Mbi 1 mijë shtetas të huaj janë evidentuar si të dyshuar për vepra penale në Shqipëri gjatë vitit 2024, duke shënuar një rritje shumë më të shpejtë se kriminaliteti i përgjithshëm.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të huajve të dyshuar arriti në 1,020 persona në vitin 2024, nga 737 në 2023 dhe 589 në 2022. Kjo përbën një rritje prej 38.4% në një vit dhe 73.2% në dy vite.
Në të njëjtën kohë, numri i përgjithshëm i personave të dyshuar për vepra penale u rrit vetëm me 1.4% në 2024, duke arritur në 40,057 persona. Për pasojë, pesha e shtetasve të huaj në total u rrit nga 1.5% në 2022, në 2.5% në 2024.
Mes kategorive ku janë evidentuar më shumë të huaj të dyshuar janë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, me 132 persona, krimet në fushën e drogës me 110, shfrytëzimi i prostitucionit me 59, mashtrimet me 53, vjedhjet me 43 dhe krimet kibernetike me 35 persona.
Rritje është shënuar edhe në rastet e pastrimit të parave dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Sipas INSTAT, shtimi i numrit të të huajve të përfshirë në statistikat e kriminalitetit vjen në një periudhë kur është rritur ndjeshëm edhe prania e shtetasve të huaj në Shqipëri. Në fund të vitit 2024, vendi kishte 21,940 shtetas të huaj me leje qëndrimi, ndërsa gjatë vitit u regjistruan rreth 11.7 milionë hyrje të shtetasve të huaj në kufi.
Megjithatë, shtetasit e huaj përbëjnë ende një pjesë të vogël të totalit të personave të dyshuar për vepra penale në Shqipëri.
Burimi/Facebook/portaliveriusot


Leave a Reply