Reportazh (2) / Në Ohër, qytetin e dritës
Nga Pëllumb Gorica
Para syve shtrihej panorama piktoreske e Ohrit. Sa shumë tregon ajo, të pushton një kënaqësi dhe, ndoshta, pse është e tillë, e ndjen thellë.Shpirti gdhend në emocione magjinë e bukurive të tilla, që janë vërtet kënaqësi dhe më tepër. Një raport emocional me të panjohurën e peizazhit të mrekullueshëm, të liqenit, që të shfaqet më befasues para syve, teksa e sodit me një vëmendje ngulmuese. Ai përhap pasqyrime të shkëlqyeshme drite mbi gjithçka, rrugët, pemët, ndërtimet, njerëzit. Pëshpëritjet e valëve, si ajo e të dashuruarve, me hijezimin e ngjyrës çlodhëse të tij, bashkë me retë që kalërojnë qiellit blu, atë përplasjen gjithë finesë të krahëve pulëbardha me aromën e vjeshtës, të mbushin deri në plotësi. Patjetër ndjehesh vërtet i gëzuar, ashtu si qindra e mijëra vizitorë, të cilët duan të fusin brenda vetes sa më shumë lumturi me këto peizazhe. Ngjyra blu e ujit, koloritet e purpurt dhe të shton dëshirën të përjetosh çaste vozitje me katamaran, nën lëkundjen e valëve, që era e lehtë i llokoçit bregut.

Të përhumbur në bukuritë që shfaqen nuk e ndjejmë orët që kalojnë, dhe emocionet të shtohen vazhdimisht. Endur me dëshirën për ta soditur qytetin, syri të rrok rrëke turistësh, aty ku gjenden me shumicë botikë, restorante, kafene. Në faqet e dy kodrave të Ohrit, rrugicat janë me dhjetëra e vargu i shtëpive po i tillë, të ndërtuara në brinjë, të njëra – tjetrës, si një krah i hedhur sup mbi sup. Dielli përplasej në shtëpitë e bardha plot dritë, duke shpërndarë ngrohtësi. Qyteti i shtrirë më poshtë me ndërtime moderne, e rreshta ndërtesash të restauruara, ndërthuret me dekorin e gjelbëruar. Kishat, që janë të shumta, të ndërtuara dhe të gdhendura nga mjeshtërit voskopojarë, të lënë përshtypje me përsosmërinë arkitekturore. Si një admirues i artit, arkitekturës, natyrës dhe së bukurës humbet mes tyre. Nëpër komplekse ndërtesash interesante, të përqendruara me një densitet të madh, në të dyja anët e tyre gëlojnë lloj-lloj dyqanesh me suvenire dhe ormanente të ndryshme, të cilat ravijëzojnë bukurinë dhe arkitekturën e qytetit. Fryte të mendjes dhe punës njerëzore janë edhe restorantet e gatimeve tradicionale, që ndër shqiptarët ishte më e theksuar. Gjëja e parë që të bie në sy është rregulli, pastërtia, kultura. Në një nga lagjet e vjetra, Çinari, ku banojnë shqiptarët, të tërheq vëmendjen një rrap shumëvjeçar me trung të trashë e kurorë të madhe gjelbërimi. Jo shumë larg tij një pazar tradicional i një zejtarie autentike, gumëzhinte nga turistët. Më tutje statujat e shenjtorëve mbushin sheshet dhe parqet e qytetit me dimensione të ndryshme e mbishkrime cirilike. Një tendencë e qëllimshme kjo, që të zmadhojnë historinë e tyre sllavo-maqedonase. Në majë të njërës nga kodrat dominon kalaja e Samoilit, e cila është pjesa tjetër, që i shton pamjen mahnitëse qytetit. Një rrugicë dredha – dredha, e shtruar me kalldrëm, dhe që gjarpëronte kodrës të shpinte atje. I josh vizitorët ajo, me muret e larta dhe kur i prek ato, padashur futesh në labirintet e ngjarjeve antike aq të padeshifruara. Koha, kjo shkatërrimtare e madhe ka mbuluar me pluhurin e harresës lashtësinë e saj dhe histori të largëta, e aq më shumë të pathënat, e të vërtetat. Ajo i përket shekullit të IV (prk), por restaurimi, tashmë me ndjesinë e krijimit të madhështisë pushtuese, të shfaqet sikur është ndërtuar edhe njëherë nga e para me një veshje të papërshtatshme. Historia shumë herë ndodh nga shndërrimi i një vendi nga situata e dëshmi të kësaj qenësie, nga gurët, mënyra e ndërtimit të tyre. Ecim territorit të saj, aty ku koha, ngjarjet, luftërat, jeta kanë lënë gjurmë dhe që evokojnë histori. Kujtesa e ngjarjeve të ngacmon mendimet, dhe përfytyrimet gjejnë ca udhë të largëta. Vijnë ato nga thellësia e shekujve me zëra që tingëllojnë në vringëllimat e shpatave, rëndesat e parzmoreve e shkëlqimin e stemave. Furia e erërave të ftohta trazonin valët e bregu të kaltër, por heshtja e gjatë e shkrinte dëborën e pastër. Të duket se këtu takon Aleksandërin e Madh, të birin e princeshës epiriote, Olimbinë, Mbretin ilir, Bardhylin me vështrimin krenar, diku tutje, mbi liqen, dhe luftëtarët ilirë, që me flakë drite ndriçonin fortesën e enkelejëve. E tretim shikimin në liqen dhe malet rrotull tij, prej frëngjive dhe kullave katrore. Malit të lartë të Galiçicës i dallon qartë jo vetëm konturet, por edhe gjelbërimin e thellë. Re të bardha si copëza çarçafësh shpoheshin nga rrezet depërtuese të diellit, që shkëlqenin në liqen. Nën këtë prarim, kjo pamje magjepse të bënte më romantik se ç’duhet.

* * *
Një udhëtim i bukur lë mbresa kur përballesh me natyrën e gjallë. Një nga bukuritë e këtij udhëtimi është Shën Nauni. Sigurisht, nuk mund të largohemi pa marrë me vete edhe përshtypjet e vizitës atje. Në shpirt e ndjejmë gëzimin e këtij udhëtimi, drejt tij, tek ndjekim gjarpërimet e rrugës me sytë e ngulur peizazheve pas çdo kthese. Rrugëtojmë nëpër pyje të dendura, me peizazhe të thyera, por të bukura, të cilat fshehin mrekullisht ndërtimet rrëzë shpateve, që varen ashpërsisht buzë liqenit. I sodit pamjet me dëshirën të fiksojmë të veçantat mikpritëse. Era luante me majat e larta të pemëve. Të freskon magjia e saj që fryn lehtë, magji vjeshte, e këndshme. Pas kilometrash të pyllëzuara, nën shkëlqimin e rrezeve të diellit në perëndim, Shën Nauni, buzë liqenit në një kodrinë, i rrethuar nga uji e gjelbërimi dhe objekte adhurimi e pelegrinazhi për mijëra vizitorë, të shfaqet si pleksje midis ëndrrës dhe reales. Shën Nauni është një manastir i pagëzuar me emrin e teologut të ditur, Naunit, i cili kishte shërbyer këtu. Me godina të ç’ngjyrosura nga koha, në muret e pikturuara zbukurimet e ndryshme kishtare, të zverdhura, shenjtorët e kupolat e dekoruara me motive engjëllore kanë një pamje tërheqëse, ku shpirti të humbet në mistikën e tyre. Ndaj, kushdo që vjen këtu e nderon këtë vend të shenjte, një perlë që dora arkitekte e Zotit e ka krijuar kaq mjeshtërisht dhe kaq hyjnore. E kaluara edhe këtu ka lënë gjurmë. Ai dikur ishte territori ynë, i dhuruar fatkeqësisht nga mbreti Zog, Jugosllavisë si kompensim nderesh kur erdhi në pushtet. Ecim dhe bisedojmë, duke u bërë shijues të një mrekullie të veçantë, me vështrim të kthjellët në horizontin e përflakur nga retë e ndezura, dhe diellin që lëshonte reflekse mbi valët. Një fllad i lehtë valët i përplaste në breg të liqenit e të shpupuriste flokët. Uji i ftohtë dhe gjarpërues, që gurgullonte nga thellësitë e lartësive të vargmalit kishte interesante një dukuri, që të jepte të tjera emocione. Pranë një ure druri, adhuruesit praktikonin ritin e hedhjes së monedhave në ujë, të cilat qëndronin aty e shkëlqenin nga rrjedha e pastër e tij. Sipas një legjende, një bari i vogël nga Shën Nauni punonte në liqenet e Prespës tek një prift. Liqenet e Prespës kanë lidhje nëntokësore ujërash, të cilat ushqejnë liqenin e Ohrit. Bariu, ndërmjet këtyre ujërave u dërgonte familjes së tij të varfër çdo javë nga një qengj, të cilin e fuste në një thes, dhe ata e prisnin aty në Shën Naun. Një ditë prifti dyshon dhe e pyet pse po pakësohet bagëtia? Bariu i përgjigjet, ndoshta i sulmojnë kafshët e egra në mal. Prifti e ruan dhe e sheh veprimin e dërgimit të qengjit në ujërat nëntokësorë të Prespës. Kur vjen java tjetër, ai e vret bariun dhe e fut në thes trupin e tij në vend të qengjit, duke e hedhur në ujërat nëntokësor. Të afërmit e djalit në vend të prisnin qengjin gjetën trupin e djalit. Që nga ajo kohë ky vend ka mbetur i shenjtë e njerëzia hedhin monedha në kujtim të bariut. Heshtim për pak çaste për të kërkuar fjalët që ndjejmë pas rrëfimit të kësaj legjende nga bashkudhëtari ynë, Zamiri. Pemët e larta, uji i gjelbër, që reflektohet në sfondin plot dritë të dhurojnë një ndjenjë qetësie dhe kjo të bën të mendoje se po jeton një përrallë. Është kaq bukur sa mbetesh pa fjalë. Por, kënaqësisë i shtohen edhe spektaklet e mrekullueshme të fazanëve dhe mjellmave, aty ku uji formonte disa liqene të vegjël, që gurgullimën e kristal-artë, e vijonin qetësisht në liqen.

* * *
Përsëri në udhë, po tani të kthimit. Vështrimin herë pas here e rikthejmë mbi tokën që lamë pas. Dielli, në mes reve të bardha, perëndon i zhytur në horizont pas maleve. Valëzat e liqenit nëpër pllaquritjet sikur kërcejnë një vals në muzg. Zhurma e motorit të makinës që mbushte zbrazësinë e pamatë të natës mbytej nga tinguj kënge. (FUND)
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply