Historia e pilotit që kreu aktin e parë heroik, 52 vite më parë, lavdërimet e rusëve dhe “kritikat” e udhëheqjes komuniste. Rrëfimi i kolegëve për aviatorin që fluturoi i pari me një MIG reaktiv dhe që mbeti në zemrat e pilotëve për talentin e pazakontë
Deri nga mesi i dhjetorit 1988, pak njerëz e dinin se përse përlotej një taksist me mustaqe të thinjura, ndërsa ecte rrugëve të Tiranës, dhe përse përlotej, ndërsa në qiell kalonin aeroplanë apo dëgjohej zhurma e tyre.
Pasagjerët nuk e pyesnin taksixhiun se përse pakësonte shpejtësinë apo kish raste dhe e ndalonte taksinë për të parë kalimin me furi përmbi krye reaktivë që fluturonin ultaz.
Ata nuk e dinin se ky burrë që psherëtinte kur kalonin aeroplanë, ishte heroi që u dha i pari mësim të huajve: Mos shkelni në hapësirën ajrore të Shqipërisë, sepse atje të qëllojnë pa paralajmërim. Ishte Kosta Dede, piloti i talentuar që e detyruan të linte udhët e qiellit në moshë të re.
Akush nuk e di përse u frymëzua poeti aviator Bashkim Kozeli kur shkroi vargjet lotsjellëse sot, të një këngë shumë të njohur pilotësh shqiptarë: “Ora po troket/Ja, vjen viti i ri/Trimi im në këtë mbrëmje/Kupën e qiellit ngrë dolli”. Ka një bazë krejtësisht reale ky motiv.
Çdo vit të ri, kur njerëzit ngado festonin e gëzonin që nga kupat me verë e deri te fishekzajrret, kishte djem dhe burra që rrinin me rrobet e fluturimit veshur dhe me sytë nga qielli. Në 31 dhjetor 1957 Kosta ishte me shërbim në çiftin roje. Ishte dimër bënte pak ftohtë dhe qielli ishte me re e mund të binte edhe ndonjë shi.
Në atë kohë mungonin shumë gjëra edhe ambientet çlodhëse ku mund të kalonin një pjesë të mirë te kohës; por edhe kështu ata ishin të detyruar të qëndronin në afërsi të avionëve, poshtë krahëve të tyre apo nëpër ndonjë makinë, në gatishmëri dhe vigjilentë për të reaguar ndaj çfarëdolloj shkeljeje që këto kohët e fundit ishin intensifikuar.
Në vigjilje të ndërrimit të viteve, sipas traditës së krijuar, të gjithë po bënin përgatitjet e fundit për ta kaluar me të afërmit e tyre në mënyrë sa më të gëzueshme. Seicili kishte arsyet e veta për ta bërë këtë, të tjerë kishin për detyrë të vigjilonin.
Dhe në këtë moment dëgjohet një thirrje sepse edhe shumë mjete komunikimi nuk ishin si sot: “Njëshi” çka do të thoshte se një shkelje ishte bërë. Një sinjal i tillë për një pjesëtar të këtyre forcave është shumë i kuptueshëm se çfarë domethënie ka. Kosta Dede me Anastas Ngjelën edhe ky një pilot i nderuar e fisnik, së bashku me gjithë personelin tjetër u sulën drejt kabinave dhe me shpejtësi u lidhën me radio me VK.
Dëgjuan lëshimin e motorave dhe për pak minuta me lejen e tyre u gjendën në ajër dhe u drejtuan për në objekt sipas parametrave të dhënë: kursin, shpejtësinë dhe lartësinë. Kthehu kokën mbrapa dhe pa se shoqëruesi e ndiqte më së miri. Objekti kishte hyrë në derdhje të Semanit dhe po fluturonte në drejtim të jugut për të përmbushur misionin e tij.
Edhe ai, me sa duket, kishte zgjedhur një ditë ku njerëzit para një feste kaq të madhe do të ishin të shkujdesur, por siç do të zhvilloheshin situatat më vonë, kishte gabuar rëndë. Vazhdimisht komunikonte me radio dhe kërkonin të zbulonin diçka. U thanë se ishin në drejtimin e duhur dhe se i ishin afruar ndjeshëm objektit në fjalë dhe sipas përllogaritjeve të bëra distanca me të nuk mund të ishte më madhe se rreth 15-20 km para.
U impenjuan më shumë dhe vërtet përpara dukej një si pikë e zezë që sa më shumë afroheshin dalloheshin konturet e tij e pas pak nga flamuri në bord përcaktuan dhe kombësinë-angleze . Të dy morën formacionin e duhur dhe bënë disa tentativa nëpërmjet sinjaleve që dhanë për të ndryshuar itinerarin dhe ta detyronin të ulej në aerodrom.
Shkelësi e kuptoi se tashmë kishte rënë në duart e pilotëve shqiptarë, por megjithatë vazhdoi me këmbëngulje rrugën e tij duke devijuar në drejtim të jugperëndimit që iu duk se ishte distanca më e shkurtër për tu larguar indiferent ndaj të gjitha sinjaleve që merrte.
Shkelësi me sa duket po bënte përpjekjen e fundit dhe Kosta kur shikoi poshtë ishte mbi Çikë pothuaj mbi fshatin e tij- Vuno në drejtim të Korfuzit; të ishte një rastësi kjo? Atëhere mendoi se s’kishte kohë për të humbur. I preu rrugën dhe qëlloi me breshëri predhash gjurmëlënëse dhe ndryshoi fatin e opracionit.
Ai filloi të rrotullohej djathtas çka do të thoshte se mëdyshjet e tij kishin marre fund dhe ishte… dorëzuar. Autori i këtij shkrimi rastësisht ka qenë dëshmitar okular i kësaj skene mbresëlënëse dhe i ka përjetuar në moshë relativisht të vogël, por i ka ruajtur në kujtesë më së miri dhe kur ai vetë militoi në këto forca kuptoi se çfarë do të thoshnin ato. Në këto moment të dy sikur u lehtësuan pak, por kishte akoma për të bërë.
E shoqëruan deri sa u ul në aerodrom dhe të gjithë u gëzuan për këtë akt trimërie dhe heroizmi; e s’kishte pse mos të gëzoheshin me këtë mbyllje kaq të bukur që i kishin bërë vitit që sapo linin, të lodhshëm, por te frytshëm, një dhuratë shumë e mirë për popullin e tyre.
Edip Ohri, ish-komandant i aviacionit dhe një nga njerëzit më të kulturuar të kësaj arme tregon: “Ne ndoqëm situatën me vëmendje dhe më përfundimin me sukses të saj sëbashku me Hito Çakon me JAK kemi shkuar në Kuçovë dhe i kemi përgëzuar për këtë akt heroik.
Për mendimin tim kapja e avionit anglez ka hyrë në historinë e aviacionit tonë si një kapje e mirëfilltë, tipike duke i plotësuar të gjitha parametrat për tu quajtur e tillë. Ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku gjatë një vizite në Moske mori përgëzimet edhe nga Malinovski, ish- minister i Mbrojtjes të BS-së si pjesëtarë të Traktatit të Varshavës, fakt që ma ka bërë me dije vetë ai mbasi u kthye prej andej si një vlerësim dhe falënderim për punën e bërë”.
Në analizën që u bë, kujton Haki Jupasi, një pilot i vjetër dhe me eksperiencë, Ministri i Mbrojtjes e “kritikoi” Kostën duke i thënë me buzëqeshje: “Ti mustaqe pse i thyen urdhrat?”.
Kosta ju përgjigj: “unë u detyrova shoku ministër se avioni po largohej nga kufiri”, ndërsa e shoqja Sofia më thotë së gjatë një vizite që na bëri në shtëpi Beqir Balluku, të cilat ishin të zakonshme në ditë festash siç ishte dhe kjo e vitit të Ri, Kosta i kishte thënë: Për atë “gabim” që bëra shoku minister më kritikoi dhe gruaja .”Bravo-mu drejtua mua- je grua luftarake” .
Nuk dihet se kush ka qenë shtysa e parë që e lidhën atë me aviacionin por të nisur nga shumë rrethana të bën të mendosh se vetë shtepia e tij në lartësi të dukshme nga të tjerat me një hapësirë të pamasë ,ku vetëm zogjtë fluturojnë me shumicë dhe ku me të vërtetë të krijohet përshtypja sikur je gati për fluturim ka kultivuar të ai dëshirën e një shpirti të lirë, ndoshta misionet e aleatëve, ndoshta ambienti shoqëror, ndoshta edhe nga përzgjedhjet që u bënë të cilët panë tek ai reflekse të admirushme dhe një fizik të përgatitur më së miri që i plotësonte parametrat e kërkuara.
Nga kontrollet e ushtruara ai i plotësoi ato dhe vazhdoi studimet në BS prej vitit 1948 deri në 1952 që e mbaroi me rezultate shumë të mira dhe u diplomua pilot.
Bardhyl Taçi, ish-komandanti i aviacionit, tregon: “Kosta edhe atje merrej me sport dhe njihej nga të gjithë studentët dhe personeli i shkollës dhe spikati si një nga portierët më të mirë të skuadrës së futbollit dhe ishte shumë lehtë ta gjeje nëse e kërkoje nëpër ambientet sportive çka do të thoshte se ai i kushtonte një rëndësi të madhe, krahas pasionit që kishte për të, formimit fizik që siç do ta shohim dhe në vitet që pasuan, ajo ndikoi ndjeshëm në përballimin e ngarkesave që ishin të konsiderueshme. Ai kishte fizik shumë të mirë, ishte i fuqishëm dhe i pashëm. Meqenëse në atë kohë aviacioni shqiptar nuk kishte avionë reaktivë ai fluturoi në ata me helikë si JAK -9P.
Avionët e parë reaktive MIG-15 do të vinin në vitin 1955 dhe ai do të emërohej në regjimentin e Qytetit Stalin (Kuçovë) në përbërje të skuadriljes së parë me komandant Vasil Trasha ku u dallua për aftësitë dhe përgatitjen profesionale duke fluturuar në të gjitha kushtet si ditën dhe natën të cilat e formuan atë si pilot duke marrë edhe klasin e dytë.
Ai kishte një sedër dhe ambicje për të përsosur mjeshtërinë e luftimit, suportonte jashtëzakonisht mirë mbingarkesat falë një fiziku të fortë dhe solid dhe rezultatet e shoqëruan gjatë gjithë karrierës së tij në të gjitha detyrat që iu ngarkuan. Ishte një qitës i shkëlqyer kundër objekteve tokësore, pilot i dalluar në “luftimet ajrore” stërvitore; në bazë të rezultateve të deshifrimit të filmave ai radhitej ndër më të mirët.
Megjithë këto arritje atij asnjëherë nuk iu rrit mendja, përkundrazi, kokëulur dhe punëtor, i sjellshëm, i komunikueshëm me njerëzit me atë zërin e tij të ulët dhe karakteristik e i përkushtuar kërkonte nga vetja nivel cilesor më të lartë.
Bardhyl Taçi do të kujtojë se “Me Kostën jam njohur pikërisht në këtë shkollë dhe e ruajtëm shoqërinë e miqësinë për tërë jetën.
Ai ishte një nga nxënësit e parë që kur u hap shkolla, i njohur nga të gjithë, me një fizik të fortë e të zhdërvjellët që merrej vazhdimisht me futboll dhe që shumë shpejt u bë dhe portier i shkollës i cili i bëri për vete me pritjet e tij akrobatike aqe sa nuk e konceptonim dot skuadrën e shkollës pa pjesëmarrjen e tij: “Më vonë ai do të vazhdojë studimet në BS ku edhe do të diplomohet si pilot e do të vazhdojë karrierën e tij në këtë armë mbas kthimit të tij në Shqipëri në vitin 1952.
Ai fluturoi në shumë tipa avionësh ku do të spikaste për aftësitë dhe përgatitjen e lartë profesionale prej të cilave do të kualifikohej në 1965 me atë më të lartën që jepej, klasin e parë çka ishte një diçka e lakmueshme për çdo pilot.
Ai s’kishte ambicje dhe egoizëm për karrierën por edhe kur e bëri këtë, e bëri në sajë të punës, aftësive dhe rezultateve në të gjitha disiplinat e përgatitjes luftarake që ishin shumë të dukshme. Punoi me përkushtim në Kuçovë e në Rinas gjithmonë i dashur e i komunikushëm me njerëzit.
Pas ngjarjes së vitit 1957, Kosta Dede dhe shokët e tij do të ndesheshin me situata të tjera. Nëvitin 1958 dhe fillimi i vitit 1959 në një ditë të vetme u bënë shumë shkelje të hapësirës ajrore, ndoshta 7-8 dhe bile njera prej tyre ishte aq provokative sa kaloi mbi aerodrom gjë që ngritëm çiftin roje, tregon Llesh Gjoni, ish-shef i VKQ dhe bile arritën që edhe ta kapin mbi Vlorë, por me një manover u shpëtoi mbulimit të tyre dhe atëherë Kosta Dede me një katërshe në kryerje të detyrës së planifikuar sapo kishte kaluar Fierin e drejtuan për në objekt që me gjithë përpjekjet që u bënë ndonëse e panë dhe e kapen, distanca ishte e konsiderushme e per fat të keq koha nuk premtonte , sepse “kufiri” ishte shumë afër dhe se pati vështirë për tu larguar.
Niko Hoxha që ndiqte i heshtur situatën me mua në planshet-vazhdon Lleshi më thotë: “U burrëruan djemtë tanë”. Në vitin 1959 Kosta Dede ishte nga të parët që bëri kalimin në MIG-19PM me një grup pilotesh. Edip Ohri thotë:”Kosta Dede ka qenë një pilot shumë i mirë, me një përgatitje shumë të lartë dhe ka bërë kalimin e parë në MIG-19PM me rezultate shumë të mira aq sa në qitjet me raketa që u bënë ata zunë vendin e dytë mbas hungarezëve”.
