Deri në orët e para të mëngjesit, numërimi kishte nisur vetëm për një numër të kufizuar Bashkish. Partitë politike thirrje për ruajtjen e standarteve gjatë këtij procesi.
Në Shqipëri deri në orët e para të mëngjesit procesi i numërimit kishte nisur vetëm në një numër të kufizuar bashkish në të gjithë vendin. Procesi i dorëzimit të kutive dhe dokumentacionit nga qendrat e votimit tek ato të numërimit pranë 90 komisioneve zonale ka kërkuar gati më shumë se 5 orë, duke paralajmëruar një fazë që duket se do të zgjasë.
Partitë kryesore kanë bërë thirrje që faza e numërimit të zhvillohet në respekt të ligjit. Deputetja Olta Xhacka duke folur në emër të kryetarit të Partisë Socialiste tha se i bënte “thirrje të gjithë komisionerëve të jenë në lartësinë e ambicies sonë për Shqipërinë Europiane. Çdo votë duhet të numërohet me besnikëri të plotë ndaj votuesve dhe asnjë kandidat e asnjë subjekt që gjendet në fletën e votimit, nuk duhet të penalizohet me asnjë votë nga procesi i numërimit. Dua të nënvizoj se në nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të standardeve më të larta europiane ne numërimin e votave në të 61 bashkitë e reja të vendit tone”, u shpreh deputetja Xhacka.
Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha në një deklaratë të shkurtër për gazetarët pranë selisë së Partisë Demokratike nënvizoi rëndësinë që ka procesi i numërimit: “I bëj thirrje numëruesve të PD të qëndrojnë në lartësinë e detyrës sipas ligjit. I kujtoj të gjithë numëruesit zbatimin me përpikmëri të ligjit për të përfunduar leximin me transparencë të verdiktit në kutitë e votimit”, u shpreh zoti Basha duke ju drejtuar qeverisë, që sic theksoi ai “të mos përsërisë dhunimet dhe parregullsitë e vërejtura gjatë ditës” së votimit.
Nga ana e tij më herët, kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar “zgjedhjet e sotme më të mirat, më të lirat e të ndershmet që kemi zhvilluar deri më tani”.
Ecuria e procesit të votimit duket se ka qenë përgjithësisht normale. Raste problematike ka patur, që nga ato teknike, te mosmarrëveshjet mes komisionerëve, ndërprerje të procesve në disa qendra votimi apo dhe përplasje e tensione në zona të vecanta. Komisioni qëndror i zgjedhjeve është detyruar të marrë vendim për problemet e lidhura me fletët e votimit në Rroskovec ku në krah të emrit të kandidatit të djathtë ishte vënë emri i koalicionit të majtë, apo në Tepelenë ku emri i një kandidati të pavarur nuk figuronte në fletën e votimit. Në të dy rastet KQZ –ja ka vendosur që procesi të vijojë. Institucioni qendror i zgjedhjeve është vënë ndërkohë në akuzë për rastin e Kurbinit ku kandidati i së djathtës mbeti jashtë. Sipas përfaqësuesit demokrat, KQZ-ja ka zëvendësuar në shkelje të hapur me ligjin dhe komisionerët e saj në këtë zonë. Partia demokratike megjithatë ka denoncuar një sërë rastesh që sipas saj kanë cënuar procesin. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka foli dje në mbrëmje për “kërcënime të votuesve nga zyrtarë të policisë apo funksionarë publikë, si dhe dhunë në disa dhjetra raste”, apo dhe “njerëz që kanë votuar me karta identiteti falso”.
Një vlerësim për procesin pritet ta japë sot misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it të cilët së bashku me nje dlegeacion nga Këshilli I Europës, shpërndanë në të gjithë vendin afro 200 vëzhguesë, ndërkohë që dhjetra diplomatë të ambasadave të huaja në Tiranë, patën në qendër të vëmendjes disa zona potencialisht të nxehta gjatë fushatës zgjedhore.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply