Por ndërsa për opozitën kjo shihet si një fitore e saj përballë një shumicë që sic thotë ajo është bërë palë me krimin, për përfaqësuesin socialist Taulant Balla ligji shënon fundin e përbaltjeve politike: “Sot është një ditë e mirë për politikën shqiptare, sepse më në fund është mbyllur një proces i keqpërdorur për arsye politike në dëm të Shqipërisë sonë. Nga sot asnjë aktor politik shqiptar nuk mund të bëjë politikë në Europë duke sharë Shqipërinë si një shpellë kriminelësh, ku gjoja institucionet janë në xhepat e krimit”

Teksti i marrëveshjes detajon të gjitha kategoritë që preken, që nga deputetët, ministrat apo përfaqësuesit e zgjedhur vendor deri të institucionet e tjera të shtetit, duke penalizuar jo vetëm ata që janë dënuar në Shqipëri por dhe ata që kanë marrë një dënim qoftë edhe jo të formës së prerë, në gjykatat e vendeve të Bashkimit europian, Shteteve të Bashkuara e Kanadasë. Ai parashikon një numër të madh veprash penale kryerja e së cilave bëhet shkas për të mos lejuar ushtrimin e funksioneve publike, si për gjatë gjithë jetës, ashtu dhe për afate të ndryshme kohore në varësi të veprës penale.

Ligji do të ketë efekte të menjëhershme, deklaroi deputet demokrat Oerd Bylykbashi: “Përsa i përket atyre që janë sot në funksion, do të operohet sigurisht menjëhërë. Të gjithë personat dhe rastet e verifikuar deri më tani do ti nënshtrohen verifikimit dhe cdo person, edhe pse ka një funksion publik të zgjedhur apo të emëruar, nuk fshihet pas mandatit, të cilin do ta humbasë sapo të dalin konkluzionet. Në të ardhmen edhe nëse është zgjedhur, do ti verifikohet situata, do ta lërë mandatin menjëherë”.

Palët nuk ranë dakort me kërkesën e opozitës për testin e përdorimit të substancave narkotike, dhe për këtë cështje fjalën e fundit do ta thotë parlamenti, i cili gjithashtu do të duhet të miratojë dhe aktet zbatese si dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Sipas zotit Bylykbashi, ligji mund të bëhet efektiv që në fillim të vitit të ardhshëm.