
Amela Temja
Mirupafshim Shqipëri, faleminderit për çdo gjë që më dhe
“Një ardhme më e mirë na pret, po e lëmë këtë vend sepse nuk na solli , nuk na e dha atë që donim. Jashtë këtij vendi ne mund të gjejmë mënyrat për të shfaqur veten e për të bërë progres.”
Kjo fjali , kjo shprehje. Sa herë e dëgjuar dhe e thënë nga miqtë tanë ndërsa po diplomoheshim në vitin e fundit të gjimnazit , të universitetit. Disa fjalë të thëna lehtë ndërsa në gëzimin dhe euforinë e momentit për herë të fundit përqafojmë të dashurit tanë. Para se ti’a japim lamtumirën dhe asaj toke themi “ Mirupafshim Shqipëri , faleminderit për cdo gjë që më dhe.” E duam një flamur e duam një gjuhë, kemi një komb e një fe. Fjalë e vjersha e poezi që mësonim që në hapat e para të marrjes së dijes në istitucionet arsimore. Ndërsa sot ia kthejmë shpinën. Të heshtur , po aq sa në faj kerkojmë rrugë për sukses në jetët tona. Të gatshëm plot guxim për të marrë përsipër çdo fjalë, çdo veprim, çdo dhimbje, pengesë e sfidë. Atje jashtë ku me mision personal më shumë sesa kombëtar e përfaqeson atdheun tënd. Rini që rritet që në hapat e para të fëmijërisë me frymën për të bërë sukses jashtë atyre trevave, me patriotizëm të madh për të dashur atdheun por me mundesinë e parë që iu jepet ta lënë atë.
Sot 18 vjeçe në fluturimin e parë ndërkombëtar niset për një jetë të re, e vetme. Rrethuar me plot bashkëmoshatarë që në atë aeroport tërheqin valixhet e tyre. Nuk është as ëndërr , as lumturi , as një fluturim për pushime verore në plazhet e bukura të Mesdheut apo në muzeumet e kështjellat e qyteteve perëndimore. Është një vendim që ka ndryshuar rrjedha jetësh , një drejtim tashmë i dhënë së ardhmes.
Të hedhur tutje atje larg , një vend i panjohur. Marrim guximin për të bërë çdo gjë vetë ama heqim dorë për të ndryshuar atë që lamë gabim. Atë që gjetëm gabim atë që do e gjejnë të tillë. Na mësuan, do ua mesojmë dhe në brezave të ardhshëm se shqiptarët nuk bëjnë hajr, ama dimë të punojmë si qentë atje në rrugët e Zvicrës, Turqisë , Greqisë e çdo vend tjetër të mundshëm ku ka depërtuar. Nesër kur ne të bëhemi për të edukuar një qenie të sapoardhur në jetë do ua mësojmë ta duan Shqipërinë mëmë por ta duan nga larg dhe të lobojnë për të në arenat ndërkombëtare, do ua mësojmë të presin për ndryshim por ndryshimin nuk do e bëjnë ata se e ardhmja e mirë është jashtë trevave të Shqipërisë. Do të mblidhemi në festat e nëntorit e do vishemi kuq e zi , do pimë e do hamë për të shtrenjtën Shqipëri, për liri e pavarësi. Një natë do bëhemi të gjithë patriotë e do kujtojmë qindra vite gjak të derdhur për ata treva. Por nesër do zgjohemi prapë në atë vend të huaj e Shqipëria ka për të qenë një fotografi e natës së djeshme. Do mësojmë fëmijëve tanë si të bëjnë shqiponjën me dy duar e të këndojnë këngën e ‘’Xhamadanit vija vija “, në ndeshjet e futbollit do mburremi duke thënë se jemi shqiptare e krenare, në publikimin e njohjet e njerëzve të famshëm të artit e fushave të tjera do ngremë kokën lart duke rrahur gjoksin se janë tanët.
