Tahir Nebih Meha u lind më 10 tetor 1943 në Prekaz të Drenicës. Ai vjen nga një familje e aktivistëve që kishin ndikim edhe jashtë rrethit ku banonin. Familja e tyre ishte e njohur për aktivitete politike kundër sistemit të regjimit, dukuri jo e rrallë në Prekaz të Drenicës. Familja e tyre ishte e njohur për kullën e Mehajve, e të atit Nebihut.
Gjyshi i Tahirit, Emin Lati, ishte pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare Kaçake të Kosovës, bashkëluftëtar i Azem Bejtës. Nga bashkëluftëtaret shihej si burrë i vendit e i kuvendit, symprehti i Çetës. Pas vrasjes së Azem Bejtes, më 14 qershor 1924, Emini e ruajti pushkën e Azemit me admirim e me krenari dhe më 1941, ia dorëzoi të birit, Nebihut, që ky ta nderonte shqiptarinë në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës në Sanxhakun, pjesë historike të Shqipërisë. Pushka e Azem Bejtes në dorën e Nebihut shkëlqeu edhe në Luftën e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës dhe në Luftën e Tahir Mehës.
Shkrimtari nga Drenica, Bedri Tahiri, i cili në repertorin e tij bibliotekar ka shumë libra për luftërat e shumë trimave të Drenicës, ka kujtuar 13 majin e vitit 1981, ditën kur u vra Tahir Meha.
“Më 13 maj të vitit 1981, në një mot me shi, në kullën dykatëshe babë e birë po kuvendonin qetas pa e ditur se hijenat tinëzare natën pa hënë, kishin vënë kurthe e leqe. Krisën pushkët e para nga kati i parë ku ishte baba Nebihu dhe fëmijët, ndërsa nga katin e dytë Tahiri, trimi sypatrembur. Në të errur, një tank zinxhiror u sul drejt kullës së paepur, e cila zu të shembej. Salën tremuajshe në djep e shpëtoi trari gjysmë i djegur, ndërsa vajza tjetër Mihrija, lidhte plagën vetë. Babë Nebihun e kishte marrë përjetësia. Pas 18 orësh heroizmi e qëndrese, dragoi fluturoi mbi tank dhe çau rrethin e parë. Kur po i afrohej malit, reflektori i helikopterit e zbuloi, i cili e lëshoi një breshëri plumbash, që qëlluan Tahirin, për të mos vdekur kurrë…”, është shprehur Tahiri.
Historia e Kosovës do të ishte ndryshe nëse më 13 maj të vitit 1981 familja e Tahir e Nebih Mehës nuk do të qëndronte, nëse ajo nuk do të kryente aktin e mbrojtjes së shtëpisë, të fytyrës dhe të nderit, që ishte akt i mbrojtjes kombëtare, vepër e dinjitetit të njeriut të kësaj treve, që armikut ia dha përgjigjen çfarë e meritonte prej kohësh.
Gazeta SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply