Gjuha Sadulla Zendeli Daja gjatë 30 viteve qëndrim në Suedi ka ngritur shkollën e parë shqipe, ka qenë veprimtar për çështjen shqiptare dhe ka hartuar dy fjalorë vëllimorë suedisht – shqip.
Ai ka dëshirë ta thërrasësh “Daja”, madje shumica e njerëzve e njohin me këtë emër. Por pavarësisht “pseudonimit”, i cili e bën të ndihet ca më i madh në moshë, ai kërkon të jetë gjithnjë i ri, madje këtë ia thotë gjithnjë vetes para pasqyrës. Prej më shumë se 30 vjetësh, Sadulla Zendeli Daja jeton në Suedi dhe pa frikë mund të thuash se është shqiptari më i njohur atje. I ndodhur në Tiranë për Panairin e Librit “Tirana 2003”, Zendeli pranon të bëjë të njohur për publikun shqiptar, aktivitetin e tij në vendin e largët dhe projektet më të afërta. Daja është themeluesi i të pares shkollë shqipe në Suedi dhe hartuesi i dy fjalorëve suedisht-shqip. Ndonëse atje jetojnë më shumë se 40 mijë shqiptarë, askujt më parë nuk i kishte shkuar ndër mend të hartonte një fjalor dygjuhësh, i cili do të sillte një ndihmë të ndërsjelltë, si për emigrantët, ashtu edhe për vendasit, sidomos studiuesit dhe albanologët. Kështu në vitin 1994, Sadulla Zendeli, harton të parin fjalor suedisht-shqip, me një volum prej 17 mijë fjalësh, përzgjedhur prej një fondi të përbërë nga 23 mijë fjalë.
Sipas tij, realizimi i këtij fjalori u bë i mundur nëpërmjet sponsorizimit të shtetit suedez, në veçanti të Entit për Shkollimin e Suedisë, pranë Ministrisë së Kulturës. Duke qenë i vetmi hartues, Daja tregon se i është dashur të punojë për një periudhe kohore 4-vjeçare, ndërkohë që nuk mund të mohojë edhe ndihmën që i kanë dhënë albanologu suedez Ulmar Qvick dhe redaktorja Zvetllana Mihali. Momentalisht ai është duke përfunduar fjalorin e dytë suedisht-shqip, por këtë here bëhet fjalë për një volum më të madh fjalësh. “Ky fjalor do të dalë prej botimit në muajin dhjetor. Ai do të ketë 28 500 fjalë, të përzgjedhura prej një fondi me 54 mijë fjalë. Çdo fjalë është dhënë e plotë në rrafshin kuptimor, sinonimik, antonimik, etj”, – shpjegon Daja, duke shtuar se ky botim gjithashtu do të jetë i pajisur edhe me 33 faqe ku janë paraqitur fotografi tematike nga fusha të ndryshme të jetës, si familja, kuzhina, orenditë, shëndeti, arsimimi, etj. për të gjithë ata që do të marrin në duar këtë botim, në një përbledhje të shkurtër do të përshkruhet historia e gjuhës shqipe, si dhe një informacion mbi dialektet e saj. Ky fjalor do të botohet edhe në Shqipëri nga Shtëpia Botuese “Toena”, duke u ardhur në ndihmë studiuesve shqiptarë.
Ishte 5 marsi i vitit 1975, kur Sadulla Zendeli Daja, hapi të parën shkollë shqipe në qytetin Nybro, në krahinën e Smolandit të Suedisë. Nxënësit e pare numëroheshin vetëm 12, ndërsa sot, ata mund të jenë 15-18 mijë. “Para vitit 1975, nxënësit shqiptarë shkolloheshin në shkollat serbe, edhe pse ata mund të mos dinin asnjë fjalë serbisht. Mu duk e udhës që të bëja diçka për bashkëkombasit e mi, kështu që vendosa të hap një shkollë shqipe. Por më parë ngre një komision, i cili provoi domosdoshmërinë e ngritjes së kësaj shkolle, duke testuar nxënësit që mësonin në shkollat serbe”, – tregon Daja, duke shtuar se vetëm pasi u pa që një numër i madh fëmijësh flisnin shqip, u lejua hapja e shkollës. Tashmë që kanë kaluar gati 30 vjet që atëherë, numri i shkollave shqipe, është shtuar shumë. Sipas Dajës, thuajse çdo krahinë suedeze, ka nga një shkollë shqipe. “Kur u hap shkolla, unë isha i vetëm ndërsa tani, në të gjithë Suedinë numërohen 400 arsimtarë, që japin mësim në shkollat shqipe dhe që paguhen nga shteti suedez”, – tregon ai. Tepër i apasionuar pas mësimdhënies, Daja ka hartuar edhe një gramatikë për gjuhën shqipe, e cila u shërben nxënësve, duke filluar që nga klasa e parë në të nëntën, si dhe një fletore pune të titulluar “Gjuha jonë”, për fëmijët parashkollorë, deri në klasën e tretë.
Ndonëse regjimi i egër i Rankoviçit vuante grahmat e fundit, situata në Kosovë, ishte ende tepër e tensionuar. Gostivarasit i duhej të zgjidhte mes bashkëpunimit me regjimin, kundër bashkëkombasve të vet, ose të largohej. Nga mesi i viteve ’60, Sadulla Zendeli, punonte si llogaritar në kompaninë hekurudhore të Gostivarit dhe duke qenë në një pozicion të tillë, nuk e kishte të vështirë të merrte trenin e të shkonte ku të donte. “Preva një biletë, mora trenin dhe arrita në Upsala, një qytet i madh studentor. Sapo u vendosa aty, nisa t’i futem studimeve. Fillova studimet për filozofi dhe më pas u specializova në degën e bibliotekave”, – tregon Daja, i cili për rreth 8 vjet ka qenë drejtor biblioteke. “Fillimisht mendova të mos merrem me politikë, por më pas kam punuar për çështjen Shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni”, – thotë ai, duke treguar se për 28 vjet rresht ka qenë një nga aktivistët dhe organizatorët kryesorë të demostratave paqësore në Suedi.
Për më shumë se 20 vjet, emri i tij ishte në listën e zezë dhe ishte e pamundur që ai të kthehej në vendin e lindjes. Por edhe në Suedi nuk ishte më tepër i sigurtë. Ai tregon se agjentura e UDB-së, atje ishte edhe më e sofistikuar dhe e keqja mund të vinte në çdo moment. “Për shkak të veprimtarisë sime, në çdo moment ndihesha i rrezikuar dhe nën shënjestër, kështu që më duhej të tregohesha shumë i kujdesshëm në çdo veprim timin”, – thotë ai. Vetëm në vitin 2000, pas luftës, ai ka mundur të shkelë në Kosovë. “Kthehesha nga Suedia dhe që larg m’u shfaq Kosova. Ishte një moment tepër emocionues dhe nuk mund t’i mbaja lotët”, – shprehet kosovari, ndërsa sytë i lëngëzohen edhe këtë çast kur kujton zbritjen me makinë në Qafën e Qarrit ndërsa radio e makinës transmetonte informacion nga Radio “Kosova e Lirë”. Tani që gjendja në Kosovë është normale, ai ka mundësi ta vizitojë më shpesh atdheun e tij. “Në shtëpi kam një biblotekë të pasur me rreth 5 mijë tituj, e cila ka kushtuar mbi 300 mijë korona. Dëshira ime është që ta dhuroj në Kosovë, ose Tiranë, për të shërbyer sado pak me këtë pasuri që unë disponoj”.
Burimi – Facebook (Shqiptaret ne Skandinavi)


Leave a Reply