(Ai bëri tregimin e vetëm të suksesit të shëndetësisë në Kosovë, që njeh bota)
“ Disa vende shumë të varfra kanë zhvilluar sisteme të mëdha të vaksinimit, dhe disa nga ato më të pasura programe të tmerrshme të vaksinimit .” – Bill Gates
Jemi ulur në tavolinë në kohën e pauzës, për të pirë kafe, për të thithur timin e cigares apo edhe për tu rrezitur në rrezet e ngrohta të diellit, para hotel “Victory”. Fyen një erë e lehtë dhe nga pak hedh pluhurat e imëta mbi tavolinën edhe ashtu të pluhurosur, dhe mbi neve. Para nesh parakalojnë xhipa të zi që voziten me shpejtësi, kryesisht nga adoleshentët por edhe nga ndonjë mesoburrë që lejnë pluhur prapa pa ndjenjën më të vogël së dikush po pinë kafe, në një ambient aq ambivalent sa që më shumë të ngjanë në një vend afrikan se sa kudo tjetër. Retë e pluhurit shpërndahen edhe nga rrugët që të fusin dhe të largojnë nga Prishtina, në mënyrë aq të çrregullt. Pluhuri idhnak të futet gjithkund, dhe në gojë e hundë. Një teshtimë më mundon por e mbaj vetën sepse një kafe qëndron në tavolinë dhe nuk dua të krijoj ndjenjën e pakëndshme për kolegët e tavolinës . Por teshtimat dëgjohen nga tavolina tjetër. Me shnet – dëgjohet një zë…Një mizë provon here pas here të ateron me egërsi në filxhanin në kafesë e cila ose është braktisur ashtu gjysmë ose dikush nga tavolina, ka harruar së është duke pirë kafe. Kam ndjenjën se edhe insektet sillen egërsisht sepse miza insiston shumë herë sa që mund ta fitosh përshtypjen së ne ia kemi grabitur atë filxhanë kafeje asaj mizë dhe ajo tenton ta kthen përsëri. Po llafosemi me aq mall sa që askujt nuk i bënë përshtypje fluturimi i saj. Përballë nesh, në një parking të mbajtur keq dhe pothuajse ngjitur për tavolinave “lëvizëse” që sapo janë vendosur për klientët , qëndrojnë “veturat” zyrtare të komunave, me të cilat kanë udhëtuar disa nga pjesëmarrësit e trajnimit e që janë një donacion që kishte ardhur nga UNICEF, sa dijë unë në pranverë të vitit 2000. Vetëm një grup i vogël i kolegëve, përfshirë edhe mua kanë pasur fatin të vijnë me vetura “zyrtare” në këtë trajnim. Shumica e atyre veturave sot janë jashtë përdorimit. Edhe këto me të cilat kemi udhëtuar ne , tash janë në gjendje të mjerë. Dy nga ato, dje pas trajnimit nuk kanë “dhezë” dhe është dashtë intervenimi i kolegëve për ti aftësuar bile deri të vendi i kthimit. Ne e ndihmuam kolegun nga Malisheva dhe kishim mbetur në parking për më shumë së 45 minuta derisa e kishim kryer punën. Ndërsa, kolegut nga Lipjani i “shkrepi” nga fati. Shumë nga pjesëmarrësit kanë udhëtuar me autobus apo kombibus. Shumica të moshuar dhe përveç barrës së viteve mbajnë edhe shumë halle të jetës i shoqërojnë. Ata e kanë realizuar ëndrrën profesionale. Ata kanë shpëtuar më qindra mijëra jeta, siç thotë profesor Dedushaj, ata në ditën e parë të punës së tyre e kanë paguar veten për tërë karrieren. Duke aplikuar me qindra mijëra doza “jetë të shëndetshme” dhe çmimi i punës së tyre është jeta e sigurt e qytetarëve të Kosovës. Por, shumica nga ne nuk e ka realizuar ëndrrën jetësore personale dhe familjare. Dje kam biseduar me shumë nga kolegët e studimeve, që ishin pjesëmarrës . Secili, ka një mal brengash. Dhe një bjeshkë shqetësimesh tjera për fëmijët dhe të ardhmen e familjes. Në fytyrën e tyre e takon peshën e viteve të renda të jetës dhe krenarinë e çuditshme që akoma mbijeton për punën e bërë dhe për vitet e kushtuara me devotshmërinë më të madhe profesionit të tyre.
Pesëmbëdhjetë minuta zgjat pauza . Kohë e shkurtër për të ndarë gjithë atë përvojë jetësore me miqtë nga tavolina. Jam në shoqëri me Prof. Dedushajn, dr. Nexhin,dr. Ismetin, Fatmirin dhe Besin. Secili një storie e veçantë e përkushtimit në profesionin e shenjtë. Ziej në mendjen time gjithçka. Dhe mbi të gjitha idenë së sa më fat isha që kisha rastin të jem student i profesorit Dedushaj, tash e 30 vjet ma para. Ai na ka mësuar si të jemi mjek. Më ka mësuar më mirë së cilido tjetër komponentin human të profesionit dhe si ta dua profesionin. Mbi të gjitha nga ai kam marrë mësimet më të mira së si ti trajtoj pacientët. Së mjeku është “ babai i pacientit” dhe së secili pacientë duhet të trajtohet si fëmija i jonë, pa paragjykime në lidhje me moshën, gjininë, pasurinë, përkatësinë nacionale, racën apo bindjet politike dhe trajtim me thellësinë më të madhe të zemrës. Së profesioni i mjekësisë është mbi të gjitha dashuri. Një dashuri ku tradhtia dhe dëshpërimi nuk ekziston. Një dashuri që rritet dhe forcohet çdo ditë. Një dashuri që kultivohet lehtë sepse është gjëja më njerëzore që mund të ekzistojë në këtë botë. Se shëndeti është pasuria më e madhe dhe më e çmuar që mund të këtë njeriu. Dhe si të tillë duhet ruajtur dhe kultivuar Sepse, profesori im i nderuar njerëzillëkun e ka kapital dhe traditë. Sepse, njerzillëku dikur ishte virtyti që karakterizonte kombin tonë, dhe këtë karakteristikë e ka ruajtur ai me fanatizëm.
Po llafosemi dhe kemi harruar të porosisim kafenë e pauza po kalon. Gjithmonë është kënaqësi dhe nder i veçantë të dëgjosh profesorin tek flet. Mbi të gjitha është shumë përfituese. Përvoja e tij dhe njohuritë që zotëron. Elokuenca dhe gjentilesa të cilën ai shfaqët sa here ta takosh. Modestia dhe spontaniteti që e karakterizon. Dhe mbi të gjitha një ambient të ngrohtë e shumë familjar, thuajse je rritur dhe ke ndarë sprovat më të rëndësishme jetësore me atë, sa here që bisedon për cilëndo çështje. Ai ka një diapazon aq të gjerë njohurish, sa që nganjëherë them me vete, sa thesari rri i heshtur në atë kokë që mund të konsiderohet si koka enciklopedike e mjekësisë shqiptare.. Profa na ka ndihmuar dhe përkrahur shumë neve që punonim në viset rurale, sepse ai ka shkelur çdo cep të Kosovës. Ai gjatë luftës na furnizonte me material shëndetësor e madje me organizatat ndërkombëtare humanitare organizonte edhe vaksinimin e fëmijëve ne zonat e luftës. Kurrë nuk është ndalur së vepruari.
Kam dëgjuar të cilësohet si njëri i madh nga ata që e njohin, si “baba i vaksinave”. Ai e ka bërë më së miri që do të ishte e mundur në një vend si Kosova , punën e tij prej misionari në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse vaksinë parandaluese. Ai ka bërë storien e suksesit, të vetmen me të cilën mjekësia kosovare mund të krenohet para botës së përparuar. Fëmijët e Kosovës kanë shkallë të lartë përfshirje në procesin e imunizimit, mbi 95%. Një shkallë vështirë e arritshme edhe në vendet me mjekësi të përparuar, anëtare të BE. Në raportin e progresit për Kosovën të Këshillit Europian, çdo vit shëndetësia kosovare merr shumë kritika. Por, një komponentë që ia zbardhë fytyrën dhe benë storien e suksesit për Kosovën është vaksinimi.
Falë punës së shenjtë që bënë prof. Dedushaj me ekipin të cilin ai e ka edukuar, është ngritur një ushtri e tërë e popullatës kosovare, më aftësi maksimale mbrojtëse ndaj sëmundjeve ngjitëse të parandaluara më vaksina, e barabartë më forcat mbrojtëse të vendeve me ekonomi të zhvilluar dhe tradita dhe shëndetësinë më të zhvilluar që mund ta paramendoj një kosovar, prandaj pa kurrfarë dyshimi, mund ta quajmë gjenerali shqiptar që ka ngritur forcën mbrojtëse prej më të fuqishmeve në botë. Ai vërtet është një gjeneral në kuptimin e plotë të fjalës.
Profa në mënyrën më të mirë ka përvetësuar ndihmën dhe përkrahjen e huaj e në veçanti nga UNICEF, për projektet e mëdha të vaksinimit dhe kështu ka ndihmuar në shpëtimin e jetës së qindra mijëra fëmijëve duke dhënë kështu një kontribut të vërtetë për rritjen e shëndoshë dhe shpëtimin nga varfëria e dhjetëra mijëra familjeve anekënd Kosovës .
Ai nuk heziton të ndaj përvojat tija të çmuara me askënd e aq më pak me ata të cilët shfaqin interes për to. Ai flet rrjedhshëm dhe bindshëm për problemet shëndetësore që ballafaqohet Kosova, për sfidat dhe të ardhmen e shëndetësisë kosovare. Lexoj brengen në shpirtin e tij. Brengë edhe e secilit qytetar të Kosovës. Vuajtja e qytetarit të Kosovës për shërbime shëndetësore edhe ma thelbësore, është e dukshme. Dhe vuajtja e pacientit është vuajtja e secilit mjek të ndershëm…
Kur po ndaheshim, mora vesh së Profa së shpejti do të pensionohet. Në një shtet normal, për një shkencëtar si Profa, do të fillonte një periudhë akoma më e rëndësishme e jetës. Do të fillonte periudha e promovimit të punës së tij shkencore, përvojave të tija profesionale prej ekspertit dhe këshilltarit që ka kohë dhe kompetencë të plotë në shumë fusha. Për të gjitha institucionet e vendit…sepse ai është një aset i veçantë i vendit, një vlerë shumë e çmuar, një histori në vete e ngritjes dhe zhvillimit të kujdesit shëndetësor në vend dhe një pedagog që vështirë së do ti gjendet shoqi.
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR
Leave a Reply