Nga Gazeta Shqip
Pranga Kristaq Brakës në Gjirokastër: Kishim lidhje prej vitesh
Mariglen Mullai
Një 48-vjeçar nga Gjirokastra është arrestuar dje nga policia, pasi akuzohet se ka përdhunuar një minoritare greke 19 vjeçe nga fshati Dropull. Ende nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje, porse burimet zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë se gjithçka ka ndodhur orët e fundit në zonën jugore të vendit dhe arrestimi është kryer në bazë të kallëzimit penal të shtetases në fjalë. Vetë i ndaluari pretendon se të dy kishin pasur një lidhje intime dhe se raporti seksual ishte kryer me dëshirën e të dyve, ndërsa vajza mban qëndrim të kundërt, duke thënë se 48-vjeçari e kishte përdhunuar. Çështja po përpunohet nga efektivët e Policisë së Gjirokastrës, të cilët momentalisht i kanë kërkuar vajzës të kryejë ekspertizën mjekoligjore, në bazë të së cilës do të kishte një provë më tepër për të vërtetuar raportin e dhunshëm seksual. Por, të njëjtat burimet nga policia thanë se vajza momentalisht nuk e ka marrë në konsideratë këtë këshillë, apo hap procedural që duhet ndjekur në këto raste. Shkak për këtë ngurrim mësohet se është vetë koha në të cilën ka ndodhur vepra penale që pretendon ajo. Vajza ka rrëfyer se përdhunimi kishte ndodhur kohë më parë, kur ajo ishte në moshë të mitur dhe kishte vazhduar edhe më tej. Nga burimet e Policisë së Gjirokastrës mësohet se është vënë në pranga 48-vjeçari, i cili akuzohet se ka abuzuar seksualisht me të renë. Kanë qenë uniformat blu të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë, ata që bënë ndalimin e shtetasit Kristaq Braka, banues në fshatin Bodrisht. Braka dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj 19-vjeçares me iniciale S.A., banuese në Dropull. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur nga mosha 14-18”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Më tej, burimet shtuan se në kallëzimin penal të 19-vjeçares përmendeshin disa rrethana dhe periudha të largëta kohore, në të cilat ajo pretendonte se kishte nisur të përdhunohej nga Braka. Vajza ka thënë se 48-vjeçari përfitonte nga mungesa e familjarëve të saj dhe e kishte përdhunuar, duke e kërcënuar më pas se do t’i bënte keq, nëse tregonte. Por ajo nuk kishte duruar dot më gjatë dhe ditët e fundit ishte paraqitur në polici, për të bërë denoncimin, pasi ishte këshilluar më parë me familjarët e saj. Ajo është nga Dropulli, e cila njihet si zonë minoritare, ku banojnë shtetas me etni dhe kombësi greke. Megjithatë, policia nuk e specifikon as vendin e saktë dhe as etninë e vajzës, duke lënë të kuptohet vetëm fakti që ajo banon në zonë minoritare. Nga ana tjetër, për këtë çështje ka nisur një hetim i gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës, për shkak të delikatesës dhe natyrës së këtij kallëzimi penal, pasi ekspertët e policisë po analizojnë rrethanat e plota. Policia ka administruar edhe dëshminë e Kristaq Brakës, i cili mohon kategorikisht përdhunimin dhe parashtron një tjetër rrethanë të ngjarjes, atë të një lidhjeje të gjatë intime mes të dyve, të krijuar nga njohjet e përbashkëta familjare dhe shoqërore. Braka i mëshon më tepër një hakmarrjeje nga ana e 19-vjeçares, për shkaqe që ai nuk i shpjegon
Leave a Reply