
(Përkujtim me rastin e 25 – vjetorit të vrasjes në Bruksel)
Nga Tomë Paloka
Më 25 shkurt te vitit l990 dora kriminele e atentatorëve serbë, ia shuan jetën Enver Hadrit, intelektualit, poetit, dilplomatit të parë të Kosovës, arkitektit dhe njeriut të patrembur, bujar e atdhetar që punoi në projektin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës në Parlamentin e Europës në Bruksel të Belgjikës.
Enver Hadri lindi më 2 prill të vitit l941 në një familje intelektuale në Pejën pitoreske.
Po ajo dorë kriminele e dikurshme e quajtur OZNA jugosllave në natën e Vitit të Ri l945 ia shoi jetën babait të tij, intelektualit të rrallë të Pejës, Islam Hadrit. Enver Hadri mbeti jetim qysh në moshën katër vjecare, duke u burrëruar para kohe dhe duke mos ditur se po ajo dorë e zezë tani e shndërruar në UDB jugosllave do t’ia shuajë jetën edhe atij më 25 shkurt te vitit l990 në moshen 49 vjecare, atëherë kur i duhej më së shumti Kosovës dhe familjes së tij.

Enver Hadri pasi kryen shkollën fillore dhe të mesme në Pejë studijoi arkitekturen në Lubjanë të Sllovenisë, ku vepronte në ilegalitet për të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës. Demonstratat e vitit l968 në Prishtine i dhanë zemër edhe më shumë Enver Hadrit për të vazhduar punën patriotike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, kur ranë ne burg disa shokë të Enverit pas demonstratve të vitit l968, jeta e tij ishte në peshoren e rrezikut, kështu që Enver Hadri vendos të arratiset në Bruksel të Belgjikës, duke e krijuar Komitetin për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës, kur ai torturohej, vritej e masakrohej nga regjimi barbar serb, përmes të cilit komitet ai sensibilizoi në Parlamentin europian në Bruksel cështjen e shkeljes së të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë.
Në Parlamentin e Europës në Bruksel, ai me argumentet e tij, pamjen e tij dhe sjelljet më njerëzore i pervetësoi zemrat e parlamentarëve europianë, sikur të kishte ndonje fuqi hyjnore.
Së këndejmi, Enver Hadri për një kohe të shkurter,duke debatuar në Parlamentin e Europes arriti të aprovohen rezoluta për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, duke botuar “Zërin e Kosovës”, duke i bashkuar shqiptarët nën një front të përbashkët kundër armikut serbo-okupator. Kështu, ai u bë i dashur për shqiptarët, por, i rrezikshëm për interesat serbomëdha të Beogradit, duke u bërë diplomati dhe ambasadori i parë i shtetit në krijim të Kosovës si dhe shembulli më i mirë se si luftohet për atdhe. Prandaj, dora kriminele serbe e likuidoi në vitin 1990 në Bruksel.
Në varrimin e këtij kolosi të diplomacisë dhe të atdhetarisë, përvec shqiptarëve të qyteteve të Europës Perëndimore mori pjesë edhe një delegacion i shqiptarëve nga Amerika në krye me Joseph Dioguardin , kryetarin e Lidhjes Qyetare Shqiptaro-Amerikane, duke iu përkujtuar shqiptarëve të atjeshëm se SHBA-të janë me juve dhe në anën e të drejtës njerëzore dhe se Enver Hadri do të jetojë në zemrat e të gjithë shqiptarëve. DioGuardi foli me atë rast edhe në Parlamentin europian për këtë vepër makabre të sigurimit ish jugosllav mbi shqiptarët e Kosovës.
Për meritat e jashtëzakonshme të Enver Hadrit, të këtij kolosi të diplomacisë dhe të atdhetarisë dhënë cështjes së Kosovës, Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova e dekoroi Post mortum “Hero i popullit të Kosovës”.


Leave a Reply