
Nga Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës në KMSH
Që në fillim të jetës së tij në tokë, njeriu ndjente një falenderim ndaj një fuqie të lartë, si dhe nevojë që t’i drejtohej asaj fuqie për t’i kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, ngushëllim dhe guxim, siguri dhe plotësim nevojash. Të drejtuarit e tillë, shprehej përmes ceremonive dhe ritualeve të ndryshme, duke filluar nga lutjet e falenderimet, e deri te flijimet në pasuri e ndonjëherë edhe në njerëz.
——————————————————————————–
Një historian i Greqisë antike ka thënë: “Është e mundur të gjesh qytete pa bedene, pa mbretër dhe pa thesarë, pa letërsi dhe pa teatër, por njeriu kurrë s’ka parë qytet pa faltore, ose që banorët e tij të mos praktikojnë ceremoni fetare”.Ky fenomen, ka ekzistuar duke adhuruar edhe diellin, hënën, yjet, zjarrin apo idhujt. Njeriu është orvatur që nëpërmjet tyre të fitojë simpatinë e Zotit, ose së paku të zbusë dhe t’i shmanget hidhërimit të Tij. Këtë fakt na e bën të qartë edhe Kur’ani kur shpreh mendimin e idhujtarëve, përsa i përket arsyes së adhurimit të tyre: “Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë sa më afër Zotit”. Duke shpresuar simpatinë e Zotit, njeriu flijonte dhe shpresonte që në këtë mënyrë, më së miri do ta kënaqte dhe do t’i afrohej Atij.
Të flijuarit dhe ceremonitë e flijimit, ndryshonin në popuj dhe në periudha kohore të ndryshme. Megjithatë, ato kishin një emërues të përbashkët, të cilin e ndeshim te të gjitha traditat; si tek ato që mbështesin shpalljen hyjnore edhe tek ato që kanë origjinë mistike e tipare pagane.
Çdo popull ka ngjarjet e veta historike të cilat i përkujton, i feston dhe i përcjell nga brezi në brez. Ato janë ditët e tubimeve masive, përkushtuar manifestimit të ndjenjave të tij kombëtare, shoqërore-politike apo fetare, me të cilat ndërton dhe përforcon ndërgjegjen ideologjike të shoqërisë së vet.
Të festuarit e festave tek shumë popuj të botës, është shndërruar në formalitet, duke mos përfillur qëllimin e tyre moral dhe ringjalljen e ndjenjave humane. Në traditat e mira edukative të festës, infiltruan edhe shumë antivlera, të cilat spostuan të mirat dhe kështu festave u humbi qëllimi fisnik që përmbanin. Tekat e pakufijëshme në ushqim, argëtim dhe në veshje luksoze, u sollën njerëzve më shumë dëm se sa dobi.
Edhe bashkësitë fetare kanë festat e tyre javore apo vjetore, të cilat ringjallin ndjenjat e besimtarëve, u japin atyure vrull e forcë për ripërtëritjen shpirtërore.
Ne muslimanët në vit kemi dy festa të mëdha, Bajramin e Ramazanit dhe atë të Kurbanit. Bajrami i Ramazanit është i lidhur me përfundimin e suksesshëm të agjërimit dhe me fillimin e shpalljes së Kur’anit, ndërsa Bajrami i Kurbanit me përfundimin e shpalljes së tij dhe me Haxhin. Të kremtuarit e këtyre ditëve na përkujton ditët e lavdishme të së kaluarës së ndritshme Islame dhe i inkurajon muslimanët për angazhime të mëtejshme, për detyra rë reja dhe energji më të mëdha në organizimin dhe krijimin e një të ardhmeje më të mirë e më të lumtur.
Dita e Bajramit simbolizon paqe dhe gëzim. Vetë fjala Bajram do të thotë begati, kënaqësi, hare. Në këtë ditë të zemëruarit pajtohen, sepse kjo është dita e gëzimit dhe lumturisë së përbashkët me të afërmit, fqinjët, shokët dhe të gjithë njerëzit e lagjes, fshatit apo qytetit. Për këtë arsye, Profeti ynë (a.s.) i porosiste kështu besimtarët: “Në ditët e Bajramit haet, pihet dhe shkëmbehen vizita”. Shokët e tij i porosiste që të mos i harrojnë të varfërit dhe nevojtarët. Gjithashtu, profeti Muhamed (a.s.) na thotë se në bajrame duhet të tregohet gëzim e hare me qëllim që të manifestohet uniteti, toleranca, forca dhe vëllazërimi.
