Është e rëndësishme ta kuptoni fëmijën që ka hyrë në këtë moshë, si dhe të keni lidhje të shëndosha me të. Fëmija juaj, dikur i vogël, tashmë është më i rritur dhe po përballet me ndryshime të mëdha, prandaj, nuk do t’ju vlejnë më metodat e mëparshme të edukimit.
Ai, siç ndryshon fizikisht, pëson ndryshime të mëdha edhe nga ana shpirtërore. Kështu që edhe juve ju ka ardhur koha të ndryshoni disa gjëra. Fillimisht duhet të prisni që fëmija të hyjë mirë në këtë periudhë dhe të ruhemi nga të qenit pengesë e zhvillimit, mbylljes ose largimit të tij prej jush. Ndoshta ndodh shpesh të keni probleme në komunikim me fëmijën, por, mos harroni, që edhe ju vetë duhet të përshtateni me këtë gjendje të re.
Çfarë duhet pasur kujdes gjatë kësaj periudhe?
• Prindërit duhet të jenë shembuj
Marrëdhëniet me bashkëshortin ose bashkëshorten ndikojnë tek fëmija në çfarëdolloj moshe qoftë ai. Nëse në familjen tuaj mbizotëron dashuria dhe respekti mes individëve të saj, kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj që në të ardhmen të formojë marrëdhënie të shëndosha me të tjerët.
• Adoleshenti duhet dëgjua dhe jo të ndrydhet
Nëse nuk e dëgjoni dhe nuk e respektoni adoleshentin, edhe ai nuk do t’ju dëgjojë ju. Ajo që bëjnë më shpesh nënat dhe baballarët është: jo vetëm që nuk e dëgjojnë atë që thotë fëmija, por mundohen të përçojnë tek ai gjërat që ata dinë dhe ta orientojnë me çdo kusht sipas kësaj mënyre. Një metodë e tillë do t’ju vërë në pozitën e një njeriu që nuk i dëgjohet fjala dhe nuk kuptohet si duhet. Kjo do të bëjë që të ndesheni me kundërshtimin e fëmijës suaj edhe atëherë kur ju keni të drejtë.
• Kërkojnë shumë dashuri
Fëmijët, si në moshën 1 vjeç, ashtu edhe në moshën 20 vjeç kanë nevojë për dashuri. Fëmija që beson se nuk i jepet dashuri e mjaftueshme nga nëna dhe babai, vihet në kërkim të saj. Ai fillon ta kërkojë dashurinë dhe respektin në vende të tjera. Fëmija, i ndodhur në një situatë të tillë, mund të shoqërohet me shokë jo të përshtatshëm dhe pas njëfarë kohe fillon të demonstrojë sjellje që nuk i përkasin atij.
• Ndikimi i sinqeritet në marrëdhënie
Fëmijët në këtë periudhë janë shumë të ndjeshëm ndaj sinqeritetit. Asnjë i ri nuk do t’i hapet dhe nuk do të flasë me dikë që nuk është i sinqertë. Prandaj, kur shprehni mendimet tuaja, duhet t’ia bëni të ditur që jeni të sinqertë dhe që në çdo rast jeni pranë tij.
Kjo moshë, megjithë vështirësitë që ka, është dhe mbetet një nga periudhat më të bukura dhe më krijuese në jetën e një njeriu. E rëndësishme është që t’i mbështesim fëmijët tanë të përshtaten sa më lehtë me ndryshimet që sjell kjo moshë. (Living)


Leave a Reply