O zot, çfarë vajtimi e çfarë turpi për këtë tokë të larë me lot e me gjak! Shikoini se si fërkojnë duart e se si qeshin nën hundë! Sot na nxjerrin parulla të bukura, na flasin me fraza të mbledhura prej librave të Evropës për “garanci procedurale”, për “rreziqe konkrete, aktuale e të provuara”, e për “respektim të të drejtave”!
O çfarë hipokrizie e zezë! Çfarë teatri makabër mbi kurrizin e këtij populli të lodhur!
Ku ishin këto “garanci” e këto “rreziqe të provuara” kur prindërit e këtij vendi tërhiqeshin zvarrë për një faturë dritash?! Ku ishte ky “humanizëm” i tyri kur fshatari e qytetari i pambrojtur kalbej në qeli për një gardh a për një protestë, ndërsa fëmijët i qanin te dera e shtëpisë?! Atëherë nuk pyesnin për “drama familjare”, atëherë e kishin gati parullën e egër: “Në burg! Në arrest! T’i tregojmë dhëmbët popullit!”
E sot? Sot që drejtësia nisi t’u trokasë te dyert e blinduara të pallateve të tyre të vjedhura, papritur u zbutën! Papritur u kujtuan për Këshillin e Europës, u kujtuan për “extrema ratio”, u kujtuan se burgu na qenka barbarizëm! Sot po shkruajnë ligje me duart e tyre të ndotura për t’i ikur qelisë, duke e kthyer lirinë në një mall pazar me “garanci pasurore”! I forti e i korruptuari e ble lirinë me paratë që ia ka zhvatur këtij populli, ndërsa fukarai paguan me mish, me gjak e me jetë!
A ka vajtim më të madh se ky? A ka dënesë më të thellë se ta shohësh shtetin të kthehet në nënkresë të butë për pushtetarin e në shkop të egër për fukaranë?!
Kjo nuk është më drejtësi, ky është ekzekutimi i fundit i besimit të një kombi! Nëse sot nuhatet kjo pabarazi e nuk çohemi të gjithë me një zë për t’i treguar vendin këtij mjerimi moral, e nesërmja do të na gjejë të gjithëve të skllavëruar në shtëpinë tonë!
Burimi/Facebook


Leave a Reply