
G. G. MARKEZ
Gabriel García Márquez (1928-)
Duke lëvizur nëpër dhomë me të prekur në gjysmëerrësirën e agimit, Mina e veshi, pa mëngët e veta, fustanin që kishte varur pranë krevatit një natë më parë. Pastaj, zuri të kërkojë edhe mëngët, që t’i vishte edhe ato, por nuk i gjeti gjëkundi. Ktheu përmbys baulen; më pas, kërkoi nëpër gozhdët e mureve dhe pas dyerve, duke u përpjekur të mos bëj zhurmë e të mos zgjojë gjyshen që flinte në të njëjtën dhomë. Por, kur sytë iu mësuan me errësirën, vërejti se gjyshja ishte zgjuar, dhe shkoi në kuzhinë ta pyeste për mëngët e fustanit.
– Janë në banjo. –tha e verbra-. I lava dje, por në darkë vonë.
Aty ishin; të varura ne një tel me dy kapse druri, por ende të lagura. Mina u kthye në kuzhinë me mëngët në duar, dhe i shtriu ato mbi pllakat e sobës. Përballë saj, plaka e verbër përziente kafenë. Bebet e syve, të vdekura, si të çdo të verbri, ishin fiksuar në cepin me tulla të koridorit, ku ndodhej një rresht saksishë me barëra mjekësorë.
– Mos i merr më gjërat e mia! -tha Mina.- Këto ditë, nuk i zihet besë motit.
E verbra lëvizi kokën drej zërit.
– Më kishte dalë nga mendja që është E Premtja e Parë. –tha plaka.
Pasi vërtetoi me një frymëmarrje të thellë mbi xhezvenë, se kafeja tashmë ishte gati, e hoqi nga zjarri.
– Vendos një letër poshtë mëngëve, se këto të shkreta pllaka janë të pista. –i tha së mbesës.
Mina fërkoi pllakat e sobës me gishtin tregues. Ishin të pista, por me një shtresë bloze tepër të ngjeshur, që nuk mund t’u ngjiteshin mëngëve, nëse nuk fërkoheshin pas pllakave.
– Po të behen pis, ti e ke fajin! –tha vajza.
E verbra e kishte bërë gati filxhanin e kafesë për veten e vet.
– Duket ashiqare që je e inatosur… –i tha mbesës, duke tërhequr drej koridorit një karrige.
– Por, është sakrilegj të kungohesh kur je e inatosur…
Ndërkaq, mori filxhanin e kafesë në dorë dhe u ul ta pinte përballë luleve të oborrit.
Kur ra këmbana e tretë për në meshë, Mina i hoqi mëngët nga soba. Ishin ende të lagura; megjithatë, i veshi. I ati, Anhel, nuk do ta lejonte kurrësesi në kungim me një fustan, me supe të zbuluara. Nuk e lau fytyrën. Fshiu me një peshqir mbetjet e të kuqit të buzëve, mori nga dhoma librin e lutjeve, shallin, dhe doli në rrugë. Por, pas jo më shumë se një çerek ore, u kthye sërish.
– Kështu siç e ke nisur ti, vetëm pas Ungjillit ke për të arritur!… –tha e verbra, e ulur përballë luleve të oborrit.
Mina shkoi menjëherë drejt banjos.
– Nuk mund të shkoj dot në meshë! –tha. -Mëngët janë të lagura dhe të gjitha rrobat e mia, të pahekurosura. -Vajza ndjeu ta ndiqte shikimi hetues i plakës.
– E Premtja e Parë, dhe nuk do të shkosh në meshë?! –tha e verbra.
Pasi u kthye nga banjoja, Mina mori një filxhan kafe dhe u ul përballë parvazit prej gëlqereje të derës, bashkë me të verbrën. Por, nuk mundi të shtynte, qoftë edhe një gllënjkë.
– Ti e ke fajin! –murmuriti me një inat të shurdhët, dhe u mbyt në lot.
– Po qan! –thirri e verbra.
Plaka vendosi ibrikun e ujitjes pranë saksive të borzilokut dhe doli në oborr.
– Po qan, po qan! – përsëriti dy-tri herë.
Mina dukej e gatshme për sherr, por më parë, vuri filxhanin në tokë.
– Qaj nga inati! –thirri. Dhe, kur kaloi pranë gjyshes, shtoi: -Ti duhet të rrëfehesh, përse më bëre të humbas kungimin e Të Premtes së Parë.
E verbra qëndroi e palëvizur dhe priti që vajza të mbyllte derën e dhomës së gjumit. Pastaj, eci deri në fund të korridorit. U përkul dhe kontrolloi me duar në tokë, derisa e gjeti filxhanin e paprekur të kafesë nga e mbesa. Dhe, ndërsa derdhte kafenë në tenxheren prej balte, tha:
– Zoti e di, që unë e kam ndërgjegjen të pastër!…
Nga dhoma e gjumit doli e ëma e Minës.
– Me kë po flet? -e pyeti.
– Me veten po flas! –tha e verbra. –Kam kohë që ta kam thënë, se po çmendem…
Ndërkaq, e mbyllur në dhomën e vet, Mina zbërtheu jelekun dhe nxorri tri çelësa të vegjël, të kapur me një gjilpërë kapse. Me njërin nga çelësat, hapi sirtarin e poshtëm të dollapit dhe nxorri prej andej, një baule druri, të vogël sa një kuti. E hapi me çelësin tjetër. Brenda kutisë kishte një pako të tërë me letra, pa zarfat dhe vulën postare. Ato ishin me ngjyra dhe të kapura me një shirit elastik. Vajza i fshehu letrat në jelek, vendosi baulen e vogël në vendin e saj dhe u kthye të mbyllte sirtarin me çelës. Pastaj, shkoi në banjo, nxori nga jeleku letrat dhe i hodhi në fund të banjos.
– Nuk mundi të shkonte në kishë dhe fajin e kam unë. –I tha e verbra. -Harrova, të shkretën, që ishte e premtja e parë dhe ia lava aq vonë mëngët e fustanit.
– Dhe, akoma, të lagura janë… –murmuriti Mina.
– I është dashur të punoj shumë këto ditë. –tha e verbra.
– Janë njëqind e pesëdhjetë duzinë trëndafila që duhet të dorëzoj për Pashkë. –tha Mina.
Dielli doli herët. Pa vajtur ora shtatë, Mina e kishte instaluar në sallë punishten e saj të luleve artificiale: një shportë plot me petale dhe tela, një kuti me letra elastike, dy palë gërshërë, një role me fije dhe një shishe gome. Pas pak çastesh, erdhi Trinidad me kutinë e saj të kartonit nën krah, dhe e pyeti, se përse nuk kishte shkuar në meshë.
– Nuk kisha mëngë. –tha Mina.
– Nuk duket arsye kjo… -tha Trinidad. -Kushdo do t’i jepte një palë mëngë…
Tërhoqi një karrige dhe u ul pranë kanistrës së petaleve.
– U bëra vonë! –tha Mina.
Mbaroi një lule. Pastaj, afroi kanistrën për të valëzuar petalet me gërshërë. Trinidad vendosi kutinë e kartonit në tokë dhe zuri të punojë edhe ajo.
Mina vështroi kutinë.
– Paske blerë këpucë, Trinidad?
– Nuk janë këpucë këto në kuti; janë minj të ngordhur.
Meqenëse Trinidad ishte eksperte në valëzimin e petaleve, Mina iu vu punës për përgatitjen e bishtave prej teli, të mbështjella me letër jeshile. Të dyja punuan në heshtje, pa vënë re diellin që zuri të mbulonte sallën e dekoruar me piktuara idilike dhe fotografi familjare. Kur i mbaroi bishtat, Mina u kthye nga Trinidad me një fytyrë të zbehtë e gati të tejdukshme. Trinidad vazhdonte të valëzonte lulet me një mjeshtëri të admirueshme, duke i lëvizur fare pak majat e gishtërinjve. Trupin e mbante drejt, dhe këmbët, shumë të bashkuara. Mina vështroi këpucët e saj fare pa finesë e gati mashkullore. Trinidad bëri sikur nuk kuptoi asgjë. Pa e ngritur kokën, tërhoqi këmbët paksa prapa dhe ndërpreu punën.
– Mina, çfarë ndodhi?! –tha Trinidad, duke i hedhur një vështrim hetues fytyrës së vajzës.
Vajza u përkul drejt saj.
– Iku… –tha.
Trinidad lëshoi gërshërët në prehër.
– Jo. Nuk besoj.
– Iku! –përsëriti Mina.
Trinidad e vështroi drejt e në sy. Një rrudhë vertikale u shfaq mes vetullave të saj.
– Po tani?!
– Tani, asgjë! –tha Mina prerë dhe pa iu dridhur zëri.
Trinidad iku para orës dhjetë.
E çliruar tanimë, Mina qendroi disa çaste, para se të hidhte në banjo minjtë e ngordhur. E verbra po krasiste trëndafilat.
– E gjen dot, se çfarë kam këtu, në kuti? – i tha Mina tek po kalonte, dhe tundi kutinë.
E verbra dëgjoi me vëmendje.
– Lëvizi edhe një herë!
Mina e përsëriti lëvizjen, por e verbra, edhe pasi dëgjoi për herë të tretë me gishtin e vendosur në vrigthin e veshit, nuk mundi t’i identifikojë objektet.
– Janë minjtë që ranë mbrëmë në grackën e vendosur në kishë –tha Mina.
Në kthim, kaloi pranë të verbrës, pa folur. Por, e verbra, e ndoqi. Kur arriti në sallë, Mina qendroi e vetme përballë dritares së mbyllur, duke mbaruar lulet artificiale.
– Mina! –tha e verbra. –Në qoftë se do të jesh e lumtur, kurrë mos ki besim tek të huajt.
Mina e pa në sy, por nuk foli. E verbra u ul në karrigen përballë saj dhe tentoi ta ndihmonte. Por, Mina nuk e lejoi.
– Ti je nervoze! –tha e verbra.
– Për fajin tënd! –tha Mina.
– Pse nuk shkove në meshë?
– Ti e di më mirë, se kushdo tjetër…
– Në qoftë se do të kishte qënë për mëngët, nuk do ta kishe marrë punën dhe të dilje nga shtëpia. –tha e verbra. -Rrugës të priste dikush, që të nxori një pengesë…
Mina kaloi pëllëmbët e duarve përpara syve të gjyshes, sikur po pastronte një kristal të padukshëm.
– Je gjë fallxhore, ti gjyshe?!…
– Ke shkuar në banjo dy herë këtë mëngjes –tha e verbra. -Kurrë nuk shkon më shumë se një herë…
Mina vazhdoi të bënte lulet.
– Je e zonja të më tregosh çfarë ruan në sirtarin e dollapit? –tha e verbra.
Pa u nxituar, Mina nguli lulen në kornizën e dritares, nxorri nga jeleku i vet tri çelësat, ia vendosi të verbrës në pëllëmbë të dorës dhe ia mbylli gishtat.
– Shko dhe shikoji vetë me sytë e tu! –tha.
E verbra verifikoi çelësat me majat e gishtërinjve.
– Sytë e mi, nuk mund të shikonin në fund të banjos, edhe po t’i kisha si sytë e tu.
Mina ngriti kokën dhe provoi një ndjesi të veçantë: iu duk se e verbra e kuptoi, se ajo po e shikonte.
– Hidhu në fund të banjos, nëse të intersojnë kaq shumë gjërat e mia.
E verbra bëri sikur nuk dëgjoi.
– Gjithmonë shkruan në krevat, deri në mëngjes –tha.
– Ti vetë e fik dritën –tha Mina.
– Por, më pas, t’i hap elektrikun e dorës. –tha e verbra.
Nga mënyra, sesi merrje frymë, unë atëherë, mund të të thoja, se çfarë po shkruaje.
Mina u mundua të ruante qetësinë.
– Mirë! –tha, pa ngritur kokën. -Le të supozojmë se është ashtu, siç thua ti: Çfarë ka ndonjë gjë të veçantë këtu?!
– Asgjë! –iu përgjigj e verbra. -Vetëm se të bëri të humbasësh kungimin e Të Premtes së Parë.
Mina mblodhi me dorë rolenë e fijeve, gërshërët dhe një grusht me trëndafila të pambaruara. I futi të gjitha brenda në kanistër dhe qendroi përballë gjyshes.
– Atëhere, dëshiron të të them çfarë bëra në banjo?
Të dyja mbajtën frymën pezull, derisa Mina iu përgjigj po vetë, pyetjes së saj: Shkova të bëj kakën…
– Gënjeshtër të bukur ke gjetur! –murmuriti e verbra, duke iu drejtuar kuzhinës. –Por, do ta besoja me gjithmend, po të mos ishte hera e parë ne jetën tënde të thoshe një vulgaritet…
E ëma e Mines vinte nga ana e kundërt e korridorit, e ngarkuar me ca degë të gjembëta.
– Çfarë po ndodh? –pyeti ajo.
– Jam çmendur. –tha e verbra. –Por, me sa duket, ju e keni ndarë mendjen të më dërgoni në çmendinë, vetëm kur unë të filloj të gjuaj me gurë…
Përktheu nga origjinali:
VALBONA SELMANI
Milosao


Leave a Reply