Ai i provoi të gjitha shkallët e karierës që nga komandant çifti dhe ishte ndër të parët që e udhëhoqi një cift në një paradë, siç ishte ajo e çlirimit të Atdheut në vitin 1959, komandant katërshe, skuadriljeje të MIG-17-ve dhe deri te shef qitjeje Regjimenti në Rinas.
Viti 1965 ka qenë i veçantë në karrierën e tij sepse arriti të marrë klasin e parë së bashku me Lulo Musain, Gëzdar Veipin, Çobo Skënderin, Anastas Ngjelën etj. që për fat te keq nuk u aplikua më.
“Ka qenë periudhë e vështirë -kujtonte më vonë Kosta- sepse në atë kohë duhej të gjurmonim kushtet e motit që kishin diçka specifike e ishin të rralla dhe të rastësishme gjë që na detyronte të ishim të gatshëm, çka sakrifikuam shumë nga jeta, familja ….por ia arritëm falë këmbënguljes që kishim.
Si në çdo fushë tjeter edhe në aviacion janë bërë eksperimentime të shumta sic ishte dhe ai i vitit 1965 për të goditur armikun befasisht nga drejtime të ndryshme në një terren të thyer e malor siç është i yni.
“Më kujtohet shumë mirë – thotë Haki Jupasi, dhe unë realizova qitje nga Petla-ja ndërsa Kosta nga kthesa luftarake (figura pilotazhi) që natyrisht ishin të vështira por që i realizuam me sukses në sajë edhe të përvojës që kishim ” Dhe të mendosh se aviacioni ynë atëherë sa i kishte bërë 14 vjet jetë.
Ne kursantët, grupi i parë që përgatitej në vend patëm fatin e mirë ta ndjekim këtë stërvitje treguese nga afër e u mrekulluam dhe sipas shembullit që po na paraqitej pse jo edhe nga ne në një të ardhme mund të bëheshin gjëra të mëdha.
Kur shkova në Rinas gjatë bisedave me të shpesh më këshillonte për shumë probleme që ndeshesha gjatë fluturimit e në mënyrë të veçantë për figurat që natyrisht është pjesa më e vështirë e tij e më thoshte:
“Avioni është si njeriu “, nëse e tërheq “maqinën”që e kishte fjalën për avionin se ashtu e identifikonte ai, më shumë se sa duhet ai s’flet dot si njeriu se s’ka gojë po ai ka mjete të tjera shprehëse: fillon e dridhet që do të thotë se duhet liruar pak që të shkojë në trajektoren e tij edhe njeriu kur i ngjitet një mali me nxitim fillon t’i merret fryma sepse e sforcon veten më shumë se kapaciteti që ka dhe mushkëritë nuk ngopen me frymë.
Një paralelizëm i goditur”. Unë ju tregova një rast të vetëm nga të shumtat që kam folur me të por që s’jam i vetëm sepse pilotëve të rinj s’ua kursente këtë ndihmë dhe shembulli më i mirë ishin veprimet e tij, praktika fluturuese që përbënte një model për ta. E këtë e ndien në takimet që bën me ta duke folur me respekt e konsideratë.
Aviacioni ynë gjatë rrugës dhe jetës së tij ka pasur edhe ngjarje që kanë qenë të dhimbshme sepse kane marre jetë njerëzish e ata kujtohen me nderim e respekt si dëshmorë të atdheut.
Ata sakrifikuan gjithçka, jetën, ëndrrat, rininë e tyre.”E Kosta i përjetonte si gjithë shokët e tij, me dhimbje, por i mënjanuar edhe ai ulej e bënte analiza”,- thotë e shoqja Sofia për shkaqet, sikur ndiente edhe ai një pjesë të përgjegjësisë. ”
Ai më fliste mua sikur fliste me shokët e tij nga nevoja për të komunikuar duke e ditur mirë edhe ai vetë se unë s’kisha njohuri për këtë fushë. Rri i thosha se tani s’të dëgjon njeri. Por ai humbiste në morinë e këtyre problemeve me shqetësimin e madh njerëzor dhe profesional për t’i parandaluar ato.
Dhe kishte të drejtë. Kosta Dede mbetet një figurë e nderuar e aviacionit shqiptar me një talent të jashtëzakonshëm, fryt i nje pasioni që s’ju shua kurrë dhe vështirë ta ndeshesh tek njerëz të tjerë me të tilla përmasa. Por Hegeli e shpreh më së miri: “Asgjë e madhe në botë nuk është realizuar pa pasion”.
Alqiviadh Dede
*Autori është pilot në pension
Marrë nga gazeta shekulli


Leave a Reply