Shkruan: Donika V. Gashi –
Po te ishte në doren time, s’do të kishe të drejtë as të shprehje mendime, me këtë mentalitet që ke. Por ja që jetojmë në një shtet demokratik, ku liria e fjalës të lejohet me Kushtetutë dhe që unë e respektoj deri në vdekje.
Fillimisht shoh qe keni mungesë të informatave se pse ka rënie të martesave dhe lindjeve.
Gruaja, apo çupat si i referoheni ju, sot më shumë se kurrë kanë qasje në shkollim dhe punë, faktorë që automatikisht ndikojnë në planifikimin familjar. Vajzat dhe gratë sot kanë shumë mënyra mbrojtje nga shtatzanitë e padëshirueshme, edhe ky një fakt që automatikisht ndikon në planifikimin familjar.
I nderuar z. Demaku, ju, si dikush që ju ndjekin më shumë se 120,000 persona në rrjetet sociale, ju që predikoni mendimin pozitiv, ju që duhet te kishit ndikim pozitiv në shoqërinë tonë, duhet të ishit shumë i kujdesshëm në deklaratat tuaja, që ndër të tjerash, janë seksiste. Çka është më e keqja, ju vazhdoni dhe arsyetoni veten, bile duke marrë shembull librat e shenjtë(që janë shumë diskriminues ndaj gjinisë femërore) e duke thënë se fëmijët duhet të martohen herët. Ne sot me mish e me shpirtë luftojmë për të drejtat tona, për të qenë të barabarta në shoqëri, përderisa ju, që gabimisht konsideroheni si një intelektual, dilni e predikoni budallallëqe.
Tragjedi kombëtare, i nderuar z. Demaku, është që më shumë se 70% e të rinjëve sot ne Kosove nuk kanë punë. Tragjedi kombëtare është të bëni thirrje që të rinjte të krijojnë familje kur ata nuk mund t’i ofrojnë fëmiut as kushtet elementare për jetesë, që do të thotë se në kohë afatgjate do të krijohen me shumë të pashkolluar e të papunë, që do të qojë në degradim e jo në zhvillim të shtetit.
Tragjedi kombëtare, i nderuar z. Demaku, janë njerëz me pikëpamjet si tuajat. Në vend se të kërkoni nga shteti zhvillim ekonomik, social e kulturor, vetëdijësim për barazi gjinore, gjë që në fakt do të rriste krijimin e familjeve të reja, ju gjeni gruan ta sulmoni për mos-martesë.
Tragjedi kombëtare është të mendoni se keni të drejtë të përziheni në të drejta shumë personale, që nuk iu takojnë në asnjë mënyrë juve. Tragjedi kombëtare është që në shekullin 21, në vend se të bëhet thirrje për shkollim dhe avansim intelektual, nxitet rinia që të martohet sa më herët.
Përmes kësaj letre të hapur, unë dhe shume çupa të tjera, duam që t’i tërhiqni fjalët dhe të kërkoni falje publikisht për ofendimin që na e keni bërë.
Sa harxhoni energjitë duke na “mësuar” si të martohemi e krijojmë familje, dilni e kërkoni nga shteti më shumë punë për të rinjtë dhe të drejta të barabarta për gjininë femërore.
Responses
Daut Demaku
Në këto komunikimet tona, po më duket mua, na ndodhi një keqkuptim i rëndë.
Fola për martesat, për numrin e madh të vajzave të pamartuara dhe, më këtë rast, e kam përdorë një fjalë të urtë popullore, që thuhet në Skrapar: ÇUPA DHE I VDEKURI NUK MBAHEN NË SHTËPI!
Kjo fjalë e urtë sigurisht ka dale nga ato katër detyrimet e shpejta, që thuhen në librat e shenjtë. (Katër detyrimet: fëmijët të martohen herët, i vdekuri të varroset shpejtë, borxhi të kthehet shpejtë dhe PENDIMI të jetë i shpejtë…)
Mirë. Keqkuptimi po duket të jetë këtu: vajzat e pamartuara i paskam bërë të barabarta me kufomën që duhet të nxirret nga shtëpia dhe të varroset.
Në qoftë se kështu është përkthyer kjo fjalë e urtë, në qoftë se vetëm një vajze të vetme do t’i ketë shkuar mendja se unë mendoj kështu, atëherë NJËMEND KËRKOJË FALJE!
Unë i kam tri pika të dobëta:
1. Të respektohet e nderohet femra deri në masën E MERITUAR! Jam i bindur se pa femra të mençura e të vetëdijshme – nuk mund të ndërtohet ardhmëria!
2. Të bëjmë çka është e mundur të bëhet që të ndikojmë në rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Kur them rritë të shëndetshme, mendoj edhe në shëndetin fizik, por sidomos në shëndetin mental.
3. Ta ruajmë minimumin e falënderimit për mërgimtarët dhe t’i nxisim e t’i kultivojmë takimet me fëmijët e tyre, që janë potencial i pamatshëm për atdheun e kombin.
Nëse në këto tri pika më gjeni ndonjë GABIM, jam i gatshëm të kërkojë falje, sepse me ato gabime nuk e lëndojë askënd më shumë se PARIMET E MIA.
Me dashuri, Daut Demaku
http://argumentplus.al
Leave a Reply