Në trevat tona, bajramet janë festuar gjithmonë solemnisht. Bajrami ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme tek besimtarët edhe në çastet më kritike. Ai është freski për familjen, madje edhe besimtarët më të dobët Bajramit i kushtojnë kujdes e rëndësi të veçantë. Sipas traditës islame, rituali i Kurban Bajramit fillon me faljen e tij në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi dhe mbaron me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.
Festa e Kurban Bajramit është simbol i sakrificës, i flijimit, i triumfit të së mirës mbi të keqen; është obligimi ynë fetar që në këto momente të vështira, t’ia shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë nevojë. Dhe prerja e kurbanit, është një prej treguesve të afrimit tek e vërteta, të sakrificës drejt asaj rruge.
Prerja e Kurbanit është një traditë shumë e vjetër, zanafilla e të cilit lidhet me ngjarjen e bijve të Ademit, Kabilin dhe Habilin. Në Kur’an, në suren Maide, Allahu (xh.sh.) urdhëron e thotë: “Lexoju o Muhamed atyre, ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurban, nga të cilët njerit iu pranua ndërsa tjetrit jo..” Nga ky ajet Kuranor shihet se, urtësia kryesore e kryerjes së këtij obligimi fetar është afrimi tek Allahu me vepra të mira.
Më pas ballafaqohemi me ngjarjen e Ibrahimit, kur ky vendosi të flijojë djalin e tij, Ismailin, për t’iu bindur urdhërit të Zotit. Këtë episod Kur’ani e shpjegon si më poshtë: “Kështu, Ne e përgëzuam Ibrahimin me një djalë të mirë e të sjellshëm. Kur djali (Ismaili) filloi të angazhohej në jetë me të atin, Ibrahimi i tha:- O biri im! Pashë në ëndërr sikur po të bëja kurban. Çfarë mendon ti? Ismaili tha:- O babai im, vepro ashtu siç të urdhërohet e do shohësh se në dashtë Zoti, do të jem i durueshëm. E kur ata iu nënshtruan plotësisht urdhërit të Allahut dhe Ibrahimi e përmbysi të birin për ta bërë kurban, e thirrëm:- O Ibrahim! Ti e përmbushe ëndrrën. Ne kështu i shpërblejmë bamirësit. Në të vërtetë kjo ishte një sprovë e madhe dhe e qartë. Ne e shpaguam (Ismailin) me një kurban të madh. (Safat, 102-107).
Profeti ynë (a.s.) na tregon që Allahu në vend të djalit, nëpërmjet engjëllit Xhebrail i solli Ibrahimit një dash për kurban. Në këtë ngjarje tregohet qartë devotshmëria e profetit Ibrahim dhe bindja e patundshme e birit të tij, profetit Ismail ndaj Zotit.
Duke u nisur nga ky parim, edhe Profeti ynë i nderuar e vazhdoi traditën e prerjes së kurbanit, duke mbjellur e kultivuar tek bashkësia e tij ndjenjën e sakrificës dhe të flijimit për të vetmin qëllim të lartë e të shenjtë: afrimin tek Allahu. Urdhëri i drejtpërdrejtë për therjen e kurbanit Profetit (a.s.) i erdhi në Mekë me shpalljen e sures “Keuther” ku thuhet: “Ne vërtetë të dhamë ty shumë të mira. Prandaj falu dhe pre kurban për hir të Zotit tënd!”
Është fakt i pamohueshëm se Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por jemi ne që kemi nevojë për mëshirën e Tij. Atij nuk i shtohet as nuk i pakësohet asgjë nga qenia e tij hyjnore, presim ose jo ne kurban për Të, por Atij i intereson devotshmëria e zemrave tona, siç thotë në Kur’an: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbaneve. Ajo që arrin tek Zoti, është bindja dhe devotshmëria juaj ndaj Tij.” (Haxh: 37)
Feja Islame nuk është fe vetëm e trajtave dhe e ceremonive. Ajo mes trajtave praktike të caktuara, kërkon kuptime të thella e të larta dhe formon një shpirt fisnik.
Në përfundim, themi se Bajrami i jep indikacion të qartë muslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë barazpeshë mes materiales dhe shpirtërores.


Leave a Reply