Mimoza Cika-Kelmendi“URACult e.V.” është një shoqatë e re që i bënë bashkë shqiptarët në qytetin e Këlnit dhe landit NRW në Gjermani. Të rinj nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria janë ambiciozë në misionin e tyre. Ndryshe nga prindërit apo të afërmit e tyre të ardhur në vitet ’70 apo ’80 në Gjermani, sot ata pretendojnë të ndërtojnë një tjetër urë shqip mes gjeneratave dhe kulturave. Qëllimi është i thjeshtë: Prezantimi i artit, kulturës dhe traditës shqiptare këtu në Gjermani. Nuk kanë shumë kohë që e kanë nisur këtë detyrë (një vjet), por duket se e kanë nisur mbarë. Dhe siç thotë një fjalë e urtë popullore, koha e mirë duket qysh në agim.
Të motivuar nga e kaluara dhe festat tradicionale të shqiptarëve, të rinjtë: Bashkim Meholli (kryetari i shoqatës), Ali Salihu, Xhevahire Jusufi dhe shumë të tjerë po përpiqen që këtë traditë ta sjellin edhe në Këln, duke sjellë pak atmosferë nga vendlindjet tona. Ata e ndjejnë si një detyrë që ka ardhur koha ta marrin përsipër dhe ta bëjnë realitet Urën e bashkëpunimit. Shumica e anëtarëve të shoqatës janë brezi i parë në Gjermani, dmth. jo të gjithë i kanë prindërit këtu. Ata në fakt po ndjekin një rrugë që ka nisur herët… diku në vitet ’70, kur në tokën gjermane mbërritën shqiptarët e parë si “gastarbeiter” (punëtorë emigrantë gjermanë) në bazë të një marrëveshjeje që Gjermania në atë kohë pati bërë me ish-Jugosllavinë.
Ata erdhën për arsye ekonomike, pasi kushtet nëpër familje i kishin mjaft të këqija. Erdhën me mendimin se do të ktheheshin shpejt, por edhe me plot ëndrra në valixhe. I tillë ishte edhe Smajl Hoxha, personazhi i filmit “SMAJL” që u shfaq në Këln nga shoqata “URACult e.V.” ditë më parë para një publiku të gjerë shqiptaro-gjerman. Një realizim i mrekullueshëm artistik. “SMAJL”-i është njeriu që tipizon të ardhurit nga Kosova në Gjermani. Ai përfaqëson pikërisht shqiptarët që morën këtë rrugëtim në “tokën e premtuar” nga koha e Titos. Televizori, kamera, magnetofoni apo çiftelia ishin mjetet që i gëzoheshin më shumë për shumë arsye. Ata lidhnin mes tyre mallin, kujtimet, këngët, traditat e zakonet mes mijëra km. larg, Kosovë – Gjermani.
Smajl Hoxha, ish-punëtor në Gjermani, sot pensionist, në filmin “SMAJL”. Pikërisht filmi “SMAJL”, me autorë vajzën e tij, Zymryte Hoxha dhe Philipp Majer, na kthehu mbi katër dekada mbrapa në kohë. Në mënyrë sa subjektive, por edhe objektive, filmi me personazh kryesor realist (jo i sajuar) Ismajl Hoxha, bashkë me gruan e tij, Hasimen nga një fshat i Malishevës, një ish-punëtor në Gjermani (uzina Ford), na ofron një karakter mjaft të pasur, shpesh shoqëruar edhe me humor, me të mirat dhe të metat e një njeriu prind që nuk e ka të lehtë të përshtatet në këtë vend (Gjermani) krejtësisht të panjohur më parë. Edhe pse ai erdhi për të blerë vetëm një magnetofon, fati deshi që ai të qëndronte shumë gjatë në këtë vend. Dhe jo pa shkak.
Brezi i shqiptarëve mërgimtarë si “SMAJL”-i, përveç përballjes me kulturën dhe zakonet gjermane, kishin mbi supe edhe situatën mjaft të rëndë që po përjetonte Kosova nga sundimi i regjimit serb në krye me Millosheviqin. Mërgimtarëve si ai do t’u rëndojë shumë malli dhe gjendja e rëndë ekonomike e familjeve të tyre në vendlindje. Të gjitha këto fenomene të përcjella me shumë thjeshtësi dhe mjeshtri artistike në film, sjellin në kujtesën e gjeneratave të reja sakrificën e prindërve apo gjyshërve të tyre për një Kosovë të lirë dhe të paqtë.
Filmi ka në fokus edhe angazhimin e gjithë mërgimtarëve si “SMAJL”-i jo vetëm ekonomik, por edhe politik që bëri të ndërkombëtarizohet çështja e Kosovës, sistemi totalitar i Beogradit ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe rezistenca për liri e një populli të tërë që vuante nga pushtimi serb. Ndaj nuk mungoi edhe formimi i partive politike apo financimi i qeverisë në ekzil dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës derisa Kosova, me ndihmën e pamohueshme dhe vendimtare të SHBA-së, Gjermanisë dhe shumë shteteve të tjera perëndimore, të çlirohej dhe të shpallej republikë e pavarur. U derdh shumë gjak që sot të kemi këtë Kosovë, që aspiron për t’u bërë anëtare e BE-së dhe NATO-s, këtë Kosovë që ka ëndërruar edhe ish-mërgimtarët 40 e ca vjet më parë.
Filmi nuk harron të sjellë edhe fenomene të tjera të kësaj gjenerate. Ata nuk e patën të lehtë t’u përshtaten fëmijëve të tyre “gjermanë” ose t’u përgjigjen standardeve të tyre siç jetonin bashkëmoshatarët e tyre. Përballja mes dy lloj kulturash e traditash nuk mund të kalonte lehtë, madje shpesh me “dhimbje e lot”. Kontraditat mes tyre janë një tjetër pikë e “artë” që ofron filmi, sepse autorja (vajza e Smajlit) është vetë dëshmitare e kësaj përplasjeje. Fundja, “SMAJL”-i dhe bashkëmoshatarët e tij është brezi që mbajti gjallë Kosovën, kontribuoi me gjithçka që pati plot dashuri dhe vetësakrifikim. “SMAJL”-at u munduan të jenë shumë “shqiptarë”, por edhe “gjermanë” aq sa duhej me fëmijët e tyre. Ky kompromis në heshtje mes brezave, në fakt i bënë ata krenarë në rrugën e gjatë të jetës së tyre plot sfida.
Aktivitetin e vajzave dhe të djemve të “URACult e.V.”-it e bëri edhe më të larmishëm pas shfaqjes së filmit, kitaristi i njohur kosovar, Vendim Thaqi nga Gjakova, student në studimet master në Këln. Me mjeshtri dhe shumë elegancë ai interpretoi pjesë nga autorë shumë të njohur botërorë, duke e bërë mbrëmjen edhe më romantike. Nën moderimin e vajzës simpatike Xhevaire Jusufi ky aktivitet u vlerësua shumë nga pjesëmarrësit me duartrokitje të gjata dhe eufori, por edhe përshtypjet ishin mbresëlënëse. Janë disa aktivitete tashmë që “URACult e.V.” i ka ofruar publikut që jeton në Këln dhe në afërsi të tij. Nuk kanë munguar poezitë në shqip, grupet me muzikë shqip, ekspozita me piktorë shqiptarë, të ftuar specialë nga fusha e artit dhe kulturës shqiptare etj. Duhet përmendur edhe fakti se këta të rinj kanë shumë vështirësi për të bërë realitet projektet e tyre, sepse shpesh injorohen nga institucionet tona përkatëse në Kosovë apo Shqipëri. Prandaj ata kanë nevojë për më shumë vëmendje dhe mbështetje financiare, sepse ata janë tashmë edhe ambasadorë të kulturës shqiptare në Gjermani.
Ndaj ne që jetojmë në Këln dhe në landin NRW u jemi mirënjohës këtyre të rinjve që me dëshirën e mirë po na e bëjnë këtë qytet me 1.2 milion banorë, edhe më të këndshëm.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply