
Kolesteroli është faktori kryesor i rrezikut për sëmundjet e sistemit kardiovaskular, siç janë infarkti dhe goditja në tru
Edhe pse manekinia Hajdi Klum kohë pas kohe ha hamburgerë, por edhe përkrahësi i madh e ushqimit të shëndetshëm, kuzhinieri i famshëm britanik, Xhejmi Oliver, ia lejon vetes një sandviç të yndyrshëm, prapë, për fat të keq, bëhet fjalë për bomba të vërteta kolesteroli, ndërsa niveli i rritur i këtij lloji të kolesterolit mund të ketë pasoja serioze. Kolesteroli është faktori kryesor i rrezikut për sëmundjet e sistemit kardiovaskular, siç janë infarkti dhe goditja në tru. Edhe pse është e ditur se rreziqet e tilla i fsheh kolesteroli i tepërt, janë të pakët ata që ndërmarrin ndonjë gjë për ta luftuar këtë problem. Profesor Ahim Vajcel, mjeku kryesor në klinikën mjekësore në kuadër të spitalit në Manhajm, thotë se çdo njeri duhet ta kontrollojë kolesterolin, edhe nëse nuk ka kurrfarë problemesh. “Së paku një herë t’ua matin kolesterolin, sepse në bazë të kësaj mund të vlerësohen rreziqet”, këshillon ai. Kolesteroli i tepërt në formë të shtresave (pllakave) mblidhet në enët e gjakut, posaçërisht në arteriet koronare. Dikur është menduar se këto shtresa i ngushtojnë arteriet koronare, për çka muskuli i zemrës nuk merr mjaft oksigjen dhe vdes. Mirëpo, sot dihet edhe ajo se në këto shtresa ndodhin edhe procese të inflamacionit, të cilat mund të kenë pasoja dramatike. “Herët a vonë, do të pëlcasë mbështjellësi që mbulon shtresat, çka do të shkaktojë reagime zinxhir: vjen deri te mpiksja, gjaku bëhet më i dendur dhe krijohen tromboza. Me këtë sqarohet edhe fakti pse personat me kolesterol të lartë, me vite jetojnë pa kurrfarë problemesh, në mënyrë që papritmas të pësojnë infarkt apo të vdesin brenda disa sekondave, nga sulmi i befasishëm në zemër”, thotë profesori Vajcel.
Kur situata paraqitet
e rrezikshme?
Ekziston kolesteroli i keq LDL dhe kolesteroli i mirë HDL, i cili i mbron enët e gjakut. Ata së bashku e përbëjnë kolesterolin e tërësishëm. Nëse vlera e tyre kalon 200 mg/dl, duhet nënshtruar kontrollit të detajuar. Vendimi rreth asaj nëse është i nevojshëm intervenimi i mjekut, varet edhe nga faktorët e tjerë të rrezikut, siç është shtypja e lartë e gjakut, pirja e duhanit, diabeti, pesha e tepërt dhe niveli i lartë i homocisteinës. “Kur shtresa sipërfaqësore e pllakës dëmtohet nën ndikimin e nikotinës, homocisteinës dhe shtypjes së lartë të gjakut, në atë vend, gjithnjë e më shumë krijohen shtresa të dhjamit, i cili depërton deri te muret e enëve të gjakut dhe i dëmton ato. Me rastin e planifikimit të terapisë, duhet marrë parasysh rrezikun e përgjithshëm dhe në përputhje me këtë, të vërtetohen kufijtë e vlerave të kolesterolit”, thotë doktor Vajcel. Nëse tek personi nuk janë të pranishëm faktorët e rrezikut, pra nëse nuk pi duhan dhe ka shtypje normale të gjakut, kolesteroli LDL nuk duhet të jetë më i madh se 160. Tek pacientët me njërin apo dy faktorët, vlera maksimale është rreth 130. Ata që kanë më shumë faktorë të rrezikut, të cilët tashmë kanë përjetuar një infarkt apo vuajnë nga angjine pektoris, vlera maksimale e lejuar, është 100. Në këtë rast, doktor Vajcel sugjeron që niveli i kolesterolit të ulet edhe më tej. Për ta arritur këtë, duhet ndryshuar mënyrat e të ngrënit. Yndyrat e kafshëve (gjalpi, mishi me dhjam, majoneza) duhet eliminuar. Ideale është ushqimi mediteran me vaj ulliri, peshk dhe sa më shumë perime. Edhe sportet e qëndrueshmërisë, siç janë noti, vozitja e biçikletës dhe roletave, e ulin nivelin e kolesterolit. Mirëpo, përveç ndryshimit të mënyrës së të ushqyerit dhe aktiviteteve fizike, shpesh janë të domosdoshme edhe ilaçet. Bëhet fjalë për statinat, të cilat e ulin nivelin e kolesterolit të keq LDL. Për fat të keq, në situatat kur është e nevojshme ulja e kolesterolit të keq dhe kur është e rëndësisë jetike, mund së supozohet se veprimi i statinave është i kufizuar. “Ekzistojnë dy burime të kolesterolit – një pjesë prodhohet në vetë trupin, në mëlçi, ndërsa një pjesë merret nga zorrët. Ky zbulim ka sjellë deri te zhvillimi i mënyrës së re revolucionare të kurimit. Bëhet fjalë për pengim të dyfishtë. Në këtë rast, në njërin ilaç bashkohen dy principe të veprimit: statika pengon krijimin e kolesterolit në mëlçi, ndërsa substanca tjetër, e bllokon absorbimin e kolesterolit nga zorrët”. Në këtë mënyrë, kolesteroli lëshohet në vlerë shumë më të ulët, ndërsa, nga ana tjetër, sulmi i dyfishtë në kolesterol mundëson përdorimin e dozave më të dobëta, me çka zvogëlohet rreziku nga veprimet e padëshiruara.
Anët e mira të kolesterolit
Në muret e qelizave, gjendet edhe kolesteroli, kështu që ai është një substancë e rëndësishme ndërtuese. Përveç kësaj, kolesteroli është substancë bazë e hormoneve gjinore dhe thartirave të lukthit, pa të cilat tretja nuk funksionon. Njeriu nuk mund të jetë pa kolesterol, por nëse ka tepër, do të jetojë tepër shkurt.
Çfarë e ul kolesterolin
Ushtrimet
Vrapimi, shëtitja e shpejtë, vozitja e biçikletës dhe notimi, jo vetëm që kontribuojnë në formë më të mirë, por edhe e rregullojnë këmbimin e yndyrave. Është e rëndësishme të ushtrohet rregullisht.
Të ushqyerit
Picat dhe hamburgerët përmbajnë tepër yndyrë. Për këtë gjynah, do të shfajësoheni me konsumimin e sasive më të mëdha të pemëve dhe perimeve.
Më pak stres
Stresi dhe detyrat e tepërta mund të ndihmojnë rritjen e kolesterolit. Për këtë arsye, gjatë ditës gjeni kohë për pauzë dhe relaksohuni përmes ushtrimeve dhe jogës.
Ilaçet
Pacientëve të cilëve ndryshimi i mënyrës së jetesës nuk u ndihmon, duhet të marrin ilaçe për uljen e lipideve në gjak.


Leave a Reply