Sot krahina e Tepelenës njihet në mbarë vendin si një nga bastionet tradicionale të Partisë Socialiste dhe të së majtës shqiptare. Tepelenasit njihen në mënyrë të përgjithshme si mbështetës të sistemit politik të ndërtuar nga Edi Rama dhe Rilindja e tij, e përfaqësuar në Tepelenë nga Tërmet Peçi.
Por çfarë ka fituar Tepelena nga viti 2011 deri më sot nga kjo lloj qeverisjeje lokale?
Sipas statistikave zyrtare, rreth 1/4 e popullsisë ka rënë, shifra që nënkuptojnë një rënie reale edhe më të madhe. Njerëzit jo vetëm që vazhdojnë të emigrojnë në mënyrë dërrmuese jashtë vendit, por vazhdojnë ta braktisin Tepelenën edhe për qytete të tjera shqiptare. Shërbimet janë praktikisht inekzistente.
Unë, si një i ri tepelenas i lindur dhe i rritur jashtë, nuk kam pasur ndonjë lidhje reale territoriale, por kam mbajtur gjallë atë lidhje shpirtërore që më lidh me fshatin dhe krahinën time.
Tepelena nuk është komuniste. Dhe, mbi të gjitha, Tepelena nuk është e Tërmet Peçit.
Pikërisht sepse po flas për Tepelenën, dua të rikujtoj figurën e shquar të Ismet Totos nga Progonati. Toto propozonte një Shqipëri të qeverisur nga një “aristokraci shpirtërore”.
Domethënë, jo një aristokraci të mbajtur gjallë nga trashëgimia fizike e gjakut, por nga më të mirët, më të përgatiturit. Në greqishten e lashtë, aristokraci nënkupton qeverisjen e më të mirëve. Në Shqipëri e në Tepelenë nuk kemi një aristokraci, por një oligarki: jo qeverisjen e më të mirëve, por të të paktëve.
Tepelena nuk mbahet gjallë me atë që romakët e quanin “panem et circenses”, domethënë bukë dhe cirk. Tepelena ka nevojë për shërbime, për investime, për ringjallje kulturore, jo vetëm për koncerte dhe video të Vjosës të hedhura në profilin e Instagramit të ministres Kumbaro.
Tepelena ka plot aristokratë të shpirtit. Njerëz me vlera, me parime dhe me përgatitje. Disa prej tyre ndoshta as nuk janë të djathtë. Por sot ndarja shkon përtej përkatësisë ideologjike apo biografisë së secilit.
Qeveria e Edi Ramës rrëzohet pikërisht aty ku mbështetja ndaj tij duket e palëkundur.
Sot Tepelena është qyteti i shtëpive të braktisura, i shkollave të mbyllura, i shkretëtirës që nga bota fizike depërton deri në zemrën e banuesit, i shërbimeve fiktive.
Tepelena nuk ka nevojë për video, fotografi dhe, mbi të gjitha, nuk ka nevojë për Kumbaron dhe Peçin.
Lufta e tepelenasit është luftë mbijetese, luftë për të ardhmen. Sepse e ardhmja nuk trashëgohet, por zgjidhet.
Sot beteja është për t’i siguruar Tepelenës pasardhës dhe vazhdimësi.
Tepelena duhet të rindërtohet jo nga gangsterët, por nga aristokratët në shpirt dhe në zemër.
Tepelena nuk e meriton fatin që ka sot.
Burimi/Facebook


Leave a Reply