
Intervista/Flet studiuesi Uran Asllani
Pregaditi: Armand Jonuzi Gazeta “Tirana Observer”
Në kohën e Zogut ishte më vështirë të bëheshe diplomat se sa sot. Uran Asllani, një nga studiuesit e diplomacisë shqiptare të viteve 1914-1944, si dhe djali i një prej diplomatëve më të shquar shqiptarë të viteve ‘30, tregon se një diplomati në atë periudhë i duhej të kalonte disa “sita” që të emërohej në këtë detyrë. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, ai rrëfen të gjitha kriteret që duhet të përmbushte një person që pretendonte të bëhej diplomat. Gjithashtu ai tregon se kur e ka zanafillën diplomacia shqiptare, me cilat vende vendosëm marrëdhënie diplomatike dhe cili ishte misioni i tyre. Kush janë figurat më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare të asaj kohe. “Tirana Observer” boton edhe listën me emrat e diplomatëve që nga viti 1914-1944. Në numrin e ardhshëm gazeta do botojë listën e të gjithë diplomatëve nga viti 1944 deri në vitin 2007.
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Kur ka nisur historia e diplomacisë shqiptare?
URAN ASLLANI: Historia e diplomacisë shqiptare është ndofta më e hershme se sa vetë historia e shtetit shqiptar, sepse veprimet diplomatike në objektiv krijimin e shtetit shqiptar, pavarësinë e tij, kanë filluar para se sa të ngrihej Flamuri në Vlorë. Madje, veprimet e para kanë qenë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Një nga personalitetet e jetës politike shtetërore të asaj kohe, që në të njëjtën kohë ka qenë edhe diplomat i shquar i Perandorisë Osmane, ka qenë një nga atdhetarët shqiptarë me emrin Abedin Pashë Dino. Ky njeri, fill pas Kongresit të Berlinit, ishte ministri i Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, dhe si i tillë ka lozur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në mbrojtjen e trevave dhe trojeve shqiptare në suazën e mbrojtjes së Perandorisë Osmane. Ndaj, veprimtaria diplomatike shqiptare nuk duhet kuptuar si një veprimtari shtetërore, por si një veprimtari që ka pasur si synim mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare. Shpesh na thonë se Rilindja shqiptare është e vonshme, ndërkohë kur shtete të tjera të Ballkanit, Rilindjen e tyre Kombëtare e kanë pasur para dy shekujsh, një shekulli. Ne e filluam veprimtarinë e Rilindjes Kombëtare, atëherë kur u paraqit rreziku i zhdukjes së tërësisë territoriale kombëtare,atëherë kur e kuptuam se Turqia nuk mund të na mbronte. Atëherë u ngrit një Rilindje Kombëtare që në kuadrin e Perandorisë Osmane, ishte për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë me katër vilajetet. Nëse do ishin tani bashkë katër vilajetet, Shqipëria do ishte mbi 4 milionë. Pra, është vilajeti i Janinës që shkonte deri në Prevezë, nga ishte edhe Abedin Pashë Dino. Ishte vilajeti i Manastirit, vilajeti i zonës së Shkodrës dhe vilajeti i Pejës, Kosovë-Shqipëri. Vilajeti i Shkodrës takonte me Manastirin, edhe Janina takonte me Shkodrën e Manastirin dhe përfshinin brenda Beratin, Vlorën dhe Elbasanin. Pra, atëherë mund ta kemi zanafillën e historisë së diplomacisë. Por fillesat zyrtare i kemi në periudhën e shkurtër të qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit, kur kjo periudhë koincidoi edhe me Konferencën e Ambasadorëve, dhe që për rrjedhojë Shqipëria duhej të prezantohej në Konferencën e Ambasadorëve me një delegacion dinjitoz. Dhe ky delegacion u përbë nga njerëzit më të shquar të asaj kohe, në krye të së cilit Ismail Qemali kishte vënë të birin e Abedin Pashë Dinos, Rasip Dinon. Në një nga telegramet që i dërgon Ismail Qemali atij, i thotë: Kam bërë një telegram që ti je i deleguari i qeverisë shqiptare. Dhe ai në Londër, Paris, Vjenë, Romë, kudo ka mbrojtur të drejtat e shtetit shqiptar në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve dhe pastaj, gradualisht, në të gjithë fazat e shtetit shqiptar diplomatik.
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Me cilat vende vendosëm marrëdhënie diplomatike?
URAN ASLLANI: Fillesat e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ishin pikërisht atëherë kur u kujtua se shteti shqiptar u formua dhe u konsolidua me vendosjen e një princi të huaj. Se historia e Ballkanit është e çuditshme. Të gjitha shtetet që u krijuan në Ballkan, Fuqitë e Mëdha të Evropës nuk ua besuan udhëheqjen e shtetit njerëzve të vendit. Për shembull, në Bullgari çuan princ gjerman, Ferdinantin. Në Greqi, çuan princin danez, Kotonin; në Rumani princ gjerman. Bënte përjashtim vetëm Serbia, që ishte një mbretëri e vjetër, edhe atje me divergjenca të dy familjeve mbretërore, Karaxhexhoviçët dhe Obramoviçët. Ndërsa në Shqipëri sollën princ Vidin. Pikërisht atëherë, në qershor të vitit 1914, ne çuam dy përfaqësuesit tanë në dy shtete, që ishin me të vërtetë në atë kohë të rëndësishëm për ne, Austro-Hungaria dhe Italia. Nuk bëhej fjalë për Jugosllavinë atëherë, që ishte një Serbi e vogël dhe nuk bëhej fjalë as për Greqinë. Pra, në këto dy vende, qeveria e Turhan Pashë Përmetit dërgoi dy personalitete që kishin qenë edhe përpara në kohën e Perandorisë Osmane njerëz me rëndësi. Këta ishin Syrja Vlora, deputet, dhe Eqerem Libohova, komandant regjimentit të Gardës. Pastaj gradualisht, tamam-tamam, vendosja e marrëdhënieve diplomatike është bërë pasi ne u njohëm nga Lidhja e Kombeve si shtet. Kjo ka ndodhur në nëntor të 1921-shit. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk kishim përfaqësues diplomatikë para këtij viti. Meqenëse ne nuk kishim të drejtën të kishim përfaqësues diplomatikë, Shqipëria në disa vende të Ballkanit kishte emigracion të fuqishëm shqiptar dhe ata kishin nevojë për të mbrojtur të drejtat e tyre, hapi në këto vende zyra konsullore. Të quajtura “zyra të pasaportave”. Këto u hapën në vitet ‘20-‘21 dhe me t‘u njohur Shqipëria si shtet i pavarur, këto zyra u transformuan në konsullata, në kryekonsullata ose në përfaqësi diplomatike në rang legate. Kështu ndodhi në Greqi, në Turqi, në Angli, Francë, Itali e në Jugosllavi. Dhe çudia më e madhe ishte se megjithëse SHBA, asokohe nuk kishin fuqi të përfaqësonin fatin e shteteve, nga shkaku i emigracionit të madh shqiptar që kishim në Amerikë, ne hapëm një zyrë konsullore dhe përfaqësi diplomatike në Uashington. Atje u vu një njeri, ndër të paktët e asaj kohe, doktor i shkencave juridike, Kostandin Çekrezi.
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Cili ishte misioni i tyre?
URAN ASLLANI: I ndërthurur me motivet pse u hapën këto zyra pasaportash, evidentohet edhe misioni i tyre. Misioni i shërbimit diplomatik shqiptar ishte me dy këndvështrime. Këndvështrimi më utilitar, ishte mbrojtja e interesave shqiptare, në këndvështrimin e pajisjes me pasaporta, me viza, që shqiptarët të kishin një dokument me të cilin të njihej nënshtetësia. Një kuriozitet, babai im dhe shokët e tij studentë, kur vajtën në Vjenë, nuk kishin dokumente fare, dhe atë ditë kur Gjergj Pekmezi i pajisi me dokumente shqiptare, e ndjenë veten tamam se ishin shqiptarë. Funksioni i dytë ishte, që pak a shumë në një mënyrë apo tjetër, të normalizonin marrëdhëniet apo të evidentonin të drejtat që kërkonin shqiptarët. Veçanërisht, deri në kohën kur u përcaktuan kufijtë. Domethënë çështja e kufijve filloi në 22-shin dhe mbaroi në 25-ën. Por në mënyrë të veçantë ishte edhe vendosja e marrëdhënieve tregtare me këto vende me traktate. Ka qenë një periudhë kohe kur Shqipëria eksportonte sasi kolosale lëkure, leshi, djathi. Dhe këto punë duhej të merreshin në formën e traktateve tregtare, të mbroheshin të drejtat e eksportuesve. Pastaj, ishte edhe problemi kur shteti shqiptar u konsolidua dhe ishte e nevojshme një ndihmë ekonomike, financiare, teknike, legjislative në këndvështrimin kompleks të një shteti. Atëherë Shqipëria filloi një politikë, ku kërkohej të mbështeteshim tek anglezët. Mirëpo, me disa traktate ndërkombëtare që ndodheshin në Evropë, Anglia u tërhoq dhe i mbeti ekskluziviteti Italisë të merrej me to. Kjo sepse edhe vendimi që është marrë për njohjen e shtetit shqiptar, që është marrë në 21-shin, klauzola ishte nën protektoratin italian. Shpeshherë kur lindte problemi që diplomacia shqiptare dhe Zogu të kërkonte ndihëm e ndonjë shteti të madh, thoshin, këtë punë ia kemi lënë Italisë. Italia kishte hapur një parullë për detin Mesdhe, i thoshin “Mare Nostro”, (Deti Ynë).
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Si zgjidheshin diplomatët?
URAN ASLLANI: Kjo është pyetje interesante. Fillimisht kur u krijua shteti shqiptar s‘kishte këllqe për shumë arsye. E para punë njëherë, s‘kishte strukturë shtetërore solide. Periudha ‘20-‘28 ishte një gjullurdi e madhe për shtetin shqiptar. Kryengritje pas kryengritjesh, deputetë kundër deputetësh, derisa arritën të dënonin Aqif Pashë Elbasanin. Dhe meqenëse ky shtet i sapoformuar nuk kishte mundësi të bënte një përzgjedhje diplomatësh, edhe për faktin se aso kohe një pjesë e madhe e inteligjencës sonë ishin nëpër shkolla, u morën në shërbim diplomatik ish-diplomatët shqiptarë në shërbim të Perandorisë Osmane si Myfit Libohova, Sulejman Delvina, Turhan Pasha, Mehmet Konica etj. Ata kishin qenë konsuj, sekretarë të parë të ambasadave osmane në Athinë, Bernë, Madrid, Romë. Turhan Pasha ka qenë ambasador gati për 25 vjet në San Petërburg, pastaj në Romë, pastaj në Madrid. Në fazën e dytë filluan të përzgjidheshin diplomatët shqiptarë të arsimuar të viteve ‘20- ‘30. Hyrja në shërbimin diplomatik aso kohe vendosej me konkurs, që në vitin 1922. Një nga kërkesat e konkursit ishte që patjetër duhej të kishe mbaruar juridikun ose shkencat politike. Kushti i dytë ishte që të njihje legjislacionin ndërkombëtar, traktatet etj. Kjo ishte nga ana teorike. Ndërsa ana praktike ishte që duhej të flisje dhe të shkruaje traktate juridike në gjuhën frënge. Unë kam parë dosje në arkivin e Ministrisë së Jashtme, traktate në frëngjisht që vetëm në Sorbonë mund të bëheshin. Nga 7-8 konkurrues, vetëm 3 fitonin të drejtën të punësoheshin. Dhe ata merrnin titullin ose gradën e atasheut. Minimalisht nga 6 muaj deri në 1 vit, ata ishin të detyruar të rrinin me këtë titull. Pastaj, nëse do bënin kërkesë për t‘u rikategorizuar, kalonte sekretar i tretë. Duhet të kalonin dy-tri vjet që të kalonte sekretar i dytë. Pastaj duhet të kalonin po aq vjet që të kalonte sekretar i dytë, dhe katër-pesë vjet që të bëhej këshilltar legate. Pastaj nga ky pozicion të kalonte në Ministër Fuqiplotë i shkallës së tretë, të dytë e më pas të parë. Në kohën e Zogut, nga 87 diplomatë që kishte, në ‘37-ën kishte vetëm 8 Ministra Fuqiplotë të klasit të parë, dhe ata ishin ish-ministra.
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Në çfarë nivelesh ishte diplomacia shqiptare ne vitet 20 – 30?
URAN ASLLANI: Diplomacinë shqiptare në kohën e Zogut mund ta ndash në dy faza: në fazën para ‘25-ës, dhe pas ‘25-ës. Në fazën e parë, diplomacia shqiptare ishte komplet një diplomaci me autoritet individual. Dihej platforma shtetërore dhe mbi atë platformë diplomati e shtjellonte vetë diplomacinë e vetë. Pas 25-ës, kur në krye të shtetit shqiptar u vendos një president republike dhe pas ‘28-ës, kur në shtetin shqiptar ky president u bë mbret, atëherë diplomacia shqiptare e gërshetonte punën e vetë me politikën që zhvillonte mbreti. Megjithatë, deri në ‘27-ën, diplomacia shqiptare ka qenë shumë interaktive. Atëherë ishte problemi ku të ngrihej një fole, të mbërtheheshin. Në ‘27-ën u mor vesh që këtu sheshin dhe përsheshin do ta bënte Italia. Në ‘26-‘27-ën u bënë dy traktate që u quajtën traktate të skllavërimit të Shqipërisë. Italia u ul këmbëkryq në Shqipëri. Solli instruktorë në administratën shqiptare dhe në ushtrinë shqiptare. Shpëtoi vetëm xhandarmëria. Xhandarmërinë Zogu ua dha anglezëve, dhe kjo ishte pjesa më e saktë gjatë periudhës së Zogut. Ndërsa ushtria ishte mjaft e dobët, e sabotuar nga italianët, xhandarmëria ishte shumë e fortë. Në këtë fazë, pas ‘27-ës, nuk është aspak e vërtetë ajo që është thënë deri më sot, që politika e Zogut ishte një politikë e nënshtrimit ndaj Italisë. Gjatë periudhës ‘27-‘38, diplomacia shqiptare, përgjithësisht, me ndonjë përjashtim, ka bërë luftë për t‘iu shkëputur Italisë, që të kishte sa më shumë të ishte e mundur mundësi zhvillimi. Unë kam një korrespondencë të ministrit të Punëve të Jashtme të asaj kohe, që i dërgonte babait tim që ishte ambasador në Londër dhe i thoshte: Situata është kjo. Ne importojmë nga Italia 34 milionë franga dhe mund të eksportojmë në Itali gjysmën milioni franga. Duhet të shkëputemi nga tutela italiane. Lufto, ti, zoti Asllani që të lidhemi me Çekosllovakinë, Gjermaninë etj. Por kjo ishte pa sukses. Pasi fati Shqipërisë ishte caktuar të ishte i lidhur katërçipërisht me Italinë. Ata tek të cilët kishte besim Zogu, anglezët, vazhdimisht e linin në dorë të Italisë. Me përjashtim të një rasti. Në ‘34-ën, për të trembur Italinë, anglezët sollën 6 anije lufte në bregdetin tonë. Por kjo ishte episodike. Përfundimisht, me gjithë politikën jashtëzakonisht intensive që ka bërë diplomacia shqiptare, veçanërisht me Raul Ficon, Xhaferr Vilën dhe babain tim, prapëseprapë nuk mundëm dot ta shkëpusnim politikën e jashtme të Italisë me Shqipërinë dhe politikën e jashtme të Shqipërisë me Italinë. Por, e tërë lufta ishte si e si të përfitonim me sa mundeshim me ato traktate 2-palëshe që lidheshin, por që nuk zbatoheshin aq sa duhet.
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Cila është periudha më e artë e diplomacisë shqiptare në ato vite?
URAN ASLLANI: Unë do të thosha se periudha më e artë e diplomacisë shqiptare është pikërisht periudha kur ne u prezantuam në arenën kombëtare, periudha ‘21-‘25. Megjithëse nuk mund të thuash “periudhë e artë”, sepse ne nuk kemi shkëlqyer me politikën tonë të jashtme, sepse ishte një politikë e një shteti që ishte i varur ekonomikisht nga një shtet tjetër. Megjithatë sukseset që ka pasur diplomacia shqiptare në periudhën ‘20-‘23 janë suksese për t‘u shënuar. Një sukses interesant ka qenë gjatë vitin 1936. Diplomacia shqiptare nëpërmjet veprimtarisë qytetare të Mit‘hat Frashërit dhe që u vazhdua më vonë me të tjerë diplomatë, ishte hapja e shkollave shqipe në Çamëri, me mësues shqiptarë të gjuhës të nënës. Kjo ishte një fitore e madhe.
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Çfarë roli kanë luajtur diplomatët shqiptarë në arenën ndërkombëtare në atë periudhë?
URAN ASLLANI: Rolin e diplomatëve me dinjitet, të diplomatëve të kulturuar, me horizont. Të gjithë diplomatët që kanë qenë titullarë, por edhe në rangun e konsullit, ishin personalitete në fushën e vetë. Ishin personalitete që e kishin konfirmuar veten që në kohën e Perandorisë Osmane. Ishin personalitete të jetës shoqërore, politike, letrare, kulturore shqiptare. Për shembull, Faik Konica, Mi‘that Frashëri, Mehdi Frashëri, ose personalitete ushtarake të rëndësishëm si Ali Riza Kolonja, gjeneral komandant divizioni në ushtrinë shqiptare, Eqerem Libohova, komandant regjimenti, Mehmet Konica konsull, kryekonsull, pra ishin persona që nuk dilnin pa pritur e pa kujtuar në jetën evropiane, por ishin njerëz që njiheshin. Për shembull, kur ishte puna për të gjetur kryeministër për princ Vidin, e dini kush e rekomandoi Turhan Pashën për kryeministër? Cari i Rusisë. Kur e mori vesh që Turhan Pasha që kishte qenë 25 vjet ambasador i Turqisë, ishte shqiptar. Po ju sjell një shembull. Kur Hitleri, pas takimit me dy ambasadorë në Gjermani, i thotë ministrit të tij të Jashtëm, “kam njohur sot një ambasador të madh të një vendi të vogël, dhe një ambasador të vogël të një vendi të madh”. E kishte fjalën për ambasadorin shqiptar, Raul Fico, i cili ishte mjaft dinjitoz si në kulturë ashtu edhe në veshje. Një rast tjetër, nga babai. Kur shkon në Londër, një muaj pas vajtjes në Londër zhvillohet atje konferenca e parë ndërkombëtare monetare ekonomike. Ishte qershor i vitit 1933. Si përfaqësues i Shqipërisë në këtë konferencë duhet të ishte ministri i Financave, por Zogu caktoi babain, meqenëse ishte englishman. Si anëtar të delegacionit cakton edhe konsullin e nderit në Vjenë, që ndodhej në Londër. Zhvillohet konferenca dhe në një nga ditët e Konferencës, si zakonisht, delegacionet priteshin për darkë nga korporatat e mëdha për nder të mikpritjes. Në një nga ato darka ishte thirrur edhe babai dhe nja 27 delegacione të tjera në korporatën e çelikut. Mirëpo, korporata e çelikut ishte një korporatë që nuk dinte rregullin diplomatik, protokollin e ceremonialet. Në protokollin diplomatik vendosej në vendin e nderit titullari që ka gradën më të lartë diplomatike, pra ambasadori. Në atë kohë ambasada kishin vetëm ish-perandoritë. Të tjerët kishin Ministra Fuqiplotë. Pas ambasadorit vendoset Ministri Fuqiplotë i shkallës së parë, por i shtetit që është më i rëndësishëm. Ata nuk e dinin këtë punë, por në rendin alfabetik Albania, dhe kështu e vendosën babain ngjitur me presidentin e korporatës. Ngrihet presidenti dhe mban një çerek ore fjalim përshëndetës me zhargonin arkaik të anglezëve, i nderuar, shumë i nderuar etj. Tani duhej të kthente përshëndetjen një nga delegacionet. Babai ishte ngjitur me presidentin. Në fund të sallës ishte një armik i Shqipërisë, rrjedhimisht edhe antipatik me babain tim, ministri i Financave të Italisë, Dino Grandi, krahu i djathtë i Musolinit, i cili më vonë e pushkatoi. Në atë kohë ishte edhe ministër i Financave edhe zv.ministër i Punëve të Jashtme. Ai i thotë babait: “Ngrihu dhe jepi përgjigjen ti”, duke mos ditur se babai e dinte anglishten në mënyrë të shkëlqyer. Babai ngrihet, mban fjalimin me të njëjtin zhargon që përdori edhe presidenti i korporatës. Të nesërmen, 12 gazeta londineze përmendën Shqipërinë për fjalimin.
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Sa ministra fuqiplotë ka pasur Shqipëria deri në vitin 1939?
URAN ASLLANI: Deri në vitin 1937-ën ka pasur 8 ministra fuqiplotë të shkallës së parë, 3 ministra fuqiplotë të shkallës së dytë dhe këta ishin: Mehmet Konica, Dhimitër Berati, Xhaferr Vila, Mehdi Frashëri, Fuad Asllani, Raul Fico, Lekë Kurti, Dhimitër Popa. Ky, edhe pse ishte ministër fuqiplotë i shkallës së parë, në atë kohë nuk ishte në Ministrinë e Jashtme, por ishte Ministër Oborri. Ne kishim legata të përhershme me Ministra Fuqiplotë të rangut të klasit të plotë në Uashington, Londër, Paris, Romë, Berlin, Bukuresht, Tokio Beograd, Athinë, Ankara, Sofje. Pastaj kishim kryekonsullata në rang shumë të rëndësishëm që ishin në tre qytete të Gjermanisë: në Nyremberg, Hamburg dhe Shtutgard. Kemi pasur kryekonsullatë në Marsejë, Bruksel, Selanik, Stamboll, Milano, Bari dhe plot konsullata. Në Itali: Torino, Bolonja, Brindizi, Trieste, Manastir, Janinë, Kostanca, Budapest, Nju Jork etj.
GAZETA “TIRANA OBSERVER”: Cilët kanë qenë figurat më të shquara të kësaj fushe në ato vite?
URAN ASLLANI: Duhet ta fillojmë që nga Raul Ficoja, i cili ka nderuar veten dhe Shqipërinë. Edhe vlerësimi i diplomatëve të huaj për të ka qenë i klasit të parë. Së dyti, ka qenë Xhaferr Vila, i cili me qëndrimin e vetë antiitalian u bë edhe shkak i aksidentit që përfundoi me vdekjen e tij. Ai ishte Ministër Fuqiplotë në Romë, ndërkohë që ishte zënë disa herë me Ministrat Fuqiplotë italianë këtu në Shqipëri. Tjetër diplomat i rëndësishëm i asaj kohe ka qenë edhe Dhimitër Berati. Ndofta edhe babai, sepse rëndësia është edhe në cilat shtete emërohesh. Gjithashtu edhe Eqerem Libohova, Xhemil Dino etj. Këta ishin përfaqësuesit më të fuqishëm të diplomacisë për gati 20 vjet. Por diplomatë të një rangu më të ulët, që i kanë shërbyer me devotshmëri diplomacisë shqiptare, ka plot.
LISTA E 80 DIPLOMATEVE SHQIPTARE NGA VITI 1912 DERI NE VITIN 1944
1. Jani Armodhi, konsull në Egjipt, në vitin 1922
2. Ali Asllani, konsull në Itali, në vitet 1922 -1925; ambasador në Bullgari, në vitet 1925 – 1926 dhe ambasador në Greqi, nga viti 1930 deri në 1932
3. Fuad Asllani, ambasador në Angli, në vitet 1934 – 1935
4. Reshad Asllani, konsull në Itali, në vitet 1923 -1924; konsull në Manastir, në vitet 1938 -1939
5. Rexha Bega, konsull në Turqi, në vitin 1938
6. Xhaferr Belegu, kryekonsull në Bari, konsull në Itali në vitet 1938 -1939
7. Dhimitër Berati, kryekonsull në Bullgari, në vitin 1924; ambasador në Francë në vitet 1924 -1925
8. Haki Blloshmi, konsull në Boston, SHBA, nga viti 1925 deri në vitin 1929
9. Selaudin Blloshmi, ambasador në Rumani, në vitet 1926 – 1928
10. Kostandin Boshnjaku, ambasador në Turqi, në vitin 1922
11. Kostandin Çekrezi, ambasador në SHBA, në vitet 1921 – 1922
12. Remzi Çelo, konsull në Selanik, Greqi 1934 – 1939
13. Lazër Çeta, konsull në Jugosllavi, në vitin 1925
14. Sofokli Çomora, konsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1928 – 1933
15. Ferid Dervishi, kryekonsull në Bari, Itali, në vitet 1925 1926; konsull në Selanik, Greqi, në vitet 1932 – 1933; kryekonsull, në Turqi 1934 -1936
16. Xhemil Dino, ambasador në Itali, nga viti 1926 deri në 1931, dhe ambasador në Angli, në vitet 1932 – 1933
17. Vasil Dogani, kryekonsull në Rumani në vitet 1922 – 1936
18. Asdreni, konsull në Rumani në vitet 1921- 1926
19. Dervish Duma, konsull në Londër, Angli, në vitet 1936-1939
20. Rauf Fico, ambasador në Turqi, në vitet 1926-1928; ambasador në Jugosllavi, në vitet 1928 – 1929 dhe 1932- 1937, ambasador në Greqi në vitet 1937-1938; ambasador në Gjermani, në vitet 1938 -1939
21. Mehdi Frashëri, ambasador në OKB, në vitet 1926-1929
22. Mit‘hat Frashëri, ambasador në Francë, në vitet 1922 -1923; Greqi në vitet 1923 – 1926
23. Qemal Frashëri, konsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1925-1926
24. Xhemal Frashëri, konsull në Londër, në vitet 1925-1927; kryekonsull në Manastir në vitet 1935-1938; kryekonsull në Stamboll, Turqi, 1938-1939
25. Shemzi Gabrani, konsull në Bari, Itali, në vitin 1925,
26. Gjergj Geco, kryekonsull në Egjipt, në vitet 1934-1935; kryekonsull në Janinë, Greqi, në vitet 1935-1936
27. Rrok Gera, ambasador në Gjermani, në vitin 1944
28. Fahredin Gjata, ambasador në Greqi, në vitet 1926 -1927
29. Shaqir Hajrullahu, konsull në Stamboll, Turqi, 1936-1938
30. Sabri Hamzaj, konsull në Stamboll, Turqi, në vitin 1926
31. Maksud Hulusi, kryekonsull në Janinë Greqi, në vitet 1937-1939
32. Remzi Janina, kryekonsull në Janinë, Greqi, në vitet 1926-1931
33. Qemal Jusfuti, kryekonsull në Selanik, Greqi në vitet 1934-1935
34. Angjelin Kakariqi, konsull në Korfuz Greqi, në vitet 1938-1939
35. Vasil Kalluci, konsull në Korfuz, Greqi, në vitin 1926
36. Hamdi Karazi, konsull në Itali, në vitet 1927-1928, kryekonsull në Korfuz Greqi në vitet 1933-1934
37. Nikollë Kasneci, konsull në Itali, në vitet 1920-1921
38. Ndrio Katundi, konsull në Jugosllavi, në vitet 1922-1924
39. Stavri Katundi, konsull në Manastir, në vitet 1938-1939
40. Atlante Koçi, konsull në Bullgari, në vitet 1936-1939
41. Mark Kodheli, kryekonsull në Bari, konsull Itali, në vitet 1927-1933
42. Xhahid Koka, kryekonsull në Selanik, Greqi në vitin 1938
43. Faik Konica, ambasador në SHBA, në vitet 1926-1939
44. Mehmed Konica, ambasador në Angli, në vitet 1920-1925
45. Skënder Konica, konsull në Bullgari, në vitet 1932-1934
46. Stelio Kostandini, konsull në Egjipt, në vitet 1923 -1925
47. Dhimitër Kosturi, konsull në Francë, në vitet 1928-1932; konsull në Janinë, Greqi, në vitet 1932-1935; kryekonsull në Egjipt, në vitin 1935
48. Kostandin Kote, konsull në Itali, në vitet 1922-1923
49. Ceno Kryeziu, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1926-1927, ambasador në Çekosllovaki, në vitet 1927-1934
50. Lec Kurti, konsull në Bari, Itali në vitet 1921-1922; ambasador në Greqi, nga viti 1925 -1926; ambasador në OKB, në vitet 1930-1935
51. Sotir Laci, konsull në Greqi, në vitet 1936 -1937
52. Nezir Leskoviku, konsull në Stamboll, 1922-1925; kryekonsull në Bullgari, në vitet 1932-1933; konsull në Greqi në vitet 1936-1938
53. Xhavid Leskoviku, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1925-1926; ambasador në Turqi në vitet 1933-1934, ambasador në Greqi në vitet 1934-1936
54. Asaf Libohova, konsull në Bari, Itali, në vitin 1939
55. Eqerem Libohova, ambasador në Itali, në vitet 1925-1927, ambasador në Francë në vitet 1933-1936
56. Maliq Libohova, konsull në Londër, konsull në Angli, në vitet 1926-1927; kryekonsull në bari, Itali, në vitin 1939
57. Tefik Mborja, ambasador në Itali, në vitet 1923-1925
58. Kosta Meksi, konsull në Manastir, në vitet 1933-1934; kryekonsull në Stamboll, Turqi në vitin 1937
59. Qemal Mesarea, ambasador në Greqi, në vitet 1933-1934
60. Kostandin Mima, konsull në Trieste, Itali, në vitet 1925-1927
61. Gjergj Naçi, konsull në Turqi, në vitin 1937
62. Pandeli Nase, kryekonsull në Egjipt, në vitet 1927-1934
63. Fan Noli, ambasador në OKB, në vitet 1921-1922
64. Gjergj Pekmezi, konsull në Austri, në vitet 1921-1925; konsull në Jugosllavi, në vitet 1925 1926
65. Nik Pema, konsull në Hungari, në vitet 1923 -1925
66. Dhimitër Popa, ambasador në Bullgari, në vitet 1932-1934
67. Nikollë Rrota, kryekonsull në Austri, në vitet 1921-1926
68. Çatin Saraçi, kryekonsull në Bari, Itali, në vitin 1925; konsull në Austri, në vitet 1926-1929
69. Xhemal Sojli, konsull në Kostancë, Rumani, në vitet 1921-1923
70. Rrok Stani, konsull në Rumani, në vitet 1926-1927; kryekonsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1937-1939
71. Stavro Stavri, ambasador në Jugosllavi, në vitin 1925; ambasador në Greqi, në vitet 1926-1928
72. Avdyl Sula, konsull në Nju Jork, SHBA në vitet 1923-1925; kryekonsull në Selanik, Greqi, në vitet 1926-1927; ambasador në Egjipt, në vitet 1938-1939
73. Xhelal Shaska, konsull në Bari, Itali, në vitin 1938
74. Tahir Shtylla, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1927-1929
75. Koço Tashko, konsull në Nju Jork, SHBA, në vitet 1922-1924
76. Xhaferr Vila, konsull në Francë dhe Angli njëkohësisht, në vitin 1925; ambasador në Jugosllavi në vitet 1929-1932, ambasador në Greqi, në vitet 1932-1933, ambasador në Itali në vitin 1936-1938
77. Eqerem Vlora, ambasador në Angli, në vitet 1927-1929, ambasador në Greqi, në vitin 1929
78. Iljaz Vrioni, ambasador në Francë, në vitet 1925-1927
79. Asaf Xhaxhuli, kryekonsull në Shkup, në vitet 1933-1936; ambasador në Turqi, në vitet 1938-1939
80. Zaharia Zamifresku, konsull nderi në Rumani, në vitet 1921-1929
114 DIPLOMATËT SHQIPTARË NGA VITI 1945-2007 – QË NGA HYSNI KAPO, TUK JAKOVA E DERI TE RUHI HADO
Janë afro 114 ambasadorë shqiptarë që kanë përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare nga viti 1944 deri në vitin 2007. Gazeta “Tirana Observer”, në vijim të numrit të shkuar në të cilin u botua lista e 80 ambasadorëve shqiptarë që nga krijimi i shtetit deri në vitin 1944, boton emrat që përfaqësuan Shqipërinë që nga ky vit deri më sot. Ndryshe nga periudha para ‘44-ës, ku ambasadorët ishin diplomatë karriere, pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, Shqipëria u përfaqësua në botë, me figura politike që ishin shquar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Disa prej tyre ishin Hysni Kapo, Tuk Jakova, e Ramadan Çitaku të cilët ishin edhe ambasadorët e parë shqiptarë në Jugosllavi, një vend aleat dhe mik i Shqipërisë në atë kohë. Por në diplomacinë e pasluftës nuk munguan as emra të njohur si Koço Tashko i cili në vitet ‘20 kishte qenë edhe konsull i Shqipërisë në SHBA. Në vitet e para të pasçlirimit ai ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik, një nga postet më të rëndësishme të diplomacisë në atë kohë. Por vetëm pak kohë më vonë, regjimi komunist përgatiti një numër të madh diplomatësh të cilët u diplomuan jashtë vendit, duke rikthyer traditën e përzgjedhjes së ambasadorëve. Kjo përzgjedhje vazhdoi edhe pas viteve ‘90, pas rënies së regjimit komunist.
AMBASADORET SHQIPTARE NGA VITI 1945-2007
1. Koço Tashko, ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik në vitet 1945- 1948
2. Hysni Kapo, ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet 1945-1946
3. Tuk Jakova ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet 1946-1947
4. Ramadan Çitaku, ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet 1947-1948
5. Frederik Nosi, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1945 – 1948
6. Zenel Hamiti, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1949-1952
7. Kahreman Ylli, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1948-1950
8. Behar Shtylla ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1950-1952 dhe ambasador në Itali në vitet 1952-1954
9. Edip Çuçi, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1954-1958
10. Koço Prifti, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1958-1961
11. Delo Balili, ambasador i Shqipërisë në Vietnam në vitet ‘60
12. Dhimitër Lamani, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1958-1965
13. Kristaq Misha, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet ‘60
14. Javer Malo, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1970-1977
15. Mihal Prifti, ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik në vitet 1948-1954
16. Jordan Pani, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1961-1967
17. Ksenofon Nushi, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1967-1972, ambasador në Francë në vitet 1986-1989
18. Vasil Nathanaili, ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik në vitet 1954-1957
19. Nesti Nase, ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik deri në vitin 1958-1961, ambasador në Kinë në vitet ‘70
20. Spiro Rusha, ambasador i Shqipërisë në Kinë në vitet ‘60
21. Misto Treska, ambasador i Shqipërisë në vitet 1978-1984
22. Pirro Koçi, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1972-1977
23. Pertef Hasamataj, ambasador i Shqipërisë në Kubë në vitet 1978-1986, ambasador në Rusi nga viti 1991-1992
24. Musin Kroi, ambasador i Shqipërisë në Egjipt dhe Algjeri në vitet ‘50
25. Nesip Kaçi, ambasador i Shqipërisë në Egjipt dhe në Algjeri në vitet ‘60
26. Pirro Bita ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1980-1982
27. Bashkim Dino, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1982-1988
28. Kujtim Myzyri, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1977-1980, dhe në Çekosllovaki në vitet ‘80
29. Riza Paushani, ambasador i Shqipërisë në Algjeri në vitet 1965-1968
30. Idriz Bano, ambasador i Shqipërisë në Çekosllovaki gjatë regjimit komunist
31. Dhimitër Spano, ambasador i Shqipërisë në Algjeri në vitet 1972-1976
32. Syrja Laze, ambasador i Shqipërisë në Algjeri në vitet 1976-1980, ambasador në Vietnam në vitet, 1983-1989
33. Kujtim Hysenaj, ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet 1986-1992
34. Latif Shehu , ambasador i Shqipërisë në Hungari, gjatë regjimit komunist
35. Petraq Pojani, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet ‘70
36. Sokrat Plaka, ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet 1982-1988
37. Dashnor Dervishi, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1988-1992, ambasador në Rumani nga viti 2006
38. Arqile Semini, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1989-1991
39. Luan Rama , ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1991-1992 dhe në vitet 1997-2001
40. Besnik Mustafaj, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet
1992-1997
41. Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Danimarkë në vitet 2002-2005
42. Thanas Shkurti, ambasador i Shqipërisë në OKB, në vitet 1992-1994
43. Edmond Dule, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1992-1995
44. Pandeli Pasko, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1995-1998
45. Roland Bimo, ambasador i Shqipërisë në SHBA, në vitet 1992-1993, ambasador i jashtëzakonshëm në Hungari në vitet 1994-1997, ambasador në Mbretërinë e Holandës nga viti 2002
46. Lublin Dilja, ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA në vitet 1994- 1997
47. Petrit Bushati, ambasador në Suedi në vitet 1988-1991, ambasador në SHBA, në vitet 1997-2001, ambasador në Jugosllavi në vitet 2002-2006
48. Fatos Tarifa, ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës, në vitet 1998-2001, ambasador i SHBA në vitet 2001-2005.
49. Agim Nesho, ambasador në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitet 2001-2005, ambasador në SHBA, në vitet 2005-2006
50. Bardhyl Agasi, ambasador i Shqipërisë në Danimarkë, në vitet 2005-2006
51. Ejup Tabaku, ambasador i Shqipërisë në Suedi në vitin 2005
52. Banush Gozhdari, ambasador i Shqipërisë në Argjentinë në vitin 2005
53. Arben Cici, ambasador i Shqipërisë në Rusi në vitet 1992-1997
54. Shpëtim Çuçko, ambasador i Shqipërisë në Rusi në vitet 1997 – 1998
55. Adhurim Resuli, ambasador i Shqipërisë në Hungari në vitet 1998-2002
56. Pirro Milkani, ambasador i Shqipërisë në Çeki, në vitet 1999-2002
57. Shaqir Vukaj, ambasador i Shqipërisë në Rusi në vitet 1998- 2001, ambasador në Çeki në vitet 2002- 2005
58. Qazim Tepshi, ambasador i Shqipërisë në Çeki nga viti 2005
59. Bashkim Zeneli, ambasador i Shqipërisë në Gjermani në vitet 1998-2002; ambasador në Greqi në vitet 2002-2005
60. Kastriot Robo, ambasador i Shqipërisë në Greqi në vitet 1998-2002, ambasador në Britaninë e Madhe nga viti 2006
61. Vili Minarolli, ambasador i Shqipërisë në Greqi nga viti 2005
62. Avni Xhelili, ambasador i Shqipërisë në Rusi nga viti 2001-2005
63. Halit Furriku, ambasador i Shqipërisë në Rusi nga viti 2005-2006
64. Maxhun Peka, ambasador i Shqipërisë në Francë, ambasador në Vietnam në vitet 1980-1983,ambasador në Kinë nga viti 2005
65. Lisen Bashkurti, ambasador i Shqipërisë në Hungari në vitet 1992-1997
66. Pëllumb Xhufi, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 2001-2004
67. Pavli Zëri, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 2004- 2005
68. Llesh Kola, ambasador i Shqipërisë në Itali nga viti 2005
69. Mehdi Hoxha, ambasador i Shqipërisë në Francë nga vitet 2006
70. Shpëtim Çaaushi, ambasador në Argjentinë në vitet, aktualisht ambasador në Këshillin e Evropës
71. Ylli Pollo, ambasador i Shqipërisë në Argjentinë aktual
72. Osman Kraja ambasador i Shqipërisë në Poloni në vitet 2000
73. Zef Mazi, ambasador i Shqipërisë në OSBE në vitet 1992-1997 dhe 2002-2007
74. Leonidha Mërtiri, ambasador i Shqipërisë në Rumani në vitet 2002-2006
75. Ferit Hoxha, ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 2001-2006
76. Eduart Sulo, ambasador i Shqipërisë në Hungari në vitet 2002-2006
77. Kujtim Xhani, ambasador i Shqipërisë në Kinë në vitet 2001-2005
78. Shpresa Kureta, ambasadore e Shqipërisë në Austri në vitet 2002-2005
79. Fatmir Kumbaro, ambasador i Shqipërisë në Bullgari në vitet 2001-2005
80. Leontiev Çuçi, ambasador i Shqipërisë në Itali në vitet 1998-2001, ambasador në Zvicër në vitet 2001-2005
81. Zef Bushati, ambasador i Shqipërisë në Vatikan në vitet 2001-2005
82. Adhurim Resuli, ambasador i Shqipërisë në Hungari në vitet 2000-2002, ambasador në Kanada në vitet 2002-2005
83. Viktor Kalemi, ambasador i Shqipërisë në Egjipt në vitet 2002-2005
84. Agim Fagu, ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe në vitet 1998-2002, ambasador i Gjermanisë në vitet 2002-2005
85. Gëzim Arapi, ambasador i Shqipërisë në Spanjë në vitet 2000-2002
86. Shahin Kadare, ambasador i Shqipërisë në Suedi në vitet 2001-2004
87. Sokol Gjoka, ambasador në Poloni nga viti 2005
88. Ilir Hoxha, ambasador në Egjipt nga viti 2005
89. Tonin Gjuraj, ambasadori i Shqipërisë në Izrael në vitet 2005-2007
90. Ruhi Hado, ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë, si dhe ambasador në Republikën e Finlandës, në Republikën e Islandës dhe në Mbretërinë e Norvegjisë nga viti 2007
91. Mehmet Elezi,ambasador i Shqipërisë në Zvicër nga viti 2005
92. Admirim Banaj, ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite nga viti 2006
93. Bujar Skëndo, ambasador i Shqipërisë në Republikën e Bullgarisë nga viti 2006
94. Aleksandër Sallabanda, ambasador në SHBA nga viti 2006
95. Valter Ibrahimi, ambasador i Shqipërisë në Austri nga viti 2006.
96. Spiro Koçi, ambasador i Shqipërisë në Serbi nga viti 2006
97. Florian Nova, ambasador i Shqipërisë në Hungari nga viti 2006
98. Artur Kuko, ambasador i Shqipërisë në Belgjikë nga viti 2005
99. Gazmend Turdiu, ambasador i Shqipërisë në Gjermani nga viti 2005
100. Afërdita Dalla, ambasadore e Shqipërisë në Danimarkë nga viti 2006
101. Besnik Konçi, ambasador në Kanada nga viti 2005
102. Bujar Muharremi, ambasador në Kosovë nga viti 2005
103. Xhelal Fejzo, ambasador i Shqipërisë në Kroaci nga viti 2005
104. Qirjako Kureta, ambasador i Shqipërisë në Izrael nga viti 2007
105. Vladimir Prela, ambasador i Shqipërisë në Maqedoni nga viti 2006
106. Dilaver Qesja, ambasador i Shqipërisë, në Malajzi nga viti 2005
107. Teodor Laço, ambasador i Shqipërisë në Rusi nga viti 2006
108. Edmond Trako, ambasador i Shqipërisë në Argjentinë në vitet 1997-2004
109. Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Spanjë nga viti 2002
110. Shaban Murati, ambasador i Shqipërisë në Suedi në vitet 2004-2007
111. Adrian Neritani, ambasador i Shqipërisë, në OKB, nga viti 2006
112. Neritan Kolgjini, ambasador i Shqipërisë në Turqi nga viti 2006
113. Rrok Logu, ambasador i Shqipërisë në Vatikan nga viti 2005
114. Ruhi Hado, ambasador i Shqipërisë në Hollandë në vitet 1994-1996, ambasador i Shqipërisë në Suedi nga viti 2007
DIPLOMATËT SHQIPTARË QË NGA FILLET E DIPLOMACISË SHQIPTARE E DERI SOT – Intervista / Flet studiuesi Uran Asllani – Gazeta “Tirana Observer”
Marre nga Arkivi


Leave a Reply