Në takimin e sotshëm me ipeshkëvinjtë që kanë marrë pjesë në Takimin Ndërkombëtar të familjeve në Filadelfia (USA), Ati i Shenjtë papa Françesku u është drejtuar atyre duke u kujtuar bukurinë e familjes dhe dhuratën e madhe që Hyji i bën njeriut nëpërmjet Familjes. Në fillim të fjalimit të tij Papa u drejtohet viktimave të abuzimit nga ana e klerikëve duke thënë se ndjen turp dhe angazhohet që kjo plagë të mos përsëritet më. Gjithashtu ai falenderon ato viktima që kanë folur, nuk kanë heshtur e më pas të shoqëruara e të ndihmuara, kanë arritur të rikthehen te besimi e të dëshmojnë bukurinë e besimit.
Për Papën familja përpara se të jetë një shetësim është një bekim: “ Familja në fakt për Kishën nuk është para së gjithash një shqetësim, por pohimi i lumtur i bekimit të Hyjit ndaj kryevepres së krijimit. Çdo ditë në çdo anë të planetit, Kisha ka arësye të galdojë me Zotin për dhuratën e atij populli të panumërt familjesh që edhe mes sprovave më të vështira, nderojnë premtimet dhe ruajnë besimin”
Më pas Papa kalon në shoshë kulturën e kohës sonë dhe sidomos jetën e të rinjëve që kanë vështirësi të vendosen për të krijuar familje. U bën thirrje ipeshkëvinjëve, barinjëve që të mos rrinë vetëm duke bërë analiza të kohës, nganjëherë duke i trembur të rinjtë me kritikat e tyre, por duke u ndihmuar e duke folur hapur për bukurinë e martesës dhe të familjes.
Nuk mund të rrimë duke u thënë të rinjëve “dikur ishte më mirë” apo “bota është është katastrofë e nuk dimë se ku do të shkojmë me këtë hap”, por – thotë Papa Françesku – “Ne barinjtë, duke ndjekur gjurmët e Bariut (Krishtit), jemi të grishur të kërkojmë, të shoqërojmë, të mbështesim, të mjekojmë plagët e kohës tonë. Të shohim realitetin me sytë e atij që e din se është i thirrur të lëvizë, të konvertohet në jetën baritore. Bota e sotme na kërkon me këmbëngulje këtë konvertim baritor”
Ai u kërkon ipeshkëvinjëve, barinjëve, që të shoqërojnë grigjën që u është besuar më së pari me lutjen dhe me predikimin. Kjo është detyra e tyre kryesore. Kjo do të thotë të kullosësh delet. Ka rëndësi për ipeshkëvinjtë të rrinë afër familjeve dhe të invetsojnë jetën e tyre krejtësisht e të tregojnë afrimitet e afeksion për familjet.
“Familja – e mbyll Papa fjalën e tij – është aleati ynë, dritarja jonë mbi botën; familja është evidence e një bekimi të pakthyeshëm të Hyjit për të gjithë bijtë e kësaj historie të vështirë dhe shumë të bukur të krijimit që Hyji na ka kërkuar t’i shërbejmë”


Leave a Reply