Dy dokumentet e botuara, të zbuluara në arkivin e deklasifikuar të operacioneve klandestine të CIA-s, që flasin mbi situatën për Shqipërinë në vitin 1952, hedhin dritë mbi një temë mjaft interesante. Marrëdhëniet e Zogut me Titon gjatë viteve 1952-53. Bashkëpunimi i ish-mbretit Zog me Titon dhe palën jugosllave më qellim rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, është një temë e panjohur më parë nga studiuesit e kësaj periudhe, të cilët e kanë studiuar atë. Mbreti Zog, i strehuar në Egjipt, përpiqej të luante një rol të rëndësishëm në planet që amerikanët kishin hartuar mbi mundësinë e rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës. Megjithëse e kishte të vështirë të ndërmerrte diçka konkrete kundër qeverisë komuniste, Zogu me sa duket ishte inkurajuar nga zhvillimet e fundit politike. Për këtë arsye, Mbreti Zog, me sa kuptohet nga dokumentet e kohës, mendon se një ndihmë nga pala jugosllave do ta bënte atë përsëri një faktor të rëndësishëm në të ardhmen e Shqipërisë. Për këtë arsye ai i kthehet përsëri një skenari të vjetër: bashkëpunimit me jugosllavët, një bashkëpunim i cili e kishte sjellë atë në pushtet gati 30 vite të shkuara, kur në pak ditë, me një ushtri të vogël mercenarësh të futur nga kufiri me Jugosllavinë, i rrëmbeu pushtetin Peshkopit të Kuq Noli. Dokumentet amerikane të dala nga arkivi i deklasifikuar tashmë, për studiuesit dëshmojnë se Zogu kishte kërkuar me anën e një personazhi të panjohur për amerikanët fillimin e bisedimeve me Titon në vitin 1952. Nga raportimet e amerikanëve, që i ndiqnin këto bisedime në distancë duket se jugosllavët ishin mjaft të shqetësuar mbi atmosferën anti-jugosllave që mbizotëronte në Shqipëri. Për këtë arsye, Tito e mirëpret një përfshirje të Zogut në mundësinë e një kryengritjeje, e cila do ta rrëzonte Enver Hoxhën nga “froni”.
Bisedimet e para, maj 1952
Në dokumentin e parë që po botojmë kemi një konfirmim të kohës së këtyre bisedimeve, që duket qartë se është maji i vitit 1952. Po kështu, shikohet qartë se Zyra e Operacioneve Klandestine, e njohur si OPC, ka dërguar një zyrtar të lartë të saj për të takuar ish-mbretin Zog, me kërkesën e këtij të fundit, me qëllim raportimin e ecurisë së bisedimeve me jugosllavët. Zogu është treguar mjaft i matur, duke dashur të raportojë tek amerikanët çdo hap që ai ndërmerrte për bisedimet e tij me Titon. Duke e kuptuar qartë interesimin e madh që amerikanët kanë pasur për operacionet klandestine kundër Hoxhës, Zogu është treguar një diplomat i aftë për të ruajtur marrëdhënie sa më të mira me miqtë e tij të rinj amerikanë dhe për të raportuar çdo bisedë që ai ka bërë me miqtë e tij të vjetër jugosllavë.
Plani Tito-Zogu për kryengritje në Shqipëri
Dokumenti i dytë që botohet për herë të parë sjell informacione shumë interesante mbi bisedimet e emisarëve të Zogut me palën jugosllave. Jugosllavët, me sa duket shumë të shqetësuar mbi situatën në Shqipëri dhe qëndrimin e fortë anti-Tito që mbante pala shqiptare në linjën e Stalinit, duket se po mendonin seriozisht një rrëzim të Hoxhës me çdo mënyrë të mundshme. Mbështetja për Zogun ishte një alternativë shumë e pëlqyer për Titon, i cili e kishte ndarë mendjen për një ndërhyrje sa më të fortë në Shqipëri, edhe nëse Zogu nuk do të kishte mundësi të përfshihej në një kryengritje të mundshme. Megjithatë, dërgimi i përfaqësuesve personalë të Titos pranë Zogut dhe ftesa për një zhvendosje të mundshme të Zogut dhe familjes së tij në Beograd duket se janë lëvizje, të cilat janë llogaritur nga Tito për të shprehur një besim tek ishmbreti shqiptar, por edhe për të arritur disa fitore diplomatike. Zogu, një diplomat i aftë për të nuhatur nuancat ballkanike, ka pranuar takimin me të dërguarit personalë të Titos, por duhet ta ketë refuzuar me xhentilesë ftesën për t’u zhvendosur në Beograd, të bërë nga lideri i njohur komunist i Jugosllavisë. Nëse Tito do të merrte atë që kërkonte dhe të tërhiqte Zogun në Beograd, lideri karizmatik jugosllav do të kishte arritur një fitore shumë të madhe propagandistike. E para, duke e konfiguruar Zogun si një alternativë për qeverisjen e një Shqipërie pro-jugosllave, e dyta si një kërcenim potencial ndaj Hoxhës dhe e treta, si një përpjekje për të zbutur faktorin kosovar, i cili duke parë ishmbretin Zog në krah të Titos, do të ulte tonet nacionaliste.
TOP SEKRET Memorandum: Zv.drejtori për Koordinimin e Politikave, SE BGFIEND: Raporti javor Shtator 1952
Gjatë muajit shtator, përfaqësuesit britanikë dhe amerikanë në Romë vazhduan bisedimet me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje me të gjitha fraksionet, si dhe një ri-organizim të Komitetit si dhe zgjerimin e tij. Raportimet nga Roma bëjnë me dije se deri më tani shumë pak progres është arritur në këtë drejtim. Balli Kombëtar refuzon me këmbëngulje zgjerimin e Komitetit. Kemi gjithashtu raportime kontradiktore mbi pozicionin që tashmë britanikët duan të mbajnë mbi këtë çështje. Kemi urdhëruar përfaqësuesin tonë që të jetë i kujdesshëm në bisedime, deri sa ne të sqarojmë pozicionin e britanikëve, si dhe të shikojmë se cilët elementë të Komitetit do të përkrahin qëndrimin tonë. Gjatë javës së parë të shtatorit ( ) bisedoi me Mbretin Zog në Aleksandri. Zogu deklaroi se përfaqësuesit e tij ishin pritur në mënyrë mjaft miqësore nga jugosllavët gjatë takimit në Shkup, në fund të gushtit. Zëdhënësi i jugosllavëve deklaroi se jugosllavët dëshironin të shikonin një rrëzim të regjimit aktual në Shqipëri nga vetë shqiptarët, me në krye Zogun, por në rrethanat e patolerueshme të vendit, jugosllavët do ta rrezonin regjimin vetë nëse Zogu dhe shqiptarët e tjerë nuk i kishin mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. Jugosllavët ranë dakord që të dërgonin sa më shpejt përfaqësues direkt për të biseduar me Zogun në çështje të politikave, si dhe detaje operacionale. Jugosllavët gjithashtu deklaruan se nëse Zogu dhe familja e tij dëshironin të largoheshin nga Egjipti, ata do të ishin gjithmonë të mirëpritur në Beograd.
TOP SEKRET Memorandum: Zv.drejtori për Koordinimin e Politikave, SE BGFIEND: Progres-raporti ditor, e martë, 27 maj 1952
(Emri i zyrtarit-shënim red.) SE/PC Zëvendësi u nis më 27 maj 1952 për të biseduar me ishmbretin Zog me kërkesën e këtij të fundit, mbi statusin e negociatave aktuale me jugosllavët. Me mbërritjen e ( ) më 30 maj, Zogu pret që të ketë rezultatet e bisedimeve të negociuara në Turqi nga përfaqësuesi i tij, i cili kërkoi bisedimet me Titon në fillim të majit. ( ) Raporton se Komiteti i Shqipërisë së Lirë ka marrë lajm nga një prej dy grupeve që ka dimëruar në Jugosllavi se janë rifutur përsëri në Shqipëri. Komiteti po bën përpjekje për të verifikuar vërtetësinë e këtij lajmi dhe letrës që grupi ka dërguar nga Jugosllavia. Kryetari i grupit ka qenë instruktuar që të komunikojë vetëm nëpërmjet kësaj adrese.
Dokumentet sekrete të CIA: Bisedat e Zogut me Titon në 1952
Dokumenti i siguruar në arkivat e deklasifikuara amerikane, vazhdon të sjellë informacion mbi bashkëpunimin e ish- Mbretit Zog me liderin e njohur komunist jugosllav, Tito, duke zbuluar detaje të reja mbi bisedimet që bëheshin në pranverën e 1952-it. Memorandumi i 28 majit 1952 është një raport ditor i hartuar për drejtuesit e lartë të OPC, drejtoria e famshme që merrej me operacionet klandestine, një organizatë e cila operonte në zonat gri të spiunazhit amerikan. Fatkeqësisht, ashtu si edhe në dokumente të tjera të dala nga ky arkiv, emrat e personazheve amerikane të OPC janë të fshira dhe në këtë mënyrë është pak e pamundur për të kuptuar rolin e saktë të oficerëve amerikanë të Zbulimit. Gjithsesi, ky dokument hedh dritë në disa detaje mjaft interesante për të kuptuar prapaskenat e përpjekjeve të ish- Mbretit shqiptar për t’u rikthyer në fron. Megjithatë, nga dokumenti i botuar sot kuptojmë se amerikanët kanë pasur mjaft interes për të vëzhguar negociatat e ish- Mbretit shqiptar me liderin komunist të Jugosllavisë, Tito. Nga burime agjenturore të rrjetit amerikan në Turqi, OPC, informohet mbi përbërjen e delegacionit të Zogut, i cili përbëhet nga një turk me emrin Tozani, Irfan bej Ohri, një pasues i njohur i Zogut si dhe ish-konsulli i Mbretërisë në Stamboll, Avni Dërhalla. Nga shqyrtimi i dokumentacioni të Shërbimit Sekret Britanik del se diplomati Dërhalla ka qenë i rekrutuar nga anglezët gjatë Luftës së Dytë Botërore, me mision informimin e britanikëve mbi mërgatën shqiptare të Turqisë. Duhet theksuar se për një periudhë trevjeçare britanikët e SOE operonin nga Stambolli dhe kishin mundur të rekrutonin një numër shqiptarësh me njohje apo influencë në Shqipëri, për t’i përdorur në lojërat politike ballkanike. Nëse Avni Dërhalla ka pasur akoma lidhje me Shërbimin Britanik edhe pas Lufte, atëherë duhet të supozojmë se edhe britanikët duhet të kenë qenë në dijeni të bisedimeve sekrete Tito-Zog. Megjithatë, surpriza me interesante e këtij dokumenti është fakti se sipas burimit të amerikanëve, delegacioni turko-shqiptar i Zogut ka qenë i autorizuar për t’i kërkuar Titos armatosjen dhe përgatitjen ushtarake të 8000 kosovarëve, me të cilët Zogu shpresonte të hynte në Shqipëri. Ideja e Zogut për krijimin e një ushtrie private me kosovarë nuk ishte e re. Dihet se Zogu kishte ardhur në fuqi me ndihmën e Jugosllavisë edhe në të kaluarën, duke përdorur edhe elementë kosovarë. Megjithatë, edhe pse faktorët politikë të kësaj periudhe ishin shumë të ndryshëm, përsëri Zogu shpresonte në një aleancë me komunistët jugosllavë për t’u rikthyer edhe një herë në fronin shqiptar. Megjithëse Jugosllavia e viteve 1950 nuk ishte më ajo që dikur kishte ndihmuar Zogun për të rrëzuar nga pushteti peshkopin Noli, duket qartë se Zogu nuk kishte asnjë problem të bashkëpunonte me komunistët jugosllavë. Mbreti duket se nuk ka pasur asnjë pengesë ideologjike për këtë bashkëpunim, edhe pse dihej se represioni ndaj Kosovës nuk kishte të ndalur. Dokumenti i botuar sot tregon qartë idenë dhe kërkesat që ish- Mbreti shqiptar kishte ndaj Titos, por fatkeqësisht nuk kemi një dokument i cili të sillte mendimin e Titos mbi këto kërkesa. Sidoqoftë, një analizë e kujdesshme mund të na bëjë të besojmë se Tito nuk mund të ketë qenë shumë i gatshëm për të përmbushur dëshirat e ish-Mbretit shqiptar. Një forcë paraushtarake kosovare e rekrutuar nga shërbimet inteligjente të Titos do të ishte një garanci e madhe për një qëndrim pro-Jugosllav të Mbretit shqiptar, nëse ai vinte në pushtet. Ndërsa një forcë kosovarësh e financuar dhe trajnuar nga amerikanët jashtë Jugosllavisë, do të sillte komplikime të rrezikshme për Titon. Në përgjithësi, elementi kosovar, i njohur për problemet e shumta që i sillte faktorit serb, do të ishte një problem akoma më i madh për Titon nëse ai do të dërgohej me mision nga amerikanët për rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Përfshirja e amerikanëve në këtë mision i komplikonte edhe më shumë gjërat, pasi Tito do ta kishte të vështirë për të kontrolluar rrjedhën e ngjarjeve në Shqipëri, nëse ky mision do të kishte sukses. Për këtë arsye, vetëm një forcë kosovare e armatosur dhe e përgatitur prej jugosllavëve mund të ishte zgjidhja e pranueshme për Titon. Nëse Tito e pranoi apo jo këtë kërkesë, deri më tani nuk kemi një dokument ku të jetë shkruar mendimi i tij për këtë çështje. Lidhja e Zogut me amerikanët si sponsorizuesit kryesorë të kësaj aventure, do ta bënte atë më të paqëndrueshëm në marrëdhëniet me komunistët jugosllavë. Përvoja historike e marrëdhënieve të Zogut me jugosllavët për ndihmën që ata i kishin dhënë për të ardhur në pushtet nuk ishte shumë pozitive dhe me sa duket për të garantuar besnikërinë e Zogut ndaj jugosllavëve, Tito i kërkon Zogut përfshirjen në qeverinë e ardhshme të një numri personash të njohur si besnikë të çështjes jugosllave. Se kush ishin ata dhe se çfarë kërkoi Tito në shkëmbim të kërkesës së Zogut, do ta lexojmë në numrin e ardhshëm i cili do të sjellë surpriza të reja në botimin e dokumentacionit të deklasifikuar nga arkivat amerikane. (vijon në numrin e ardhshëm)
http://www.koha.mk/lajmi_dites/18584.html
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply