Nga Hyskë Borobojka
HUMOR DHE SATIRE
Të vjen inat sa të pëlcasësh, kur dalin ca paloburra, ca hiç prej hiçve dhe thërrasin e bërtasin se jemi dallëndyshet e demokracisë. Po hë, more burra, durohen këta muteberrë e çapaçulë?! Pa ndaleni pak yryshin, që keni marrë more zotërinj, se ka burra përmbi burra, që nuk kanë ngrënë vetëm bukë, por edhe barutin me grusht. Demokrat dhe patriot i kulluar e pa mardha, si ajo dëbora e pa shkelur në majën e Korabit jam unë, vetë dora, që po shkruaj këto radhë, nuk ka tjetër dhe nuk mund të ketë. Nuk ka gjë, se nuk kam dalë sheshit e t’ia bëj fora, siç bëjnë ca pinxho, që nuk lënë vend e kuvend pa u mburrur e vetëlavdëruar, se janë ajka e patriotizmit dhe lulja e trimërisë. Më shikoni mua?! Nuk ua mbush syrin? Mësojeni dhe mos e harroni kurrë deri sa t’u regëtijë zemra në kraharor. Patriotizmin dhe demokracinë e kam në gjak dhe e kam trashëguar brez pas brezi.. A nuk ishte gjyshi im, i djektë nuri atje ku ka rënë, që me flamur në dorë, në krye të Ballit Kombëtar hyri i pari në qytet. A nuk ishte në krye, përsëri gjyshi im, me flamur në dorë, kur zbritën nga malet partizanët trima e çliruan qytetin! A nuk është kjo një përfaqësim me të dy duart të pluralizmit politik që në vezë, apo siç thonë tani që në embrion?! Dardha nën dardhë do të bjerë, ku ka rrjedhur do pikojë, oxhaku nuk bëhet buxhak. Prandaj edhe unë gjithnjë kam qenë kundër diktaturës e monizmit, që atëherë kur atë s’e kishte pikasur asnjeri, por thërrisnin sa u ngjirej zëri: “Urra! Urra!” e duartrokisnin sa u bëheshin me kallo pëllëmbët e duarve. Do të thoni, pse s’e hape gojën, pse s’e denoncove, pse s’e luftove, por e aprovove dhe i bëre temena sa u lodhe, pse, pse…Këtyre pyetjeve ia kam lënë, që t’ua japë përgjigjen historia, kur t’i vijë mbarë!
Unë bre dhe vetëm unë kam qenë dhe jam patriot e demokrat i kulluar. Do të thoni pse s’dole në shesh të burrave, si shumë të tjerë. Vërtet nuk dola, por ua them hapur, sepse andej nga na del fjala do na dalë shpirti. Gjithnjë në pezul të penxheresë kam qëndruar. Vërtet larg syve, por afër zemrës. Dhe mos harroni, se syri të le të verbër, por zemra ta bën sheshin breg. U ngritën studentët në dhjetor. Nuk kishin të mbaruar ata që vinin i përshëndesnin, i uronin e zotoheshin se ishin me ta. Tri herë u bëra gati të vija edhe unë, por nuk vajta dot. Pse, do thoni?! Kisha marrë një të ftohtë, që nuk e merrja vesh nga më vinte, nga e majta apo e djathta. Por mendjen e zemrën atje i kisha. Kur thërrisnin ata: “Poshtë diktatura!”. “Poshtë e më poshtë!” – thërrisja edhe unë pranë sobës në shtëpi.
Atë ditë, që u mblodh mileti, si mizë lisi në sheshin “Skënderbej” e i hodhi kavon në grykë diktatorit, duke e tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Tiranës, vërtet nuk isha atje me trup, por isha me zemër. Nga vrima ku isha futur thërrisja sa mundja:
-Mirë ia bënë firaunit, se na la në ditët të hallit e na detyroi të hanim bar, si bagëtia!…
Erdhën zgjedhjet e para pluraliste. Veshët i mbaja ngritur pipëz, për ta kthyer gunën andej nga do frynte era e fitores. Era fryti nga ana e Partisë së Punës. Në llogoren e saj u gjenda edhe unë e thirra sa munda:
-Parti gjithë bota!
Dhe ngrita dolli e shëndete për të sa u lodha.
