Pjesë nga romani “217”
Si e pash për herë të parë Adem Jasharin!
Ishin ditë vjeshte, viti 1995. Ishte mëngjes rreth orës nëntë, kishim dalë të punonim. Ishim duke përfunduar punët e fasadës për Odën, muret e jashtme të saj. Në të nesërmen pritej që kushëriri ynë i parë, Bedriu, të martohej. Dasma kishte filluar, muzika dëgjohej në oborrin e tyre, kohë pas kohe edhe këngët e bukura të vajzave të përcjellura me tingujt melodik të defit.
Nga rruga kryesore është një sokak rreth njëqind metra që të sjell tek shtëpia jonë. Nga fundi i sokakut kam vërejtur një makinë të kaltërt tek vinte drejtë dyerve tona, ishte një 101-ish dhe nuk ishte aspak e vështirë për ta kuptuar se kush ishin. Pa ndonjë reagim, krejtësisht në qetësi i them vllaut tim se “erdhën dajtë”. Ishte kjo një shprehje e kohës për të lajmëruar njerëzit që po vijnë policia.
Ishin vetëm dy, zbritën nga makina dhe njëri prej tyre më foli në gjuhën shqipe: -Ku e ki babën?-
Ende pa thënë ndonjë fjalë, baba që ishte në anën tjetër të derës së oborrit, tha: -që këtu jam-
Pa ndonjë përshëndetje, polici mbante në dorë një letër dhe i tha babës që duhet të marrim me vete për në stacionin policor, Ty, vëllain tënd Shefqetin dhe djalin tënd Behxhetin.
Me të dëgjuar këto, të gjithë u mblodhëm rreth tyre. Ne mbanim në duar mjetet e punës, dikush lopatën që ishte duke punuar me mixer, dikush çekanin, dikush ndonjë armaturë dhe kjo situatë ishte shumë e pa këndshme për policët. E vërej që njëri nga policët dorën e mbante tek pistoleta, por nuk e heqte atë nga brezi…
Ismeti (babai) pasi e lexoi letrën, iu tha atyre:
-Kjo që po kërkoni është e pakuptimtë…përveç të tjerash nesër kemi dasëm, kështu që nuk mund të vijmë sot në stacionin policor, e as nesër e as në ditën e hënë…-
Policët vazhdimisht shikonin për-rreth, ishim diku afër 15 veta që i mbanim nën një shikim urryes dhe në dorë mbanim sende të forta. Jam i sigurtë që kjo pamje i bëri ata të pranojnë kushtet dhe pa ndonjë shkëmbim tjetër fjalësh ata hypin në makinë dhe shkojnë…
Dasma ishte e bukur, vallëzim, këngë e hare në dy ditët në vazhdim… Flamuri kuq e zi i shoqëroi krushqit që shkuan për ta marrë nusen në një fshat rrëzë Qyqavicës. Edhe dita e hënë ishte ditë feste, ose siç i thonë ndryshe -dita e grave-.
E meqë gratë bënin festën e tyre në oborr, Ne burrat ishim mbledh në Odë dhe bisedonim. Baba na tregoi të gjithëve që sipas letrës, policia serbe kërkonte dy kallashnikov, një pushkë të gjatë, një pistoletë dhe 12 kilogram eksploziv. -Nëse pranojmë diçka nga këto atëherë duhet ti gjejmë të gjitha, çka nuk i kemi- tha baba.
E vërteta ishte që diçka nga armët kishim, por jo çka ata kërkonin. Kishte edhe diçka të vërtetë rreth eksplozivit. Vetëm pak vite më parë kishim blerë ca eksploziv për thyerje gurësh, na duhej për një bunarë dhe eksplozivi ishte harxhuar, nuk kishte mbetur asnjë kilogram i vetëm, por si të ia shpjegosh këtë një armiku?!. Pjesa e dhimbshme në gjithë këtë ishte që kolaboracionistët shqiptarë jepnin edhe informacione të pa vërteta tek armiku. Por, çka mund të mos bëjë tjetër një tradhtarë i vendit?! Nuk befasoheshim me tradhtarët.
Andaj ishte vëndosur që këto kërkesa për armë të mohohen plotësisht dhe asgjë të mos pranohet gjatë marrjes në pyetje në polici.
Poashtu e vërteta ishte që policia serbe tashmë nëpër shumë fshatra të Drenicës kërkonte armë dhe me këtë bënte një politikë të shtypjes dhe torturës ndaj njerëzve të pa fajshëm. Qëllimshëm kërkonin armë që shqiptarët nuk i kishin, thjeshtë për ti maltretuar ata mbi këtë pretekst. Gjithashtu, bashkëpunëtorët e serbëve, disa shqipfolës kërkonin nga njëmijë marka gjermane para të gatshme, gjoja për të intervenuar tek policia për ndaljen e torturave. Më pastaj, ata i ndanin markat me policët, duke u pasuruar mbi vuajtjet e shqiptarëve të pafajshëm.
Ditën e martë, në mëngjes që të tre, Ismeti, Shefqeti dhe Behxheti vëndosin të lajmërohen në stacionin policor, në Skënderaj (armiku e quante Serbicë), në të kundërtën, policët do të vinin me qindra dhe me mjete të blinduara për të maltretuar të gjithë anëtarët e familjes pastaj.
Ata do të iu nënshtrohën në disa ditë rresht torturave të shumta fizike dhe psiqike. Në një ditë lirohej njëri për gjoja për të mbledhur armët në shtëpi dhe për ti dërguar ato në stacionin policor, si shkëmbim do ishte lirimi i të treve pastaj. Mirëpo, ato që kërkonin, nuk i kishim, andaj edhe torturat vazhdonin. Në ditën e katërt, kur tashmë trupi i tyre kishte marrë ngjyrë jeshile pothuaj në çdo pjesë, inspektorët gjenin edhe metoda të rënda psikologjike për të thyer qëndrimin e tyre për mos pranimin e armëve. Njëri nga inspektorët, i dërgon babë e djalë në një dhomë të vetme, djalin e ulë në një karrige dhe e deryron që këmbët ti vë mbi një karrige tjetër përballë, ndërsa i drejtohet babës me këto fjalë:
-tash në prezencën tuaj do ia thyejmë të dyja këmbët djalit tuaj, dhe për këtë jeni përgjegjës ju vet, sepse nuk po dorzoni ato armë të prishura- …
Pak metra më tutje në këmbë rrinte një polic me një shufër të rëndë hekuri në duar, i gatshëm për të ia thyer të dyja këmbët Behxhetit. Ndërsa Behxheti që vështronte tërë atë situtatë aq të pazakontë dhe në mendje provonte ta paramendonte vetën me këmbë të thyera, ia hedh një shikim babës, duke i dhënë atij një buzëqeshje dhe njikohësisht i jep shënjë duke mbyllur syrin e majtë, për të ia bërë me dije babës që nuk ndjente aspak frikë. Në ato rrethana ishte pajtuar me fatin e keq, andaj në vend të frikës, nuk i mbetej tjetër veçse të shfaq para babës dinjitet dhe burrëri.
Ismeti, një mësues i matematikës, i gjendur në një situatë kaq delikate të jetës, bënte llogaritë e tij. I mbushur plot mllef dhe i stërlodhur nga rrahjet dhe torturat i jep atij një përgjigje:
-Armët nuk i kemi, andaj edhe nuk dijmë si mund ti dorëzojmë ato…sa për këmbët e djalit, nuk është në dorën time që të mundëm në këto rrethana të bëj diçka, por nëse një ditë bota ndryshon, do e kem në mendje që edhe ju keni fëmijë…-
Inspektori nga këto fjalë, ngritet në këmbë i tërbuar, me një grusht, e godet fortë tavolinën e vogël aty pranë dhe largohet, pas tij edhe polici që e kryente punën e torturave…
*****
Pas disa orësh ishin liruar që të tre, dinin të ecnin ngadalë, por katër ditë rresht maltretim e torturim e kishin bërë punën e vet. Rifati i merr me makinë dhe i sjell në shtëpi, bashkë me ta edhe mjekun nga Likovci. Ata ishin liruar, por policia iu kishte thënë që pas dy ditësh të lajmërohen prapë në stacionin policor. Diçka që ata kurrë më nuk do ta bënin.
Derisa mjeku e ekzaminonte trupin dhe shëndetin e tyre, kishte ardhur edhe një gazetar që bënte foto, për ti dërguar ato në Këshillin për Mbrojtjën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj). Unë si një 16 vjeçar, shikoja ato gjurmë të torturave në trupin e më të afërmëve të mi. Lotët nuk më dilnin nga sytë, por zemra sikur më ndahej në dysh…në anën tjetër në televizion shkonin lajmet, ku për ironin e rastit shfaqet në ekran lideri ynë paqësor, ku mes të tjerash tha edhe këto fjalë: -…të jemi të kujdeshëm e mos ta provokojmë armikun…-
Me këtë mllef në shpirt dhe me një zemër që vetëm sa nuk pëlciste, dola nga Oda dhe mora rrugën sokakut. Sapo dola në rrugën kryesore, përballë meje u gjend një burrë me mjekërr të theksuar dhe me flokë kaqurrela e me sy shqiponjë. Ishte i hipur mbi një motorr dhe një armë të shkurtër automatike, të varur përpara që i rrinte në lartësinë e gjoksit. Ai vërejti befasinë time dhe më dha një buzëqeshje mirëbesimi.
Në sytë e mi sikur u ndez një zjarr, një ndjenjë e forcës dhe shpresës lindi brenda meje. Hera e parë që ndjeva një dëshirë aq të fortë për luftë, për një luftë për LIRI. Ai vazhdoi rrugën mes për mes fshatit Abri. E unë u ktheva në shtëpi plot shpresë.
Ai ishte Adem Jashari.
Driton Smakaj
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply