
Vizita e saj në Tiranë përkon me një kulm të ri skandalesh që kanë tronditur vendin.
Edhe pse nuk arriti ta përshkojë rrugën Rinas–Tiranë me trenin që do ta përuronte bashkë me Ramën që në 2024, propaganda u kujdes që ardhjes së saj t’i paraprinte lajmi se për Shqipërinë do të hartohej një udhërrëfyes i posaçëm për anëtarësimin në BE.
Në vitin 2018, paraardhësi i von der Lejen, Zhan Klod Junker, paraqiti një udhërrëfyes për Malin e Zi dhe Serbinë, që parashikonte mundësinë e anëtarësimit të tyre në BE deri në 2025. Sot, në fund të 2026, Mali i Zi ende nuk është vend anëtar, ndërsa Serbia është më larg BE se sa ishte në 2018. Presidentja von der Lejen po e përsërit të njëjtin skenar, duke ofruar data orientuese për anëtarësimin e Malit të Zi, Shqipërisë, Ukrainës dhe Moldavisë. Këto data nuk kanë asnjë efekt automatik. Përkundrazi, ato bien paradoksalisht ndesh me gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria.
Një hartë rruge për një qeverisje të kapur nga krimi i organizuar mbetet një dokument dëshiror, pa vlerë të mirëfilltë. Ajo nuk do mund të shërbejë as si certifikatë pastërtie dhe as pafajësie për kryeministrin Rama.
Në thelb, von der Lejen po propozon një paketë ndryshimesh, e cila do të diskutohet nga shtetet anëtare në Këshillin Evropian të tetorit dhe të dhjetorit.
E para, vendeve kandidate do t’u ofrohet qasje në tregun evropian, por me KUSHTE të reja strategjike. Kandidatët duhet t’u nënshtrohen kontrollit të investimeve të huaja, kontrollit të eksporteve, zbatimit të sanksioneve dhe mbrojtjes së teknologjisë në fushat kritike. Brukseli do të vlerësojë përafrimin strategjik, varësitë kritike dhe aftësinë e vendit për të mbrojtur infrastrukturën dhe zinxhirët e furnizimit. Kush i plotëson këto kushte, do të ketë qasje në treg. Përndryshe, qasja do të jetë e kufizuar.
E dyta, anëtarësimi i vendeve të reja do të shoqërohet me KUSHTE dhe NDËSHKIME të ashpra në rast prapësimi demokratik. Fondet evropiane mund të pezullohen edhe pas anëtarësimit, nëse problemet me sundimin e ligjit rrezikojnë buxhetin e BE-së. Vendet kandidate do të detyrohen t’i bashkohen Prokurorisë Publike Evropiane para anëtarësimit. E drejta e votës mund të pezullohet me shumicë të cilësuar për shkelje të rënda të vlerave themelore, ndërsa vetoja e anëtarëve të rinj do të kufizohet për një periudhë kohore.
Këto masa janë shprehje e një mosbesimi të thellë, dhe jo e entuziazmit për “progres mbresëlënës”, siç e tha nëpër dhëmbë zonja von der Lejen.
Evropa kërkon siguri në teknologji, energji dhe infrastrukturë, aty ku rreziku është më i madh. Vështirë se gjen një kontrast më të thellë mes asaj që kërkon Brukseli dhe asaj që ofron sot qeveria shqiptare. Skandalet më të rënda të këtyre muajve nuk kanë ndodhur në ndonje sektor periferik, por në AKSHI dhe në shërbimin informativ, dy institucionet që duhet të ruanin të dhënat dhe sekretet e vendit.
Megjithatë, të gjitha këto janë propozime të Komisionit. Fjalën e fundit do ta kenë shtetet anëtare, në Këshillin Evropian. Samiti i 15 tetorit dhe ai i dhjetorit do të tregojnë sa larg janë gati të shkojnë liderët evropianë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply