Aq poshtë ranë kalemxhinjtë filogrekë sa harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë historinë e familjes së shquar të Frashërllinjve, që krahas çështjes kombëtare, dha një kontribut të çmuar në administratën e atëhershme turke. Më e dallueshme në këtë drejtim ka qenë puna shkencore e Samiut. Po ndaj tij, gazeta greke e asaj kohe lëshon një lumë akuzash e sulmesh personale. Arrijnë deri atje sa i thonë se edhe mendjen e ka nga ata. Po ku kishte ky njeri një të metë. E vetmja, sipas grekëve, ishte se Samiu kishte harruar bukën që i kishin dhënë grekët, kur kishte studiuar në gjimnazin “Zosimea” të Janinës.
“Shyqyr zotit, thotë Samiu, nuk kemi patur nevojë për ta na ushqyer të tjerët”. Dhe vërtetë ai s’ka marrë bursë ose ndihmë financiare greke, por, siç dihet, për të shpenzonte vëllai më i madh i tij, Avdyli, që e kishte nën mbikëqyrje e kujdes. “Për këtë ka inat, thoshin kalemxhinjtë e fletushkës greke”. Por edhe këtë problem Samiu e qartëson mirë, duke thënë se nuk jemi rritur me edukatën greke, vetëm kemi mësuar gjuhën greke, në një shkollë greke. Ne nuk kemi ndjekur këtë shkollë për t’u ushqyer si “epitropos”, por për të marrë kulturë.
Më tej Samiu përmend se shkolla greke, edhe ato të Athinës janë ngritur nga toskët, siç është një nga ata, Zhapa, dhe mbahen me shpenzimet e tyre. Duke përfunduar Samiu shkruan: “Mos u dashka vallë që një njeri që ka qenë në një shkollë greke, e cila gjendet në territorin e perandorisë osmane ose edhe në territorin grek, të tradhtojë origjinën dhe kombësinë e vet, për të përkrahur pretendimet e padrejta të grekëve? A nuk do ta quante të ligjshme e ta miratonte “Neologosi” shërbimin që do t’i bënte një grek që ka studiuar në Petersburg, panësllavizimit në vend të interesave greke.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply