
Kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane (The Albanian American Academy of Sciences), Dr.Skender Kodra me iniciativë të agjencisë së lajmeve INA qëndroi për dy ditë në Kumanovë dhe Shkup, për të ofruar përkrahjen e tij për familjet e Lagjes së Trimave në Kumanovë, që përjetuan trauma dhe tmerrin në ngjarjet e 9 dhe 10 majit.
Dr.Kodra u prit nga drejtuesi i agjencisë së lajmeve INA, Naser Pajaziti, ku ishte realizuar edhe agjenda e takimeve dhe njohja e tij në terren me situatën pas ngjarjeve të 9 majit, por edhe vizita e avokatëve të të burgosurve të grupit të Kumanovës.
Me rastin e kësaj vizite zhvilluam edhe një intervistë me Dr.Skender Kodra.

Intervistoi: Ardian Mehmeti
skender kodra
I nderuar profesor, çka ju shtyri që të vini në Kumanovë, dhe cili është misioni juaj?
Jam shumë i nderuar që kam ardhur këtu. Nisma dhe përgaditja e kësaj vizite është realizuar nga Naser Pajaziti, i cili më pas ka koordinuar gjitha aktivitetet me organizatën për të drejtat e njeriut IGFM Idriz Sinanin dhe kryetarin e shtabit emergjent të Lagjes së Trimave Shaban Demiri. Jam informuar tërësisht me situatën dhe qëllimi im është që të përgaditet një raport i gjërë me gjitha detajet për ngjarjen e Kumanovës, sidomos për rastet e banorëve të traumatizuar dhe që kanë përjetuar rëndë ngjarjet e 9 majit, për rastin e të burgosurëve që gjenden në paraburgim dhe që ka dyshime dhe prova për tortura dhe keqtrajtime, si dhe për çështje tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Ne në bashkëpunim me bashkëpunëtorët e mi këtu në Maqedoni do të hartojmë një analizë të detajuar për tërë rastin, dhe më pas kjo çështje do të shqyrtohet nga ekspertë amerikan dhe bashkëpunëtorë të mi në SHBA. E tërë kjo dosje e Kumanovës do ti dorëzohet instancave më të larta ndërkombëtare, duke filluar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, OKB dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Po cili do të jetë synimi juaj me këtë mision tuaj ?
Qëllimi ynë është që bashkëatdhetarët e mi të kenë trajtimin dhe përkujdesjen e veçantë, sepse ata kanë nevojë si kurrë më parë për trajtim postraumatik dhe kompensim. Kompensimi material asnjëherë nuk plotëson zbrastësirën dhe goditjen shpirtërore që kanë përjetuar këta banorë në Kumanovë, nga tmerri dhe operacioni i pakontrolluar policor që u zhvillua nga mëngjesi i 9 majit. Ne me listat e banorëve që kanë përjetuar rëndë ngjarjen do të drejtohemi në institucione shëndetësore dhe do të kërkojmë trajtimin e tyre të domosdoshëm, nevojën për rehabilitim të fëmijëve dhe projekte tjera. Ne kemi hasur se shteti nuk ka menduar aspak në këtë drejtim, përveç mjeteve materiale, që i erdhën me shumë vonesë banorëve të kësaj lagje. Problemi kryesor është se ky shtet duhet të merret me dëmet shpirtërore dhe problemet që kanë përjetuar ata, dhe jo me materializma.

skender kodra 2
Jeni takuar edhe me avokatët e të paraburgosurve për rastin e Kumanovës, ku bëjnë pjesë edhe shtetas të Kosovës. Cila ka qenë ideja e këtij takimi ?
Qëllimi ynë është që t’i ofrojmë mbështetje familjeve të të paraburgosurve, por edhe avokatëve, përmes këshillave dhe logjistikës nga ana e ekspertëve dhe avokatëve amerikan. Për rastin e Kumanovës kemi zhvilluar disa takime në Nju Jork dhe Uashington, ku kam kërkuar mbështetje për të pasur një proces transparent. Prej tani do të jemi në koordinim me Forumin për të Drejtat e Njeriut IGFM dhe kryetarin e saj Idriz Sinanin si dhe këshillin emergjent të Lagjes së Trimave. Do të bëjmë çmos që të zbardhet e vërteta.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply