Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta sot në Pogradec ka takuar krerët e të gjitha partive shqiptare në Maqedoni.
Siç mëson agjencia e lajmeve INA, në këtë takim Rama dhe Meta kanë tentuar të bashkoj të gjithë krerët e partive shqiptare si kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, kryetarin e Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela, kryetarin e RDK-së Vesel Memedi dhe kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Mësohet se takimet fillimisht janë realizuar ndaras me të gjithë krerët e këtyre partive, ku ka qenë i pranishëm edhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati. Dhe më pas është realizuar një drekë e përbashkët, ku është diskutuar mbi zhvillimet politike në Maqedoni, por nga dreka është larguar njëri nga liderët e partive shqiptare. Partitë politike shqiptare nuk kanë informuar mbi takimin, duke mos dhënë detaje mbi të.
Rama takimin e ka bërë të ditur në një postim në rrjetin social Facebook, ku ka postuar disa fotografi me Ali Ahmetin, Menduh Thaçin dhe me kryetarin e Komunës së Strugës, Zijadin Sela, Vesel Memedi, Bilall Kasami, kur Rama ka qenë i shoqëruar nga Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta si dhe Ministri i Jashtëm, Sitmir Bushati.
Por, ai nuk ka komentuar se për çfarë kanë biseduar ata.
Burime pranë këtij takimi kanë theksuar se tentimi i Ramës dhe Metës për të unifikuar faktorin politik shqiptar ka rezultuar pa sukses.
Bëhet e ditur se kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk ka marrë pjesë në drekën e përbashkët që kishte shtruar kryeministri Edi Rama. Ai ndaras ka takuar Ramën dhe Metën.
Portali “Shenja” mëson nga burime partiake se kryeministri shqiptar Rama ka insistuar në unifikimin e bllokut politik shqiptar në Maqedoni.
Ideja e ofruar nga kryeministri Rama, është pranuar nga liderët e BESëS, RDK-së dhe Lëvizje për reforma në PDSH, por jo edhe nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Pas refuzimit nga kreu i BDI-së, takimi ka rezultuar pa sukses.
Rama dhe Meta kanë qëndruar në Pogradec në kuadër të fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale ku prezantuan edhe kandidaten e tyre për kryetare Diana Mile. (INA)





Leave a Reply