Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar në një darkë joformale, kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi i cili po mbahet në Bruksel sipas zyrës së zonjës Mogherini synon të shqyrtojë përparimin në zbatimin e marrëveshjeve dhe vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook thotë se Kosova është e barabartë në këtë proces dhe do të kërkojë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura. “Ne kemi dorëzuar në Bashkimin Evropian një raport lidhur me zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe presim nga Bashkimi Evropian të na mbështesë për krijimin e parakushteve për zbatimin e marrëveshjeve, ashtu siç janë nënshkruar”, thuhet në njoftimin e kryeministrit Mustafa duke nënvizuar se me procesin e bisedimeve në Bruksel, Kosova synon të përmbyllë problemet me të cilat përballet që prej përfundimit të luftës dhe të hapë perspektivën e saj zhvillimore dhe integruese.
Kosova e Serbia janë përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane.
Më 25 gusht Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këto marrëveshje çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ku opozita thotë se është e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply