Qendra Social- Kulturore e Shoqatës “ Bijtë e Shqipes”, ditën e Diel 14 qershor, gumëzhiu si rrallë ndonjë herë. Nxënës e mësues të shkollës shqipe “ Gjuha Jonë “, kishin ditën e fundit të tyre për këtë vit shkollor. Do të fillonte si ditë e zakonshme pune ( shkolle ) për ta, me himnin e flamurit tonë kombëtar, që ato e këndojnë çdo ditë para fillimit të mësimit. Por sot, pas himnit, nxënësit iu nënshtruan testit me shkrim,- diktim e hartim-, i cili do të ishte përfundimtar për ketë vit.
Në oren 11:00, salla ishte plot e përplot, nxënës, prindër, mësues, anëtar të këshillit drejtues të shoqatës si dhe mjaft të tjerë nga komuniteti shqiptar në Filadelfia, ishin në pritje të fillimit të ceremonisë të shpërndarjes të dëftesave. Në emër të kryesisë së shoqatës, kryetari saj midis të tjerave tha: “ Kjo ditë është kurorëzim një pune të madhe që shkolla shqipe “ Gjuha Jonë”, me gjithë stafin e saj ka bërë gjatë këtij viti shkollor. Falenderojmë në radhë të parë nxënësit, të cilët prishën gjumin dhe rehatinë e çdo dite të dielë, për të ardhur që të mësojnë gjuhën tonë të bukur shqipe; falenderojmë prindërit e këtyre nxënësve, pa angazhimin e dëshirën e tyre, kjo shkollë nuk do të funksiononte dhe fëmijtë e tyre nuk do të mësonin shqip, e për pasojë përpjekjet tona për të mbajtur gjallë gjithçka shqiptare këtu në emigracion, nuk do te kishin rezultat. Falenderim i veçantë për mësuseset e kësaj shkolle, Rajmonda Bardhi, Kozare Doko, Irini Zeneli dhe Adelina Ramizi, të cilat punuan me pasion e dashuri dhe iu dhanë 50 nxënësve të tyre, gjatë këtij viti, mjaft njohuri për gjuhën, kulturën e historinë tonë kombëtare. Mjaft anëtar të shoqatës e njerëz të bisnesit kontribuan në ecurinë e shkollës e të aktiviteteve te shoqatës.
Sigurisht puna e anëtarëve të kryesisë , ka qenë një kontribut më vete në këtë drejtim, të cilët me grafik por edhe jashtë tij, i gjeje në mëngjes herët këtu, për të siguruar kushtet normale të ambjentit për vijimësinë e shkollës”.
Menjëherë pas përshëndetjes, zëri i bukur i fëmijve mbushi sallën. Një program i thjeshtë me vjersha, këngë e fjalë të urta, startoi. Çdo gërmë e fjalë e dalë nga goja e tyre e vogël, iu dha shumë emocione pjesëmarrësve, sidomos prindërve, fytyrat e të cilëve shkëlqenin nga gëzimi gjatë gjithë kohës. Vjershat për alfabetin shqip, abetaren, nënën, atdheun, e shumë të tjera u duartrokitën me mjaft shpirt e dashuri. E veçanta e kësaj ceremonie ishin kostumet kombëtare, me të cilat u veshën një pjesë e madhe e nxënësve, duke i dhënë edhe më shumë hijeshi veprimtarisë. Është rasti të falenderojmë për këtë, antarin e shoqatës z. Androkli Kokthi, i cili dhuroi 11 kostume të tilla për nxënësit e shkollës. Ndërsa 20 të tjera u blenë nga vetë shoqata , por për to kontribuan edhe disa bashkëatdhetare emrat e të cilëve janë afishuar ne fb-un e shoqatës.
Emocionet vazhduan kur z. Llazar Vero, ftonte nxënësit për të marrë dëftesën, por që ata më parë kalonin para flamurit kombëtar, e duke e mbajtur një cep të tij me dorën e tyre të njomë, ashtu të ulur në gjunjë para tij thonin : “ Të falem o flamuri ynë”. Një betim prekës I këtyre fëmijve për ti dal zot kombit në çdo kohë. Pas ketij veprimi, nxënësi paraqitet për të marrë deftesën, i shoqëruar nga duartrokitjet e sallës. Mësuesi veteran nga Kukësi, 82 vjeçari Baftjar Qinami, i cili sot u bë edhe anëtari më i ri i shoqatës, ftohet për ti dorëzuar dëftesën nipit të tij Edvin Qinami. Një foto kujtim , gjyshi dhe Edvini me kostumin kombëtar. Moment mjaft i bukur e prekës për të, dhe për të gjithë ne.
Në vazhdim, z. Vlashi Fili, në emër të kryesisë të shoqatës iu dorëzon 5 nxënësve më të mirë të vitit: Alisa Qypi, Edvin Qinami, Selma Sinani, Vanesa Shehu dhe Erona Shurdhiqi, respektivisht nga klasa e parë tek e pesta, nga një çeck me 20 dollarë secilit. Ndërsa dy anetarë të kryesisë, zotërinjtë Sadik Elshani e Petrit Zanaj sponsorizuan, i pari 20 dollare “Për hartimin më të mirë” të cilin e fitoi nxënësja Irini Ramizi, ndërsa i dyti 50 dollarë për nxënësin “Me vijueshmëri më të mirë në shkollë”, të cilin e përfitoi nxënësja Aleksandra Ramizi. Në fund, pica-party për fëmijë e prindër, për të cilën sponsorizuan Tomy’s Pica dhe bisnesmeni Dhimiter Xhorxhi, mbylli këtë aktivitet mjaft të bukur për vitin shkollor 2014- 2015, për të filluar përsëri me 6 shtator 2015 vitin e ri shkollor 2015-2016.
TAJAR DOMI
Filadelfia, 14 Qershor 2015












Leave a Reply