
Krahina e Labërisë dhe emri i Ali pashë Tepelenës janë të lidhura
ngushtësisht me njëri tjetrin. Ali Pasha lindi dhe u rrit në Labëri, aty bëri trimëritë dhe mizoritë, aty e kish bërthamën pashallëku i ardhshëm, aty ku ngriti urat dhe kalatë, aty u ngritën dhe këngët më të bukura për të. Këngët e epikës historike gjithnjë kanë regjistruar artistikisht ngjarje, fakte, data, personazhe, duke bërë edhe një vlerësim të atypëratyshëm shpesh intuitiv, por që rrallë gabon. Këngët labe të periudhës së Pashallëkut të Janinës, e, më pas të Kryengritjeve popullore kundër Reformave të Tanzimatit, veç të tjerash, dëshmojnë nga njëra anë për rritjen e ndërgjegjes atdhetare dhe, nga ana tjetër, për rolin që luajnë këto këngë në sendërtimin e kësaj ndërgjegjeje, e cila me Rilindjen e Lidhjen e Prizrenit do të bëhej gjithnjë e më tepër ndërgjegje kombëtare.
Zimo KRUTAJ
GJARPËRI QË DRODHI DHENË…
Në këngët popullore historike që kanë në qendër figurën e Ali Pashë Tepelenës, përvijohen dukshëm tipare thelbësore të personalitetit shumëplanësh të Vezirit të vezirëve, lufta, betejat, e fitoret kundër pushtuesve turq, si dhe tema e qëndresës që gjenin në popull synimet lakmitare të Ali Pashë Tepelenës, vendosja dhe mbajtja e pushtetit me dhunë prej këtij gjarpëri që drodhi dhenë / zaptoi det e sterenë, por su bë dot prijës i mirëfilltë popullor. Pashait të Janinës, megjithëse nuk ia kurseu simpatinë e përkrahjen e vet, populli i Labërisë nuk i kurseu as urrejtjen për mizoritë e tij.
Këngët me këtë temë janë një dëshmi tjetër e vlerësimit të figurës së Ali Pashës. Megjithatë duhet thënë se bëmat, lufta e qëndresa e tij në krye të Pashallëkut të Janinës kundër turqve zë vendin kryesor në poezinë popullore të kësaj periudhe. Kjo është e kuptueshme. Jo më kot është thënë se në vorbullën e ngjarjeve të kësaj kohe të turbullt populli dallon më të rëndësishmen dhe i jep asaj vendin që i takon në këngë.
Figura kryesore në këto këngë është vetë Ali Pasha. Por, krahas tij, poeti popullor lab nuk harron të portretizojë luftëtarët, trimat, prijësit, gratë, miqtë e tradhëtarët, pushtuesit, etj. Në këngët për Ali Pashën gjejmë emrat e Boçarit e Xhavellës, Thanas Vajës e Çaush Hormovës, Hankos, Shanishashë, Vasiliqisë (nëna, motra e gruaja e Ali Pashës), djemtë e pashait, deri edhe Lord Bajronin, si dhe vetë popullin e Labërisë, hormovitët, himariotët, kardhiqiotët e kurveleshasit,
të gjithë trima levendë
çe punojnë keq dyfeknë.
* * *
Nëse bëjmë një renditje të këngëve popullore sipas kronologjisë së ngjarjeve që përshkruajnë del qartë qëndrimi i popullit ndaj figurës së ndërlikuar të Ali Pashës. Ai përshkruhet me cilësi të jashtëzakonëshme, por këto cilësi në këngën e popullit do ti fitojë kryesisht pas vdekjes. Si në një skenar filmi dokumentar, poetët popullorë fiksojnë , këngë pas kënge, çdo ngjarje të rëndësishme të jetës e të bëmave të Ali Pashë Tepelenës duke na lënë një dëshmi të pashembullt të një jetëshkrimi të kënduar. Edhe kolona zanore, isoja e mirënjohur labe, është gjithnjë aty…
Kështu, në këngë përshkruhet lindja e Aliut:
… Hanko kur polle Alinë
ndriti bota vetëtimë…!
djalëria e rinia me trimëritë, dredhitë, grindjet, mëritë, pusitë etj:
…Që kur ishte çilimi
në shokë bënte beli
kur gjëmonte e binte shi
merrte shenjë në llami
Kush e njih Ali asllanë
gjithë ditën loste me pallë ,
… Ali Pasha kur qe djalë
në Hormovë e kish inanë…
përgatitja e vendit për luftë
… Bëre ura të mëdha
dhe 101 kala…
masakrat e mizoria e pashait:
… Në fushë të Valaresë
Ali Pasha i pabesë
Preu katërqind e pesë…
zgjerimi e forcimi i pushtetit me luftë, me shpatë ne dorë:
… Hajde Ali Pashë hajde
Jatagan të gjatë pate
Janinë e Shkodër më kape!
kulmi i lavdisë dhe prishja me Sulltanin:
Gjarpëri që drodhe dhenë
Zaptove gjithë sterenë
Vure sedër dhe me mbrenë…
Qëndresa epike:
Kjo kalaja me bedena
shih se çtrima që mban brënda
Ali Pashën me shtatë zëmra.
rrethimi i pashait, shpresat e përpjekjet e fundit:
Ali Pasha ezhdërha
I rrethuar nga jezitë
Bën tertipe të mëdha
Zgjuar natë e zgjuar ditë…
vrasja pabesisht:
… Qysh besoi ai burrë,
Ai që sbesonte kurrë?!
pasvdekja:
Kokën në Stamboll ta prunë,
nismën ta bënë përdhunë.
Qëndrimi i poetit popullor ndaj figurës së Ali Pashait duket dhe në figurat stilistike që përdoren për të ndjerrë në pah cilësitë e tij. Ky qëndrim vihet re si në zgjedhjen e epiteteve, metaforave, hiperbolave që populli nuk ia kurseu Ali Pashait për ti theksuar cilësitë të tilla si forca, bukuria, burrëria, madhështia, zgjuarsia, trimëria, krenaria, fisnikëria, largpamësia, ashtu dhe kur e xhvesh prej tyre për ti nxjerrë në pah cilësi të tjera në antitezë me të parat, si dinakëria, pabesia, egërsia, mizoria, etj. Po sjellim shembuj që na duken më domethënës për të dy grupet e mësipërme:
1. Ali Pasha ezhdërha, gjëmimi që gjëmon, astrit i gjarpërinjve, Ali Pashë mbreti, asllan, (luan), sorkath, Ali pashë drëri, Ali baruti, Ali Pasha i kalave, Ali Pasha i trimërisë/nderi gjithë Shqipërisë, Ali pashë nuri, etj.
2. Aliu i zi, Ali pasha i pabesë, i bir i Hanko kapesë, Ali Pashë festekuqi, që lot me çengi nga Narta, Ali Pasha lugati, etj.
Por ka edhe këngë ku populli e xhvesh vezirin mbi vezirë nga të gjithë titujt e tij, ia heq edhe dafinat e lavdisë, edhe baltën e sharjeve, duke e quajtur thjesht Ali:
Kam një fjalë për Alinë…/ Pse Ali se bëre mirë / su lidhe me Gegërinë?!
Poeti popullor shpreh me këto vargje të thjeshta, vlerësimin e tij për politikën e Aliut, duke theksuar me një qartësi të habitshme domosdoshmërinë e bashkimit të vendit
Nga Arber Bilbili
http://www.alipasha.tepelena.com/antologji/ali.kenga.labe.htm


Leave a Reply