,
çdo mëngjes vrapoj nëpër rreze të arta dielli,
e në deje mbledh shpresë e dashuri në eter.
Përherë dashuria pikon musht mbi faqen time,
dashuri, që prej shekuj derdh stuhi e furtunë…
NË KRAHË SHQIPESH…
Patriot…
Është ora,
është momenti.. ..
thërrasin yjet,
edhe dallgët ..
gjëmon qielli
e buçet deti:
O sot, o kurrë..
Shqipëria e shqiptarit!
Nga mot,
fusha e male
në këmbë janë ngritur,
në lugina zbret jehona,
që nga Gjergji
tek Ismaili :
Shqipëria është jona!
Ngrihet Çika,
edhe Vjosa,
Sazani dhe Karaburuni,
vallen tej hedh
Cameria dhe Kosova…
Fustanella e bardhë
në krahë shqipesh
valëvitet bashkë me flamurë,
me motivin e lashtë:
Si një herë e një herë…
O sot,o kurrë !


Leave a Reply