Do punojmë duke mbytur veten 11 muaj të vitit në çdo zyrë, në çdo kantier ndërtimi, në çdo qoshe të fabrikave, në çdo shtëpi e më pas do marrim rrugën për tek e shtrenjta Shqipëri. Atje nuk do jemi njëlloj se atje na e shpif Shqipëria me rrugë të paasfaltuar, me plehra të hedhura në çdo vend, me trafik të ngarkuar e me plazhe të pista. Nuk do na dhimbsen taksat e qiratë e paguar në mijëra euro e dollarë gjatë 11 muajve por do na dhimben pesë mijë lekë që do harxhojmë në një blerjë, sepse në vendet tona të lindjes çmimet janë të shtrenjta. Të huajve do u themi që në tokat tona ka pasuri të çmueshme, bukuri natyrore e kulturore por ne kur ti shohim e ti vizitojmë do nxjerrim bishta e fjalë stërthënë fjale se sa më parë të jetë e mundur të shkojnë përseri në vendet ku jetojnë atje jashtë se në Shqipëri njerezit kurrë nuk do bëhen njerëz, se ajo qeveri është e kotë e padobishme, do shajmë e nervozohemi në trafiqet e renduara por nuk hezitojmë të thyejmë rregullat e t’i japim një pesëqind lekë policit në dorë, do kalojmë në rrugë e grumbullin e plehrave do e bëjmë akoma më tëmadh vetë, se plehrat po në të njejtin vend do shkojnë. Por do ulemi në tavolinë e me miqtë tanë që jetojnë si të mjerë, meqë fati nuk ua dha atë mundesi për rregulluar jetën jashtë shtetit ose nuk ishin aq te guximshëm sa ne do flasim për situatën jashtë e brenda. Themi së në rrugët e Zvicrës, Anglisë e Francës nuk ka plehra të hedhura, se atje po nuk respektove rregullat do gjobitesh, se atje ka kulturë e shtet e rregulla. Kur miqtë tanë e të afërmit të ankohen për punët e tyre e rrogat e ulëta do fillojmë të shajmë qeverinë. Një qeveri që as nuk e ndjekim për çka bën gjatë gjithë vitit , e as nuk ishim vendimtarë aty për ta zgjedhur, ama nuk do humbasim rastin të bëjmë dhe ekspertët në fushën e politikës sepse jemi shqiptarë apo jo?!
Në fund të muajit do ikim prapë në emigrim, sepse atëherë ikin gjithë emigrantët , e miqve tanë të huaj do ua themi sa u kënaqëm e sa bukur shkoi çdo gjë. Krenarë për nënën Shqipëri. Çfarë paradoksi apo jo?! Paradoksin e lënë dhe mrapa, të njejtët të ngulitur në kokat e mendjet e atyre që nuk kaluan trevat.
Po pse more shqiptarë të bekuar, duke qëndruar në kafene e duke bërë reforma me të thënë do ndryshohet vendi ?! Pse fajësojmë një qeveri e nxjerrë nga radhët tona, pse vazhdojmë akoma të shajmë duke nxjerrë në pah mungesën e kultures kur jemi vetë të pakulturuar. A nuk jemi vallë po të njejtët shqiptarë si brenda e jashtë vendit?! Presim të bëhën ndryshime por nuk vendosim dorën në zjarr të bëjmë vetë atë ndryshim, shajmë kryeminstrin e deputetët por janë deputetët që vetë ua dhamë votën. Iu dhamë apo ua shitem, pak ka rëndësi termi se nuk na interesoi fort kjo kur në ditën e votimit morëm para në duar apo gjëra të tjera. Nuk e morëm parasysh se do mbaronte muaji e se zgjedhjet nuk do bëheshin përsëri pas katër javëve. Po atyre që ua dhamë pushtetin me duart tona do i shajmë hajdutë e kriminelë, se nuk po ndjekin ligjet e nuk po i respektojnë. Por kur ne të jemi në nxitim do kalojmë në dritat e kuqe të semaforeve, do paguajmë nën dorë për të marrë çertifikatën se nuk do duam të presim në radhë. Do hedhim mbeturinat në tokë se nuk ka kosha plehrash se edhe për këtë ka fajin qeveria, nuk do pranojmë çdo lloj pune, do mbarojmë fakultetet e juridikut e ekonomik por do punojmë në fabrika e restorante, kamariere se qeveria nuk po hap vende pune. Do ulemi në kafene gjithë ditën e do ankohemi për ndryshim por kur të na thërrasin për të ndryshuar nuk do e hedhim atë hap. Se ne jemi popull frikacak e dembel e jo ai popull trim siç jemi per 28 nëntor e për ndeshje kombëtare. E dimë nuk është e lehte ashtu si në gjykime për këtë shkrim ashtu dhe për realitetin, ama e vërteta aq lehtë nuk mund të fshihet dhe e verteta është kjo sado e veshtirë të jetë për ta pranuar.
Asgja nuk ka për të ndryshuar nëse atë gjë më të vërtetë nuk e kemi brenda nesh. Askush nuk ka për të na kapur për dore e të na drejtojë të koshi i plehrave, as për të na mbajtur me polic në radhët e administratave e as në semaforët me drita të kuqe. Keto janë pak për të thënë. Ata gjimnazistë e studentë të dalur nga radhët e universiteteve duhet të ushqehen me ëndrrat për tu kthyer edhe nëse dalin e jashtë e ata që mbeten brenda të hedhin bazat e ndryshimit jo të bëhen ekspertë në ankime. Askush nuk ka për ta bërë me shkop magjik nga lart. Dikush duhet të hedh hapin. Brezi duhet rritur e edukuar. Nëse neve na u ba nje “padrejtësi “ mos tua transmetojmë të tjerëve.
Ashtu si Hasan Prishtina tha “Na luftojmë e ndoshta nuk gëzojmë, por ata që vinë mbas nesh kanë me i gjet shenjat tona”.
Autorja është studente në Fakultetin Shkenca politike dhe Administrim publik, në Universitetin Sakarya, Turqi
http://portalb.mk


Leave a Reply