E gjendur vetëm katër kilometra larg qytetit të Shkodrës, në bregun e Liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të lartë të Taraboshit, pika turistike e Shirokës është padyshim një nga joshjet më të veçanta që të ofron një fundjavë për të qenë pranë saj. Dikur, që para çlirimit ajo ishte pika turistike dhe plazhi më i populluar për shkodranët. Pas viteve ’90 ajo pothuajse u braktis, por ka dy vjet që po merr përsëri gjallërinë dikurshme. Shumë shkodranë nostalgjik shkojnë vazhdimisht atje. Një fundjavë në Shirokë kalohet shumë këndshëm, se, përveç klimës dhe ajrit të pastër që filtrohet nga freskia e liqenit dhe pishat e Taraboshit, ka brenda saj edhe kënaqësinë e të shijuarit të një dreke në lokalet e shumta që janë ndërtuar vitet e fundit në hapësirën turistike të kësaj zone. E këto lokale, që të shoqërojnë që prej momentit që ke lënë pas Urën e Bunës dhe deri në qendrën e zonës së Zogajve, atje ku mbaron hapësira turistike e bregut të liqenit të Shkodrës, këtë vit kanë qenë të mbipopulluara.
Sot Banorët e Shirokës të thonë që pjesa më e madhe e frekuentuesve të këtij plazhi përdorin biçikletat për të mbërritur deri aty, mundësi që e krijon afiniteti i plazhit me qytetin. Ndërkohë, krahas pushuesve që mbërrijnë me automjete private, në dispozicion të plazhistëve janë edhe autobusët urbanë që qarkullojnë nga qendra e qytetit të Shkodrës drejt Shirokës. Të kënaqur për rikthimin e plazhit të Shirokës, janë edhe vetë qytetarët shkodranë. Sipas tyre, me këtë ritëm pozitiv që po merr përmirësimi i infrastrukturës, Shiroka shumë shpejt do të jetë një plazh i mirëfilltë, duke i plotësuar kërkesat e shumta që një kategori qytetarësh shkodranë dhe më gjerë ka për këtë pikë turistike. Përveç vlerave të padiskutueshme që të servir, Shiroka ka shansin që është gjeografikisht shumë pranë qytetit, çka i jep mundësi komunitetit ta frekuentojë më lehtësisht dhe pa shpenzime ekonomike, siç mund të ndodhë me plazhet e tjera larg qytetit, si Velipoja dhe të tjera të kësaj natyre. I gjithë ky fluks vizitorësh që ka filluar të frekuentojë Shirokën, pa tjetër që ka dhënë ndikimin në fushën e biznesit, investimet e të cilit vitet e fundit në këtë zonë kanë ardhur në rritje. Kjo është Shiroka e vërtetë, asaj po i rikthehen miqtë e saj të vjetër. “Shiroka po kthehet në identitet dhe shpresojmë të ecë me këto ritme”, shprehën administratorët e lokaleve, duke theksuar se janë shumë të kënaqur nga frekuentimi i madh që po i bëjnë vizitorët, vendas dhe të huaj.
E bukur, por…edhe grep peshku
Shiroka nuk është e bukur në verë, ajo është e bukur në çdo stinë. Është kjo arsyeja që aty disa herë janë hedhur fonde për investime, por që, çuditërisht, s’është bërë asgjë. Është një projekt për një pedonale, dmth, rrugë për automjete, me trotuare anash dhe ndriçim, por asgjë s’po bëhet. Fondet, çuditërisht zhduken pa u bërë puna. Pra, si në anë të liqenit, Shiroka shërben si karem për peshkuar dhe për të kamur më tej peshqit e mëdhenj. Për liqenin e Shkodrës vetëm të deklaruara si “derdhje” fondesh dhe donacionesh janë mbi 20 milionë euro. Por harxhimet më të mëdha janë drekat e darkat e shoqatave ambientaliste. Normalisht duhet të kishte lidhje liqenore me tranzit varkash të sigurta transporti udhëtarësh si me molon e Shkodrës dhe Shirokë, Zogaj dhe Vir Pazar, por edhe Han të Hotit. Duhej të kishte edhe lidhje me “Bregun e Ranës” në anën tjetër të liqenit që dikur kishte kamp për fëmijët, por ato…janë vetëm në letra!

Filip Shiroka
(Lindi më 1859 në Shkodër dhe vdiq më 1935 në Bejrut, Liban – shkrimtar, rilindës shqiptar)
Shko dallëndyshe!…
Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’gjytet tim!
Shndet prej mejet të m’i falesh
saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!
Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt e fmnisë,
shko n’at Kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!
Me ato male, me ato kodra,
me ato prronje rreth t’përfalesh;
n’ato fusha qi m’ka Shkodra,
të lulzueme, aty t’ndalesh,
tue këndue me ambëlcim:
fal me shndet gjytetit tim!
Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!…
Mbreti Zog dhe Shiroka
Shiroka ka hyrë në vëmendje si vend pushimi që në fillim të shekullit të 20-të. Në vitin 1911 është ndërtuar rruga automobilistike. Kush e kujton Shirokën e viteve të mëparshme, ka nostalgjinë e një prej plazheve më në zë të Shkodrës, aty ku gjatë stinës së verës vërshonin me qindra e mijëra pushues ditorë, ndërkohë që shumë të tjera qëndronin të sistemuar me kabina, hotele e shtëpi private që ofroheshin për pushuesit afatgjatë. Përpos miniplazheve që prej kthesës së Urës së Bunës, e përgjatë vijës së bregut të liqenit të Shkodrës, qendra e Shirokës ishte zona më e lakmuar e këtij plazhi, e cila me një hapësirë të madhe sistemonte një numër shumë të madh plazhistësh, mes tyre edhe kampin e fëmijëve, që kishte për rezidencë ish vilën e Zogut. Një kënaqësi tjetër e asaj periudhe ishte edhe udhëtimi me traget dhe motobarka të tjera nga Ura e Bunës për në Shirokë, e cila i jepte një tjetër larmi pushimeve në Shirokë.

Era e ngrohtë: Zefir, Jugë ose Shirokë
Zefiri ishte hyjni, biri i Astreut dhe Ehojës. Nga martesa e Zefirit me Harpien Podragë lindën kuajt magjikë që mori Akili. Në mitologjinë romake paraqitej si një djalosh i bukur me ballin mbushur me manushaqe dhe personifikonte erën pranverore, që shkrin borën. Përdoret shumë në poezinë evropiane si një fllad, erë e lehtë dhe e këndshme që sjell ngrohtësi dhe zhvillim. Meqë vjen nga Sahara, është e thatë dhe me pluhur, ndaj bujqit e quajnë “Hambarthata”. Zakonisht fryn në fillim të pranverës dhe ndihmon në çeljen e gjetheve dhe të luleve. Te ne, në jug, i thonë juga, ndërsa malësia e Mbishkodrës i thonë Shiroka, pasi vjen nga drejtimi i Shirokës që është në jugperëndim
Shën Rroku i Shirokës dhe kënga e përshpirtshme
Çdo vit në Shirokë më 16 gusht, në Shirokë festohet festa e Shën Rrokut nga besimtarë të krishtere ortodoksë. Si shenjt dhe mbrojtës i liqenit ai është pajtori i fshatit të peshkatarëve, Shirokës, buzë Liqenit të Shkodrës, ndaj dhe çdo vit në nderim të tij mblidhen besimtarë dhe organizojnë procesionin tradicional me këngë të përshpirtshme rreth Kishës kushtuar këtij shenjti. Historia e Shën Rrokut është sa e veçantë aq edhe e dhimbshme. Katolikët në të gjithë botën e nderojnë Shën Rrokun. Biografët e tij të hershëm tregojnë se pas vdekjes se prindërve ai u shpërndau pasurinë që kishte të varfërve dhe u nis si shtegtar drejt Romës. Rrugës për në Romë ai punoi për shërimin e të gjithë të sëmurëve me murtajë të zezë. Legjenda tregon se Shën Rroku ka qenë edhe në Shqipëri, në Shirokë. Në kujtim të tij këtu është ruajtur deri vonë një peme mani e veçantë, që e kishte origjinën në pemën që kishte mbjellë ai dikur. Në vitin 1380 vdes i harruar nga të gjithë, pasi e ngatërruan me një spiun të kërkuar nga policia dhe e flakën në burg për 5 vjet.

Liqeni, “toka e bukës” për Shirokën
Shiroka nuk ka asnjë pëllëmbë tokë buke, ajo është vendosur rrëzë malit të Taraboshit me këmbët në liqen, i cili mban me bukë të gjithë banorët e Shirokës, pasi ai ka një faun të pasur. Rreth 250 lloje shpendësh gjenden në liqen dhe rreth tij, ku gjysma janë migrues dhe pjesa tjetër folezon në brigjet e liqenit. Rreth 70% e llojeve të shpendëve të Shqipërisë ndodhen në liqenin e Shkodrës, ku vetëm në dimër numërohen rreth 40 lloje shpendësh si karabullaku, rosa të ndryshme, kryekuqi, bajukla, çafka, pulëbardha etj. Në pjesën shqiptare të liqenit gjenden shpendë të rralla si pelikani, lejleku, shqiponjat etj., ndërsa në livadhet e liqenit gjatë verës ka shumë zogj si bilbilat, bishtundëza, garguj, tusha etj. Numërohen 45 lloje peshqish, 12 prej të cilëve migrojnë në detin Adriatik si ngjala, qefulli, blini, kubla, levreku, shojza etj. Nga lumi Moraça dhe përrenjtë malorë, në liqen hyjnë trofta dhe ngjala, ndërsa karakteristikë për këtë liqen është krapi.
Shkodra me 99 monumente kulture, pa llogaritur Humorin, Tavën e Krapit, Jaret dhe Kajrafilat që ka Shkodra!…
Shumë vizitorë ndjejnë se Shkodra është shpirti i Shqipërisë. Paraqitja karakteristike e qytetit formohet nga struktura e vendosjes e shtëpive të vjetra, rrugëve të ngushta e shoqëruar me muret prej guri dhe ndërtimet moderne. Pas Luftë së Dytë Botërore u rindërtua me rrugë më të gjëra që të përshtateshin me mjete e reja të transportit, dhe ndërtime të reja rezidenciale po ndërtohen vazhdimisht.
Qyteti i Shkodrës ka rreth 99 monumente kulture ku spikasin:
•Kalaja e Rozafës me gjurmë të rëndësishme kulturore autoktone, muri rrethues i qytetit antik (i periudhës romake)
•Muzeu i kështjellës, Fototeka “Marubi” – më e madhja në Shqipëri, Muzeu i rrethit (Shtëpia muze e Oso Kukës), Biblioteka “Marin Barleti”
•Kisha e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, Katedralja e Shkodrës, Kisha françeskane, Kisha orthodokse, Seminari Ndërdioqezan Shqiptar, Kolegji Françeskan Shkodër, ish-kolegji saverian, Gjimnazi “At Pjetër Meshkalla”
•Xhamia e Plumbit, Xhamia “Ebu Beker”, Xhamia e Perashit, Medreseja “Sheh Shamia”
•Sahati i Inglizit
•Ura e Mesit
•Pedonalja e famshme e Shkodrës në një rrugë karakteristike të vjetër
•Universiteti “Luigj Gurakuqi” i themeluar në vitin 1957
•Teatri Migjeni, Radio “Shkodra”, Qëndra Kulturore “Don Bosco”,
•Gjimnazi i Shtetit “28 Nëntori”, Shkolla e Mesme Artistike “Prengë Jakova” etj;
•Institucionet shëndetësore: Spitali Civil “Jorgji Karamitri”, Spitali Pediatrik, Spitali Obstetrik – Gjinekologjik, Spitali Psikiatrik, Spitali infektiv, Sanatoriumi etj;
•Stadiumin e famshëm “Loro Boriçi”, i dytë më i madh në Shqipëri
•Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Ballkan
Çfarë ka tjetër Shkodra? – Humor me thasë, Kajrafila, Jare dhe Tavë Krapi!…
*Shkeputur nga Suplementi Memo-Enciklopedik, i të dielës në DITA


Leave a Reply