Por ç’e do, e gjora parti, që e kishte bërë zap vendin pesëdhjetë vjet me radhë, nuk po e mbante dot as pesëdhjetë ditë. Në vendin e saj erdhi “Qeveria e Stabilitetit”.
-Me këtë forcë të re jam edhe unë! – thashë, dhe s’e bëra fjalën dy. – Kjo do ta stabilizojë vendin, që po merr rrokullimën. Kot nuk e mban këtë emër famëmadh!
Kur e pashë se kjo qeveri, që do t’i „stabilizonte “ hallet e kusuret e vendit s’po e nxirrte qimen nga qulli, e ngrita zërin e thashë:
-Lipsur qoftë edhe kjo se na mori më qafë, prapa diellit vaftë, që të mos ia shohim më bojën e të mos ia dëgjojmë emrin!
Ditët, javët e muajt kalonin si dhentë në shtrungë. Më në fund erdhën zgjedhjet e reja. Kësaj radhe s’më duheshin më komunistët, që ua pashë hairin dyzet e kusur vjet, as socialistët që ndryshuan emrin, por jo zakon, “Demokrat e patriot” i kulluar kam qenë e jam. Përse mos hyja nën çadrën e atyre që fituan?! U bëra jo vetëm simpatizant i saj, po edhe anëtar me teser në xhep. Kur zë të lozë i varfëri çahet daullja Nuk qe kësmet ta gëzoja e t’i shihja hairin kësaj pune, se vendi u bë rrëmujë, digj e shkatërro. Në disa vende dolën, si burra të zotë edhe “Komitetet e Shpëtimit’. Edhe unë, për “shpëtimin” e vendit isha. Pse ta ha haram, u bëra anëtar i tyre, pasi dhe gjyshi, rahmet pastë, ka qenë në “Komitet”. Edhe sot e kësaj dite i këndohet kënga:
Ke tre vjet ne Komitet,
Medet o Hysen, medet,
Seç bëje dyfek, me një palo grek!
Por shpejt e mora vesh se këta “Komitet” e rinj nuk ishin si ata të vjetrit. Nuk bënin dyfek as me “një palo grek”, siç ishin andartët e 14-tës, as me pushtuesit italianë të 1920-tës, por me bankat, prokuroritë, gjykatat, pallatet e shtëpitë e kulturës, arshivat, rrëmbenin e shkatërronin çfarë u delte përpara.. Kur pashë se flamurin e fitores po e rrëmbenin përsëri të majtët e “politikës së re”, edhe unë zemrën në gjoks nga e majta e kam e jo nga e djathta, prandaj zura vend në llogoren e së majtës të rinovuar. Përsëri partitë i ndërruan portat, si në lojën e futbollit, si gjithnjë, me fitimtarët kam qenë e me ta do të jem, prandaj e ktheva fletën e u bëra përsëri “Patriot i kulluar” e “demokrat” i thekur dhe zura një vend të mirë në radhët e kësaj force politike. Por ku të lënë zgjedhjet që bëhen njëherë në katër vjet, prandaj në këto zgjedhje të reja, mbeta i mbërthyer përpara ekraneve të televizorëve, duke pritur se cilit krah po i buzëqeshte fitorja. Por eja e merre vesh se ku fle lepuri, prandaj pres, pres, dhe përsëri pres, që virani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i japë fund kësaj pritjeje të tejzgjatur të numërimit të votave e të thotë si burrat: “Zgjedhjet i fitoi krahu… Po cili krah, që të di dhe unë i gjori në cilin krah të betejës të zë vend”?!
Dy ditë qëndrova qiri më këmbë përpara ekraneve televizivë, sa më mbeti qafa shtrembër, për të mësuar se cila forcë politike qëndronte në krye, “politika e re” apo “e vjetra”?! Çudi, natyra apo Zoti ma ka vendosur zemrën në krahun e majtë të gjoksit, por ajo e thyen “bllokadën” e shkon nga “politika e vjetër”, prandaj si patriot e demokrat i kulluar, kam shkuar, shkoj e do të shkoj gjithnjë pas shumicës fitimtare, se “delen që ndahet nga kopeja e ha ujku”.
Telegraf
Arkiv


Leave a Reply