Anton Lulgjuraj, është një ndër personalitet më të dalluara në mesin e shqiptarëve në Mal të Zi, në punën dhe aktivitetin e tij në drejtim të avancimit të pozitës së shqiptarëve në shtetin malazez. Djaloshi i ri nga Tuzi, me tipare tipike të malësorit që karakterizojnë karakterin e tij, të fisshëm dhe bujar, i diplomuar për Master Shkencor në Universitetin Europian të Tiranës, Fakulteti Juridik, dega e të Drejtës Publike dhe Ndërkombëtare, publicist dhe aktivist për të drejtat e njeriut, për lexuesit, përmes kësaj interviste ekskluzive sjellë një tablo reale mbi gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi.
Zotëri Lulgjuraj, ju jeni udhëheqës i OJQ-së “Forumi Demokratik për Integrim”. Fillimisht a mund te na thoni se cili është misioni i organizatës të cilën ju e përfaqësoni?
Lulgjuraj: Forumi Demokratik për Integrim është themeluar në vitin 2011 dhe prej asaj kohe ushtroj funksionin e udhëheqësit të Saj. FDI përbëhet nga studentë dhe profesionistë të ndryshëm të shkencave dhe lëmive të ndryshme. Forumi ka si qëllim promovimin e tolerancës, dialogut dhe bashkëpunimit midis aktorëve politikë por dhe të aktorëve të tjerë në fusha të ndryshme të shoqërisë. Ne besojmë se drejtues që kanë mirë-besim tek njeri tjetri pavarësisht diferencave politike mund të arrijnë të transformojnë shoqërinë. Vizioni i FDI – së është të krijojë një lëvizje gjeneruese të ripërtëritjes morale, dinjitetit njerëzor dhe identitetit të shqiptarëve në Mal të Zi. Objektivi i FDI – së është bashkimi i kontributeve të qytetarëve të angazhuar, politikanëve, drejtuesve të shoqërisë civile, njerëzve të besimit, intelektualëve, akademikëve, të rinjve, studentëve, d.m.th.: faktorëve kryesorë drejtues të shoqërisë, politikës dhe të integritetit ndër shqiptar, kryesisht në kuadër të përafrimit të realitetit tonë me atë të Bashkimit Evropian dhe Euroatlantik, pa marrë përsipër të zëvendësojmë asnjë strukturë ekzistuese dhe ligjërisht përgjegjëse përpara votuesve të shqiptarëve në Mal të Zi. Por, përmes bashkimit tonë të realizojmë të drejtat që na takojnë si popull autokton shqiptar në Mal të Zi.
Cila është gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi, flasim për të drejtat e tyre nacionale në këtë shtet?
Lulgjuraj: Në aspektin kombëtar, gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është në nivele alarmante dhe tepër shqetësuese. Përqindja e tyre në nivel shtetëror arrin në 4,91% nga 7% që ishte një dekadë më parë. Në Malësi, me qendër Tuzin, kemi rreth 64% shqiptar, në kohën kur në 2003 kishim 84%, ndërsa në vitin 1993 kishim mbi 95%. Në Ulqin kemi rreth 72% shqiptar aktualisht. Këto janë dy qytetet më të mëdha në Mal të Zi të banuara me shqiptarë. Politika e pushtetit qeveritar ndaj shqiptarëve është e pa emancipuar, tepër diskriminuese, asimiluese, rrjedhimisht me qëllime të spastrimit etnik përmes formave mohuese të zhvillimit ekonomiko – shoqëror. Edhe pse sot kemi hyrë në rrugët e integrimit evropian, ende vazhdon politika asimiluese dhe e krijimit “të kushteve për dëbim” të shqiptarëve nga tokat e tyre. Në Plavë e Guci, Tivar dhe Rozhajë, numri i shqiptarëve është në përqindje shumë të vogël dhe rrezikon që së shpejti të mbesë vetëm letër e historisë.
Në organin kryesor legjislativ të Malit të Zi (Parlament), shqiptarët kanë patur përfaqësimin deri në 4 mandate nga 81 në total që ka Parlamenti (mandate të garantuara). Kurse me ligjin e 2011 për përfaqësimin, shqiptarët nuk kanë më mandate të garantuara dhe aktualisht kemi vetëm 2 deputet, megjithëse rrezikojmë që në një të ardhme të afërt edhe ata mos ti kemi, për shkak të censusit tejet të lartë të pragut të kalimit. Po ashtu, në organet shtetërore shqiptarët nuk janë të punësuar më shumë se 0,1%, në kohën që përbëjnë 4,91% në nivel të shtetit.
Në organin gjyqësor kemi vetëm 1 shqiptar të punësuar në gjithë Malin e Zi. Ky është fakt i politikës asimiluese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve. Po ashtu, me Ligjin për Rendin Publik dhe Qetësinë, i fundit i hyrë në fuqi, shqiptarëve u ndalohet përdorimi i simboleve kombëtare në vendet publike edhe nëse ata përbëjnë shumicën e popullsisë. Në rast të kundërt duhet të kërkojnë leje pranë organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është shteti i vetëm në Europë që me ligj ndalon identifikimin me simbole kombëtare për popujt pakicë dhe popullin autokton shqiptar.
Shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë asnjë universitet në gjuhën amtare. Përveç një shkolle të lartë të mësuesisë e cila gjeneron kuadro të tepërt të mësuesve të cilët, shumica, janë pa punë. Ndërsa, për sa u përket shkollave fillore dhe shkollave të mesme, shfaqet një mungesë shumë e madhe e literaturës në gjuhën shqipe, në kohën që literatura nga Shqipëria dhe Kosova nuk pranohet sepse “bien ndesh me planin arsimor”. Po ashtu, librat e historisë kanë nevojë për rishikim, për arsye se historianët malazez në disa pjesë kanë arritur t’i ndërrojnë faktet për historinë shqiptare.
Një çështje tjetër shumë e rëndësishme është ajo e kthimit të pronave. Në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, procesi i kthimit të pronave nuk ka përfunduar dhe rrezikon të shkojë në dekada zgjidhja. Mali i Zi ka aderuar në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në Protokollin nr. 1 të saj, por ende ndër problemet e pazgjidhura mbetet çështja e kthimit të pronave.
Në cilat sfera të jetës së shqiptarëve është më i theksuar ky diskriminim?
Lulgjuraj: Procesi i decentralizimit të pushtetit është një nga diskriminimet më të mëdha të shqiptarëve në Mal të Zi. Edhe pas 25 viteve “pluralizëm politik”, rrëgjimi i Gjukanoviqit vazhdon të mbajë peng formimin e Komunës së Malësisë. Mos formimi i Komunës mban peng zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sepse është pengesë për investim. Mungesa e investimeve ka krijuar kushtet që të largohen brezat e rinj sepse mbesin pa punë. Largimi i të rinjve zbrazë vendin dhe kështu vjen deri tek zbritja e numrit të shqiptarëve në këtë shtet (ndryshimi demografik). Kjo si pasojë e politikës së mirë menduar diskriminuese të pushtetit të Malit të Zi e cila gjeneroi mungesën e perspektivës.
Pastaj, para pak muajsh janë bërë sondazhe që nxjerrin në sipërfaqe një të vërtetë të hidhur. Populli shqiptar është populli më i padëshiruar në këtë shtet pas romëve. Ky është diskriminim racor dhe kombëtar që përbën një shqetësim të madh për integrimet evropiane të Malit të Zi. Sigurisht, ashtu siç përmendëm më lartë, punësimi është faktor tjetër i rëndësishëm që shqiptarët i gjen në disproporcion me përqindjen e tyre në nivel të shtetit. Identifikimi me simbole kombëtare, uzurpimi i pronave, diskriminimi në arsim, uzurpimi i të mirave detare në Komunën e Ulqinit, tentativa për të kthyer Gucinë në kantier mbeturinash, janë politika që rrjedhin nga pushteti aktual e që janë tepër diskriminues.
Megjithatë shqiptarët janë të përfaqësuar në institucionet shtetërore malazeze, duke filluar nga udhëheqja e pushtetit komunal në Ulqin, deputet në parlament si dhe ministra në qeverinë malazeze. Cili është kontributi i tyre?
Lulgjuraj: Siç e thashë më lartë, shqiptarët në administratën publike janë të punësuar vetëm 0,1%. Këta që sot mbajnë pushtetin në Ulqin dhe Malësi janë shqiptarë konformistë ndaj politikave të Qeverisë së Malit të Zi. Askush nuk din më mirë se sa këta të zbatojnë dhe të jenë instrumente të politikës diskriminuese të shqiptarëve në Mal të Zi. Nuk kemi shqiptar në pozicion ministri, por edhe sikur të kishim, jam i sigurt se do ishte vetëm një instrument i pushtetit dhe asgjë më tepër. Pushteti çerek shekullor i Gjukanoviqit i ka përfshirë nën kontroll absolut. Këta pushtetarë shqiptar, thjeshtë marrin rrogat dhe asgjë më shumë. Malësia dhe Ulqini kanë të përbashkët paaftësinë sepse në Malësi nuk dinë ta themelojnë Komunën, ndërsa në Ulqin nuk dinë ta mbajnë Atë. Kursa Rozhaja, Plava, Gucia dhe Tivari të përbashkët kanë asimilimin.
Në Mal të Zi veprojnë më shumë se 7 parti politike të ashtuquajtura shqiptare
Në Mal të zi funksionojnë 5 apo 6 parti politike shqiptare, nëse nuk gabohem, në një elektorat relativisht të vogël. Cili është rroli i tyre në avancimin e të drejtave të shqiptarëve?
Lulgjuraj: Në Mal të Zi veprojnë më shumë se 7 parti politike të ashtuquajtura shqiptare. Këto vite te pluralizmit politik është krijuar luksi partiak i formimit të partive politike nga ana e popullit shqiptar në Mal të Zi. Në vitet 1990 u formua partia e parë nga shqiptarët që u quajt Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Në atë kohë shqiptarët menduan se çështja e tyre kishte filluar të merrte zgjedhjen e duhur. Por, ishte gabimi më i madh historik. Aty filloi dëmtimi i kauzës shqiptare në Mal të Zi. Sepse duke mos ditur të organizohen, që ishte njëri ndër elementet kryesore, në udhëheqjen e partisë u vendosën njerëz pa formim profesional dhe njerëz që nuk i njihnin rrethanat politiko – shoqërore të asaj kohe, e aq më pak kishin njohuri për politikën rajonale dhe fare për atë globale. Kjo situate solli konflikte të brendshme në parti, konflikte të cilat çuan në themelimin e partisë së dytë e kështu me radhë. Rrjedhimisht interesi personal i politikanëve dhe filtrimi i tyre nga laboratorët malazeze sollën situatën më kritike të pozitës shqiptare në Mal të Zi.
Numër kaq i madh i partive politike shqiptare, përveç se e parcializojnë votën e shqiptarëve, a mendoni se edhe e dëmtojnë kauzën për më shumë të drejta nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi?
Lulgjuraj: Nuk mendoj, por e konstatoj dhe e faktoj. Vërtet luftërat shekullore e shfarosën një pjesë të shqiptarëve në Mal të Zi. Për këtë mund të lexohen librat e historisë. Por, asnjëherë gjatë një shekulli të tërë, ky popull nuk është përballur më faktorin e politikave për krijimin e kushteve të pamundësisë për zhvillim dhe mbijetesë në këto troje. Partitë politike kanë krijuar përçarjen në mes të elektoratit. Në këtë mënyrë humbën pushtetin në Komunën Urbane të Tuzit dhe rrezikojnë që ta humbasin edhe në Ulqin në të ardhmen nëse nuk ndërmerren hapa me projekt strategjik. Por, jo vetëm! Veprimtaria e tyre është duke na drejtuar drejt një humnere për humbjen e shpresës së zgjidhjes së çështjes shqiptare në Mal të Zi.
Një nga kërkesat e shqiptarëve është edhe kthimi apo formimi i komunës së pavarur të Tuzit, nga administrimi i Podgoricës. Pse nuk po bëhet kjo?
Lulgjuraj: Së parit më lejo të bëj një korrigjim. Duhet patur shumë kujdes kur përdorim terminologji për të etiketuar dikë ose për të emërtuar diçka. Ne nuk kërkojmë komunë të pavarur, as komunë të Tuzit, e as komunë të plotë siç e quajnë pjesa më e madhe e politikanëve. Sepse ligjërisht një etiketim i tillë nuk gjendet. Këto etiketime në fjalorin politiko – diplomatik përbëjnë ndoshta çështje tepër serioze dhe me përmasa galomanë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa Komunën e Malësisë me qendër Tuzin. Pra, Komunë si të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Ky është hapi kryesor i decentralizimit të pushtetit që garantohet nga Kushtetuta e Malit të Zi dhe veçanërisht nga Konventa Evropiane për Vetëqeverisje Lokale të cilën e ka ratifikuar Mali i Zi.
Të gjitha këto për të cilat biseduam, a ua keni parashtruar edhe institucioneve shtetërore malazeze, dhe cila ka qenë gatishmëria e tyre apo qasja në zgjedhjen e këtyre problemeve?
Lulgjuraj: Sigurisht. Institucionet e shtetit të Malit të Zi janë të njoftuara me projekte konkrete (elaborate, raporte të ndryshme etj.), në lidhje me çështjen e themelimit të Komunës së Malësisë dhe jo vetëm. Por, dokumentet tona edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të qëndrojnë në arkiv në zyre të Qeverisë dhe thjeshtë vetëm premtime të tyre verbale kemi marrë. Asnjë hap konkret. Fatkeqësisht kemi edhe përfaqësuesit politik të cilët kanë rënë preh e pushtetit të Gjukanoviqit, duke u shndërruar edhe në shërbëtor të tij, të cilët kanë mungesë të theksuar të njohurive elementare për artikulimin e fakteve për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Mal të Zi.
Marrëdhëniet në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë e Kosovës duhet të jenë reciproke dhe jo marrëdhënie servilësh politik
Lulgjuraj, ju keni zhvilluar takime me zyrtar të ndryshëm shtetëror të Kosovës dhe Shqipërisë dhe me siguri i keni paraqitur edhe shqetësimet e shqiptarëve në Mal te zi. A mund te na thoni se cili ka qenë reagimi i këtyre zyrtarëve nga të dyja shtetet, a kanë shfaqur gatishmëri për përkrahje dhe sa jeni të kënaqur me këtë?
Lulgjuraj: Sikurse edhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe ajo e Kosovës, janë të njoftuara për problemet tona dhe ne u kemi dhënë mjaftueshëm material për gjendjen tonë. Reagimi i tyre herë – herë ngjallë një ndjenjë papjekurie në gjykim. Kjo ndoshta edhe për faktin se mungon plani i veprimit strategjik për zgjidhjen e problemeve tona nga ana e të dyja shteteve. Këtu do potencoj më shumë Shqipërinë, e cila e ka detyrim kushtetues kujdesin ndaj popullit shqiptar dhe pakicës shqiptare jashtë kufirit administrativ (neni 8 / 1 i Kushtetutës). Për fat të keq në këtë drejtim është bërë pak. Nuk mjaftojnë vetëm fjalë, por të dy qeveritë e kanë mundësinë e shkëlqyeshme të marrin ekspertë, njohës të mirë të çështjes së shqiptarëve në Mal të Zi dhe të fillojnë draftimin e dokumentit strategjik për veprim duke u bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe detyrimeve që ven Bashkimi Evropian për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Si i shihni marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi me Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë?
Lulgjuraj: Marrëdhëniet në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë e Kosovës duken të shkëlqyera, edhe pse pak e çuditshme kur Mali i Zi ushtron spastrim etnik. Ne nuk jemi kundër që Kosova dhe Shqipëria të kenë marrëdhënie diplomatike, ekonomike, politike, sociale, edukative me Malin e Zi, por ajo që na ndanë është se them që duhet marrëdhëniet të jenë reciproke dhe jo marrëdhënie servilësh politik. Populli autokton shqiptar në Mal të Zi duhet të jetë urë lidhëse ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë e Kosovës. Mendoj se padrejtësitë shekullore kanë qëndruar mjaft mbi kurrizin e shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë herë është koha për ndryshim raportesh ndërmjet këtyre vendeve. Nga servilizmi duhet të aplikojmë parimin e reciprocitetit, ndërsa nga kurbanizimi i shqiptarëve në Mal të Zi për “hir të çështjeve të mëdha” duhet të kalojmë në marrëdhënie pa inferioritet dhe ballë për ballë me çdo shtet fqinj në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon.
E ardhmja e juaj e afërt do të jetë në politikë apo do të vazhdoni me kontributin tuaj përmes shoqërisë civile?
Lulgjuraj: Unë mendoj se asnjë lëvizje në Mal të Zi e dalë nga populli shqiptar nuk ka qenë më politike se sa ne. Unë jam i vendosur ti shërbej vendit tim me gjithë fuqinë time e njohuritë e mia. Sepse këtu kam lind dhe e kam detyrim të kontribuoj në ngritjen dhe emancipimin e vendit tim.
Intervistoi: Nexhat HAZIRI
© 2015, SHQIPËRIA E BASHKUAR
Leave a Reply