Autoritetet franceze të fluturimit thanë se nuk pati thirrje për ndihmë nga pilotët e avionit të kompanisë ajrore Germanwings.
Zyrtarët francezë thanë se asnjë nga të 150 personat në bordin e avionit Airbus 320 që u rrëzua sot në Alpet franceze nuk ka mbijetuar.
Presidenti francez François Hollande tha se mes atyre që humbën jetën kishte gjermanë, spanjollë dhe ndoshta turq. Si zoti Holande ashtu edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehën hidhërim të thellë për tragjedinë.
Thomas Winkelmann, shefi ekzekutiv i kompanisë Germanwings, tha se avioni arriti lartësinë e udhëtimit prej më shumë se 11 mijë e 500 metra pasi u largua nga Barcelona në Spanjë drejt Dusseldorfit në Gjermani, por ai tha se avioni më pas u ul për tetë minuta rresht para se kontrolli i trafikut ajror francez të humbiste kontakt me të në lartësinë gati 1 mijë e 800 metra.
Autoritetet franceze të fluturimit thanë se nuk pati thirrje për ndihmë nga pilotët e avionit por se kontrollorët e trafikut ajror shpallën emergjencë pasi humbën kontakt me kabinën.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka shenja se aksidenti është i lidhur me terrorizmin.
Presidenti i Francës François Hollande tha se ngjarja është një tragjedi.
“Kjo është një tragjedi, një tragjedi e re ajrore, ne do duhet të zbulojmë shkaqet pas asaj që ndodhi dhe do të japim informacion për të gjitha autoritetet përkatëse, spanjolle dhe gjermane, si dhe për familjet e viktimave,” tha Presidenti.
Z. Hollande i telefonoi kancelares gjermane Angela Merkel për t’i shprehur ngushëllimet.
Zonja Merkel i anuloi të gjitha aktivitetet e tjera të ditës dhe tha se rrëzimi i avionit do të hetohet plotësisht.
“Rrëzimi i avionit gjerman është një tronditje që na ka zhytur ne në Gjermani, Francë dhe Spanjë në një dhimbje të thellë. Deri tani kemi pak informacion në lidhje me hollësitë e ngjarjes dhe çdo spekulim duhet të përjashtohet. Çdo gjë do të hetohet plotësisht “, tha zonja Merkel.
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy shprehu tronditje për aksidentin ajror dhe tha se autoritetet e Spanjës po bashkëpunojnë me ato franceze dhe gjermane.
Mbreti i Spanjës Felipe ishte për një vizitë shtetërore në Paris në kohën e aksidentit, por e ndërpreu vizitën dhe u kthye në Madrid.
Fluturimi me numër 9525 i kompanisë ajrore Germanwings kishte 144 udhëtarë dhe një ekuipazh prej gjashtë vetësh në bord. Autoritetet thanë se mbetjet e një avioni të rrëzuar ishin diktuar nga helikopterët në një zonë që do të jetë e vështirë për arritjen e ekipeve të kërkimit.
Germanwings është një degë e Lufthansës që operon fluturime me çmime të ulta. Avioni A320 që u rrëzua kishte një moshë 24 vjeçare, dhe ishte në vitet e fundit të përdorimit për fluturime udhëtarësh.
Zeri i Amerikes
Leave a Reply