
Tregimi që reflekton një jetë dhe një fat, që është thuaja fat i gjithë shqiptarëve në mërgim
Bashkëbiseduesi ynë, Shaban Osmani, personifikon përmbajtësisht disa etapa të ecjes sonë nga vendlindja në mërgim dhe jetën në një vend skandinav, dhe gjithsesi, biseda e bërë me një njeri nga pjesa jugore e Evropës e që jeton në një qytet jugor të Skandinavisë, reflekton një jetë dhe një fat që s’është vetëm i tij dhe as vetëm i familjes së tij, por, që është i shqiptarëve, thuaja të rreth 50 mijë sish që u detyruan të vijnë, të jetojnë e të punojnë në Suedi.

Atëherë , në vitet e 70-ta e të tetëdhjeta, si djal i ri me plot entuziazëm bënte fotografi për revistën studentore ”Bota e Re”, ku ishte i punësuar si fotoreporter, pastaj për revistën e të rinjve ”Zëri i Rinisë” etj. Ishte qyteti, ishte fshati, Kosova dhe rrita e saj në thjerrzë të fotoreporterit entuziast Shaban Osmani, derisa punonte në ”Bota e Re”, gazetë që i sjell edhe sot plot nostalgji e kujtime të mira, por edhe pasqyrimin e një jete në rrethana të rënda ekonomike, shoqërore e politike. Në Suedi, janë shumë protagonistë të ngjashëm, që deshtën e s’deshtën përballen me mërgimin, si plagë, si detyrim dhe së fundi edhe si pajtim!
Shaban Osmani duke punuar
– Të gjithë i detyroi situata ta lënë Kosovën. Është ky fat kolektiv që na solli trauma, përballje me të panjohurat e jetës, por që, megjithatë, asnjëherë s’u larguam nga rrënjët, qoftë edhe me kapitullim të kohëpaskohshëm shpirtëror në netët e gjata e të pagjumë, ashtu siç na përcollën e na përcjellin duke u bërë miq më së shpeshti me yjet e natës dhe bisedat me ta…. Dhe derisa Shabani heshtë pak, ndalet se fjalët sikur gozhdohen në zemër,diku rreth orës 03 pas mesnate, në banesën e tij, në një natë që është një nga netët e shumta pa gjumë, ai duket i mallëngjyer, ndoshta edhe i zhgënjyer me fatin , por edhe i përmbajtur!

Dëshiroj ta nxisë të vazhdojë rrëfimin….
– Paramendoni familje të shpërngulura me dhunë nga vendi i tyre,të ardhura në një shtet të ri dhe të panjohur për ta pa asnjë njohuri rreth këtij vendi, pa ditur asgjë për të ardhmen, pa ditur asnjë fjalë komunikimi me vendasit dhe me një qëndrim të prerë në nivel shtetërorë se gjithë shqipëtarët e ardhur asaj kohe do kthehen në vendin e tyre. Pra kjo ishte gjendja e asaj kohe e përbashkët që i mundonte të gjithë shqiptarët në Suedi. Pastaj asaj kohe thuajse gjithë Europa i kishte mbyllur dyert për shqipëtarët. Kjo kishte bërë që ne në atë kohë të ndihemi shum keq me ankth të madh se çka po ndodhë ,dhe çka do na sjell e nesërmja. Këtë situatë e përjetonin thuajse rreth 99%e shqiptarëve asaj kohe , flet personazhi ynë,që i ka të freskëta kujtimet për pritjen dhe sjelljet e të ardhurve në Suedi në ato vite, 1990-1992.
Heshtje e pritjes apo imazhet e trilluara dhe në anën tjetër roli afirmues i intelektualëve shqiptarë


Por, në krejt këtë amulli gjendjen e rëndonte edhe imazhi i krijuar per shqiptarët, ishte një imazh jo real.
Megjithatë, këte e bënte edhe më të rënd edhe sjellja e një numri të vogël të individëve, me problemet ë natyrave të ndryshme ,si dhe të një pjese të komuniteteve tjera që asaj kohe veprimet e veta të sjelljeve jo të mira i fshihnin mbrapa emrit ”kosovoalban”pra çuditërisht kur ata kapeshin me ndonjë këso ndodhije prezantoheshin se janë nga Kosova, dhe kështu kjo ishte brengë për ne, tregon Shabani.
Dhe pikërisht imazhet e tilla duhej demantuar, apo duhej rindërtuar imazhin real. Kjo edhe i nxiti shumë më tepër shtresat intelektuale shqiptare që ashtu siç munden e dijtën edhe me një gjuhë çaluese suedeze të bëjnë të mundurën e të pamundurën për të dhënë pasqyrën reale të shqiptarëve te Kosovës. Shabani me shumë intelektualë të tjerë, por edhe punëtorë të të gjitha kategorive, ishin të vendosur në veri te Suedisë.
– Suedezët në pjesën e veriut , atje ku unë kam jetuar, nuk i kanë njoftë shqiptarët, pastaj për Kosovën as që kishin dëgjuar ndonjëherë. Një pjesë e problemeve e kishte zbehë edhe më tepër këtë imazh. Dhe pikërisht ishte ky motivi shtytës edhe për Shabanin.

Veriu, samezët, skulpturat….
Në vitin 1992 isha vendosur, në Svanstein të Norrbotenit thotë ai: ,një fshat me nja 250 banorë kryesisht pleqë dhe plaka.Qytetin ma të afërm e kishim Övertorneån nja 40 km.larg. Që nga dita e parë, fal dëshires sime për të bër diçka, si dhe gjuhës Angleze që unë e zotoja mir në atë kohë, kisha lypë punë të çfardolloji (sa për të thye monotonin e ndejes së kotë të asaj kohe). Rastësisht takoj një familje shumë të njohur të atij fshati e cila familjarisht, pastaj edhe disa breza, ishin marr me skulpturë dhe pikturë. Pos kësaj ata kishin edhe një minifabrikë të punimeve të artizanatit, kryesisht të punimeve të stolive të ndryshme bazuar në kulturën e punimeve të popullit Samez të njohur në artizanat në gjith botën. Samezët njihesin me punimet e tyre specifike ,dhe pikrisht këto punime i prodhonte kjo fabrikë suedeze.Dhe i pari i tyre ,Rolf Edin Suup, skulptor dhe piktor me renome, vendos që të më marrin si krah pune në objektet e tyre, pra mirëmbajtje të objekteve dhe gjithëçka kishin për të punuar. Rasti është mbret i botës, shumë shpejt ata më ofrojnë punë të ndryshme nga punët e përditshme dhe nga ato të veprimtarive të tyre të cilat i kryej me shumë sukses. Mbas 2-3 muajsh më erdhi ftesa për pjesëmarrje në garat e skulpturës së borës (një garë tradicionale e këtij lloji që mbahej qdo vit). Ishte kjo sfida më e madhe e imja në atë kohë të përballem me një punë që se kisha bër kurr para kësaj here. Mbas bisedimeve dhe këhillave të skulptorit në fjalë, se unë mund t’ia dal një këso sfide, vendosa të garoj dhe paraqita ekipën tonë me emrin ”Kosovoalban laget”,e që në shqipe do të thotë Ekipi i shqiptarve të Kosovës,e që e përbënim unë dhe shoqja ime. Emrimi i ekipës kështu kishte dy qëllime: një përfaqsonim një komunitet që ata në atë kohë nuk e njihnin dhe dy se në atë kohë ky komunitet përmendej në raste të shpeshta veç për gjëra të këqija. Skulptura është punue për 36 orë , dhe kjo skulpturë në atë kohë është shpërblye me vendin e dytë të publikut. Një vend shumë prestigjjoz për një ekip të panjohur nga ata deri atëherë Mbas kësaj pune ,dhe shkrimeve të shumta të gazetave lokale tretmani im dhe i familjes sime në këto treva pat marr kahje tjetër. Biseda të shumta, vizita dhe komunikime të panumërta mes shumë e shumë njerëzve, familjeve , pastaj edhe ndrrim vizitash dhe komunikime, nga këto vizita të shumta, nga to i kam shfrytëzue për propagimin e gjendjes aktuale të asaj kohe në Kosovë. Kohën kur e kam marr shpërblimin e dytë të publikut e kam pritë me shum knaqësi, pastaj edhe i gjithë komuniteti jonë atë kohë fliste për këtë ngjarje kulturore, një pjesë e madhe e shqiptarve në formë të organizuar kishin ardhë me i pa këto skulptura. Unë ndihesha shumë krenar atë botë se së pari kisha për temë Skulpturën e Skenderbeut,Trimit legjendar të kombit, së dyti se e kisha ngrit një kommunitet në këmbë e i cili gjer atëherë ishte izolue dhe qëndronte i heshtur nga vuajtjet e kohës.
Skulpturë në borë janar 1992: Busti i Skenderbeut, punuar në vitin 1992 në Svanstein të Norrbotenit, i shpërblyer me vendin e dytë të publikut
Që nga ajo ditë që unë dhe shoqja ime zumë vendin e dytë në skulpturë, tretmani ynë në punët e artit kishte ndryshue shumë për të mirë unë kisha marr punë të përhershme në atelen e Rolfit, por vlen të përmendet se pas asaj dite shumë shpesh punonim e gjithë familja në punët e stolive të ndryshme. Unë atë botë pata punue mbi 350 copë thika dhe stoli tjera si filgjana druri etj. , ndërsa bashkëshortja ime Shemsija në qëndisjen e vathëve në argjend. Të gjitha këto gjëra shiteshin në atelen e Rolfit si dhurata kërshëndellash e festash tjera, dhe ate me një emër se janë të bëra nga një familje e Kosovoalbanve. Vlen të theksohet se në kohën kur kam punue në atelen e Rolfit ,unë nuk kam folur gjuhën suedeze, dhe as Rolfi Anglishten. Dhe edhe pa e ditur gjuhën e njëri tjetrit vetëm përmes punimeve jemi marr vesh për mrekulli.Unë pastaj mbrenda 2-3 mujve atë botë pata përvetësue gjuhën suedeze në atë nivel sa me u kuptue mirë. Pra isha një ndër të parët nga grupi që fillova të komunikoj në guhën e tyre me vendasit atë botë.


Sjelljet tona dhanë imazh dinjitoz
– Jo veç unë. Një pjesë e shqiptarëve me punë dhe sjellje ka lënë një pasqyrë imazhi shumë të mirë, falë angazhimit dhe punës me sjelljet dhe qëndrim dinjitoz. Një nga këto familje ka qenë edhe familja ime, mendoj unë, thotë Shabani. Kjo bëhej me aktivitete kulturore.
– Por çudëitrisht në pjesë e intelektualve shqipëtar ishin mbyllur në lëvozhgën e halleve të jetës që ju ishin krijuar, por një pjesë tjetër me punët e veta të pakursyshme bënin shumë për vehten si individ dhe njëkohësisht në çështjen kombëtare . Sa për ilustrim po i përmendi disa nga ata: dr.Sadik Vrajolli i cili kishte nxjerr një broshurë në gjuhën suedeze dhe e kishte shpërnda dhe e cila përmbante një pjesë të përshkrimit real të një periudhe rreth 30 vjeçare të kosovarëve nën Jugosllavi. Pastaj rreth kësaj Sadiku shkonte dhe prezantonte ato para opinionit suedez, pohon Shabani duke shtuar se ka edhe shumë bashkatdhetarë tjerë që kishin vepruar pozitivisht.
Galeri, muze, histori, traditë
Pamje nga banesa në Malmö
Vitet ecnin, vuajtjet fillojnë të mbyllen në sirtarët e pritjes për një kohë dhe vazhdojnë ëndërrat për një jetë më të mirë , për një mëkëmbje ekonomike dhe një integrim të nevojshëm në shoqërinë suedeze. Shabani me familje marrin rrugëtimin kah jugu dhe vendosen në qytetin bregdetar e joshës Malmö, që ngjan edhe në qytet të huajve në Suedi.
Shabani fillon punën si shofer autobusi, punësohet edhe bashkëshortja Shemsija e fëmijët fillojnë rrugët e shkollimit. Tani Dritoni është punësuar, është refer nacional i xhudos, ka shiritin e zi dhe për dy mandate rradhazi ishte i vetmi i huaj anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Xhudistëve të Suedisë. Shabani tani është gjysh dhe ka nipa e mbesa. Familja ,sukseset si individ,të familjes të shokëve dhe shoqërisë kosovare janë ato që e motivojnë në jetë dhe e kundërta, apo mossukseset e bëjnë të ndihet keq.
Banesa e Shabanit në Malmö, është pak si galeri, pak si muze, pak si histori, pak si odë, nganjëherë krijon përshtypjen se aty janë rapsodët vetë, se aty është historia, çiftelitë, sharkitë, janë ato që bëjnë këngën dhe tingujt nostalgjikë kur nganjëherë, iu bie vetë Shabani, i cili edhe vetë i punoi, me një mjeshtri të rrallë, me një gdhendje artistike.
Violinat format i Stradivariusit punuar nga Shaban Osmani
Gjatë gjithë këtyre viteve kam punue punime të shumta, duke filluar nga skulpturat e borës më 1992 në Svanstein, dhe më 1993 në Jokkmokk, pastaj stoli të ndryshme nga ato të stolive sameze si dhe pastaj kam fillue me punimin e instrumenteve muzikore. Së pari e punova një Prim, pastaj disa qiftelia, pastaj mandolina, dhe në fund edhe violina.
Violina më bën të ndjehem krenar! Arsye kjo se violina është shumë instrument i mirë e në anën tjetër edhe i vështirë për tu punuar. Unë ia kam dalur ti punojë. Arsye tjetër ështër se ne në Kosovë se kemi pas traditë ta punojmë. Unë ende nuk e di nëse ka ndonjë në Kosovë që merret me këtë lloj veprimtarie. Unë do të isha i lumtur poqese në të ardhmen do mundja që të gjitha këto punë ti nxjerra në letër, që t’iu shërbjenë brezave…
Banesa e Shabanit, ështe edhe odë e hapur e mikpritëse për gjithe ata njerëz që vijnë nga Kosova në Malmö, për të marrë pjesë në aktivitete e takime. Shabani, s’mundet pa e hapur zemrën. Shemsija, bashkëshortja e tij është ajo që përherë e dëshmon mikpritjen me punët që i bënë, me gatimet dhe bujarinë: Familjen tonë e kanë vizituar shumë mysafirë e sidomos njerëz të lëmive të ndryshme nga Kosova dhe të viseve tjera etnike që vizitonin e vizitojnë Suedinë. .Mendoj se jemi munduar t’iu afrojmë një mikpritje ,në kuadër të mundësive tona, gjithë atyre që kanë ardhë për të na vizituar. Mikpritja mendoj unë është një nga vlerat më të mira që kemi si popull.

– Është traditë, është familjare dhe njerëzore të hapësh zemrën e bujarisë, thotë Shabani.
Por puna krijuese e lehtëson dhe kur vie i lodhur nga orët e shumta të punës, shlodhet me artin e tij, shlodhet me skulpturat e tij që rrezatojnë dorë artisti.
Kurbeti, të mëson shumëçka, të detyron në shumëçka. Shabani, pos mallit për familjen e atdheun e zgjodhi edhe punën krijuese. Tash, çdo krijim i tij ka konotacion vendlindjeje. Skulpturat flasin ashtu. Pikturat poashtu. Qarshia e vjeter i shërben si frymëzim!
Pikturat e tij tani janë edhe në kopertina librash të autorëve të ndryshëm si të shkrimtarit Ramiz Kuqi për shembull, i cili jeton dhe vepron në Norvegji, por janë të botuara edhe në gazeta e revista të ndryshme.

Tani për Shabanin dhe punën e tij krijuese edhe një lehtësi. Në tetor 2013 fitoi edhe një lokal për punën e tij, tani Ateleja e Shabanit do të jetë e hapur edhe për të gjithë ata që duan ta vizitojnë por në rend të parë mundësi që ai të avansojë krijimtarinë dhe talentin e tij….
Shpirtërorja, fatet e përsëritura apo më e rënda
Lufta ishte gjendja dhe diagnoza e vuajtjeve më të mëdha shpirtërore të mërgimtarëve. Te rasti i Shaban Osmanit, është edhe një specifikë jete.
– Babai im fatin e dëbimit e kishte përjetuar dy herë . Herën e parë, kur gjatë luftës së dytë botërore në vitin 1943,të gjitha fshatrat përrreth komunës së Medvegjës ishin detyruar të largohen dhe të linin gjithçka mbrapa. Atëbotë familja jonë kishte gjetur strehim në dy fshatra të Kamenicës(Dardanës),në Meshinë dhe Busavatë. Dhe së dyti është viti 1999 kur qindra mijëra kosovarë dhe një pjesë e familjes sonë, e me ta edhe babai im , largohen dhunshëm në Maqedoni. Babai im ndrron jetë në kampin e Stankovecit me 17 qershor 1999 ,pra s’arrin të kthehet i gjallë në Kosovë. Por me mund të madh arrijmë ta sjellim në Prishtinë me 21 qershor dhe e varrosin ditën e nesërme me 22 qershor, flet Shabani per diçka që e ka rëndë ta kujtojë. Dhe fillon spjegimin për data. Më 21 qershor të vitit 1992, Shabani me familje dolën nga Kosova dhe më 21 qershor të vitit 1999, ai e ktheu babanë në Kosovë pasi kishte ndërruar jetë në kampin e Stenkovecit, nga mundimet e përjetuara .
Dhe nga kjo ngjarje, nga lufta lindi edhe vargu frymëzues i Shabanit. Ai edhe do të merr pjesë në Festivalin e Poezisë dhe Muzikës për Skandinavi me poezinë që ia kushtoi babait dhe të tjerëve që ishin si ai, të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Përndryshe Shaban Osmani është pjesëmarrës disa herë me radhë në Festivalin e Poezisë dhe të Muzikës për Skandinavi që për çdo vit mbahet në Malmö…
Njëra nga poezitë me të cilën Shaban Osmani është paraqitur në Festivalin e Malmes i rri më shumë ngat zemrës, apo thënë më mirë është zemra e tij e pikëlluar për fatin e babës së tij, dhe mijëra shqipatarëve tjerë në kampin fatkeq të Stenkovecit, në vitin 1999. E titulloi 78 ditët e 99-tës. Disa nga vargjet e kësaj poezie:
****
Tenda C134 Stankovec
Ku dielli përvëlonte, shiu si lante plagët
Babai im numëronte, numëronte, numëronte
bukën, barërat, bombat, njerëzit. aeroplanët
yjet, e çka s’numronte ……
Ai ishte i vetëm, dhe njëqindmijë të tjerë
numëronte, numëronte, numëronte
sekondat e fundit të jetës
larg shtëpisë, larg atdheut, larg familjes
larg Kosovës që s’do ta shihte më kurrë…..
Kurrë…!
Me Shaban Osmanin, bëmë edhe një gjysmë nate rrugëtim me autobus sa për të parë se si ai e sheh dhe e bën punën e vozitësit në rrugët e Malmös e Lundit. Para nisjes flasim pak për foton si punë, si art.
– Tanë jetën e kam dashtë foton. Nuk thonë kot se fotoja flet sa një mijë fjalë. Unë kam një numër të madh të fotove të arkivuara e të cilat paraqesin momente të rëndësishme të mijat ,familjes sime dhe shoqërisë, pastaj vendeve të ndryshme.
Flasim edhe për poezinë.
– Unë mendoj se poezia është shprehja më bombastike e ndjenjave shpirtërore.
Shabani merret edhe me gazetari. Është bashkëpunëtor i Radio Projektit 21 të Kopenhagës. Dhe kjo paraqet një kënaqësi për te.

Shabanin, si çdo njeri ka diçka që e gëzon, ka edhe diçka që e dëshpron.
– Çdo punë e mirë e dalë nga zemra më gëzon. Por edhe më nervozon kur dikujt i ofron shoqërim, ndihmë dhe ta kthen me të keq.
E ka ndjenjën e veçantë si gjysh.
– Kam ardhur gati qe 22 vite në Suedi me një bagazh hallesh dhe problemesh ,dhe tash jam gjysh i tre nipave dhe një mbese. Ndihem mrekullueshëm ,ndjenjë e papërshkrushme.
Shqiptarët në Suedi sot janë komunitet që po fillon të ndikojë në procese të rëndësishme. Janë klasa e re intelektuale që po integrohet fuqishëm.
– Shqiptarët mendoj unë, janë një komunitet I rëndësishën dhe i respektuar në Suedi. Me një imazh të krijuar mirë vite me rradhë, tani në këtë shtet ku po jetojmë kemi njerëz të kyçur në sferat të ndryshme të jetës, të shoqërisë suedeze. Pra me një fjalë nga parlamenti , ku tani kemi deputetin e parë shqiptar e deri në punët e jetës së përditshme ,shqiptarët punojnë me zell.
Deri sa bëjmë rrugëtim me autobus, në disa minuta të pushimit Shabani shpreh edhe mesazhin e tij.
– Shqiptarët duhet të mendojnë në integrim e jo në asimilin. Të mësosh një gjuhë dhe kulturë tjetër do të thotë se ke edhe një më tepër ,pra i ke dy, e nëse je me një dhe ate s’ mund ta përdorish se je në rreth të huaj do të thotë se s’ke asnjë. Duhet mësuar edhe gjuhën e vendit ku jeton. Por mendoj unë, edhe gjuhës dhe kulturës sonë duhet dhënë rëndësi të posaçme, sidomos gjeneratave të reja , pra fëmijëve tanë.
Shabani shpesh krijon ndonjë varg duke takuar njerëz profilesh të ndryshme në rrugët e Skånes.
Është i shoqëruar me nostalgjinë e vendlindjes në çdo kohë, për të cilën s’ka koment , se asnjë fjalë në botë nuk mund ta përshkruaj ndjenjën shpirtërore të tij vite me radhe !
Dhe kështu vazhdon përditshmëria mërgimtare. Por profesioni i parë e shoqëron Shabanin në çdo kohë.
Shkolla shqipe punim nga Shaban Osmani
“Shkollat shqipe të Kosovës” Një skulpturë për helmimet e nxënësve në shkollat shqipe viteve të 80-ta (skulptura paraqet në formë simbolike helmimet që kanë ndodh në Kosovë, koka e një përbindëshi ku në gojën e vet mban dy nxënës ……..Kjo kokë simbolikisht paraqet Serbinë dhe 5 gjarpijt përrreth paraqesin republikat e tjera që ishin bashkmendimtare të ideve të njejta si të kokës kryesore, kreatore e ideve ….skulptura paraqet një etapë të trysnive që sistemi i atëhershem jugosllav ka bërë mbi shkollat shqipe në Kosovë

.. Tash, pas kaq shumë vitesh, bën sërish fotografi. Por, ato foto bëhen vetëm me mendje, me sy, duke drejtuar timonin e autobusit rrugëve të Skånes, nga Malmö në Lund, në Landrskrona…. Tash nën thjerrzë janë fotot e përditshme të punës, por në njërën anë kujtimet me barrën e rëndë që çdo ditë e bartë në mendje, në zemër e në supe, veprimtari, krijuesi dhe njeriu bëmirës Shaban Osmani.
Muhamed Krasniqi
Burimi – radio Projekt 21
VO – Fotot e tjera jane vene nga ana e Alba – Dansk,te nxjerra nga adresa personale ne facebook e Shabanit.


Leave a Reply