KOSOVË- Qëndresa Zejnullahu u martua ende pa u rritur dhe e mbuloi veten me ferexhe të zezë, kur nga një familje e varfër shkoi te një fetare, shkruan sot ‘Koha Ditore’.
Ajo ende pa u rritur edhe u vra, e fillimisht u tha se është vetëvrasje e më pas u cilësua si vrasje nga pakujdesia. Qëndresa ishte 14 vjeçe.
Bashkëshorti i saj, S. H., sipas burimeve brenda prokurorisë, dyshohet që rishtas i është bashkuar grupit terrorist ISIS, dhe është shpërngulur në Siri.
Pasditen e së martës, më 3 nëntor, sipas hetimeve të para të prokurorisë, Qëndresa u qëllua me armë gjuetie aksidentalisht nga vëllai i saj, Leotrim Zejnullahu, në shtëpinë e tyre në Tërpezë të Vitisë. Në fillim kjo vrasje u paraqit si vetëvrasje nga familjarët e saj.
Ngjarja
Edhe pse rasti fillimisht ishte raportuar në Polici si vetëvrasje, pas raportit mjeko-ligjor u vërtetua se ajo ishte vrarë.
Nga familjarët e mbledhur në shtëpitë e familjes Zejnullahu, del babai i Qëndresës me sy të përlotur dhe thotë se i ka vetëm dy fjalë.
“Të dielën vajza më ka vdekur, atë e ka vra vëllai i vet aksidentalisht. Ai nuk e ka vra me qëllim, se asnjë vëlla nuk çohet me e mbytë motrën e vet me qëllim”, tha Bafti Zejnullahu, babai i Qëndresës, që qante ndërsa fliste për vrasjen. Me sy të përlotur, por i fortë, ai vazhdoi rrëfimin duke shpjeguar se si Policia kishte ardhur në shtëpinë e tij për t’ia marrë djalin.
E kjo ishte e papranueshme për të, sepse vajza e tij ende nuk kishte hyrë në dhe, ndërsa policia i kishin hyrë në shtëpi.
“Unë hala pa e shti vajzën në dhe, ka ardh policia dhe e kanë arrestuar djalin si m’u kanë fashist. Krejt ka ndodh aksidentalisht. S’kanë prit as varrimi me u kry”, tha babi i të ndjerës, i cili nuk pranoi të flasë më shumë.
Djali i xhaxhait të Qëndresës thotë se ngjarja ka ndodhur të dielën kur e kishte dëgjuar një krismë dhe kishte menduar se kishte pëlcitur një bocë e gazit.
“Unë mendova që është boca e gazit (plinit), por kur u afrova e pashë që diçka ma e rëndë kishte ndodhur”, tha ai.
Sipas tij, vëllai i saj Leutrimi e kishte dashur Qëndresën aq shumë dhe ishte ai që kishte shkuar për ta marrë atë në shtëpinë e burrit. Kjo pasi që Qëndresa prej pesë muajsh nuk jeton në shtëpinë e babait të saj. Ajo pa mbushur 15 vjec ishte martuar në Gjilan për një djalë që jeton në Gjermani.
Ata nuk pranuan të flasin për jetën e Qëndresës në shtëpinë e burrit, nëse ajo kishte ndonjë problem me njerzit e burrit apo burrin.
Vëllai i saj, Leutrimi, sipas djalit të xhaxhait të tyre, kishte gatuar për të torte pasi që punonte në një kuzhinë dhe dëshironte që Qëndresa t’ia kalonte si më së miri në shtëpinë e saj të vajzërisë.
“Leutrimi e ka dashtë shumë motrën e vet, saqë shkoi me e marrë edhe i ka gatuar torte asaj”, tha ai.
Por cfarë thonë familjarët si përfundoi pushka në duart e motrës dhe të vëllait?
Qëndresa, sipas rrëfimit nga familjarët, kishte shkuar në dhomën e sipërme të shtëpisë dhe e kishte marrë pushkën të cilën e kishte sjellë në dhomën e ndenjës dhe ia kishte drejtuar vetes. Kur këtë e kishte parë Leutrimi, ai ka tentuar që t’ia marrë pushkën nga duart dhe aksidentalisht e kishte prekur këmbëzën e pushkës duke e goditur në mes të kokës.
“Qëndresa ka shku në dhomën nalt, e ka marrë pushkën dhe ka ardh në dhomë. Kur e ka pa këtë skenë Leutrimi, ia ka kap pushkën e pahiri e ka prekë, e ka qëlluar me një plumb në kokë”.
Dhe këtu ndalet rrëfimi pasi që familjarët nuk dëshirojnë të japin informata të tjera në lidhje me vrasjen.
Kurse Prokuroria Themelore e Gjilanit, në një përgjigje për Gazetën Express, thonë se në orën 12:50 ka ndodhur vrasja në dhomën e ndenjës, përderisa vëllai i saj, sipas prokurorise dyshohet e kishte vrarë aksidentalisht duke e qëlluar në kokë.
“Leutrim Zejnullahu,vëlla i të ndjerës, dyshohet e ka vrarë aksidentalisht motrën e tij. I dyshuari me një pushkë të gjuetisë kishte shkrepur në drejtim të saj. Me një plumb e kishte qëlluar në kokë. Për këtë dyshohet për dy vepra penale: Vrasje nga pakujdesia dhe përdorim i armës pa leje”, tha kryeprokurori Jetish Maloku.
Sipas, prokurorisë arma me të cilën u vra Qëndresa ishte e babait të saj.
Kurse Policia e Kosovës, me 1 nëntor kishte pranuar një informatë lidhur me një rast të raportuar si “Vetëvrasje” që kishte ndodhur në fshatin Tërpezë, Komuna Viti. Pas hetimeve nga njësitë e hetimeve rajonale, me 03 nëntor 2015, rreth orës 09:00 kishin gjetur se vdekja e të ndjerës femër nuk është vetëvrasje, por është shkaktuar nga një person tjetër. I dyshuari L.Z aksidentalisht kishte shkrepur armën dhe shkrepja ka qenë fatale për motrën e tij.
“Të dyshuarit në fjalë iu është afruar ndihma mjekësore tek psikiatri dhe më pas është njoftuar Prokurori i Shtetit, nga i cili është lëshuar vendimi mbi ndalim për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje nga Pakujdesia”, vepër penale e cila është e sanksionuar me ligj sipas Nenit 181 të KPRK-ës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
http://www.albnews.al


Leave a Reply