
Letërkëmbime me nënën, babain, apo motrën Sofi. Përshkrime dhe përshtypje për Durrësin, Triesten, fotografi nga episode të ndryshme të jetës, regjistrime zanore nga shfaqje të ndryshme… Ndryshe nga ajo që njohim, aktori shqiptar, Aleksandër Moisiu, vjen në një panorama tjetër, në një anë të panjohur, mes letrash. Një libër për mjeshtrin, i botuar kohë më parë, me titull “Aleksandër Moisiu, – Mes Triestes dhe Durrësit” sjell letërkëmbimin e tij me nënën, pjesë nga i cili po shkëpusim ne sot. Është një libër i shkruar për dhjetë vite me radhë nga arkeologu dhe historiani Sali Hidri, në të cilin autori synon të sjell nëpërmjet saj ato çka nuk njohim, ato çka nuk dimë për aktorin me famë botërore. “Duke qenë se prej 27 vjetësh kam qenë drejtor i Rrjetit Muzeal të Durrësit, me seli në Shtëpinë Muzeu “Aleksandër Moisiu”, pak nga pak fitova bindjen se duhet të realizoja një libër për artistin e madh Aleksandër Moisiu”, është shprehur gjatë promovimit, autori i cili e ka studiuar personalitetin e Aleksandër Moisiut, nëpërmjet letrave. Libri nxjerr në pah biografinë e Moisiut dhe shoqërohet edhe me CD, që përmbajnë recitime në gjermanisht të Aleksandër Moisiut, fragmente të kryeveprave të literaturës botërore. “Por autori në këtë vepër përshkruan me hollësi vendin e lindjes së Moisiut, Triesten, duke na e bërë më të afërt dhe pse jo ta duam për vetë faktin se në përshkrimin e rrugëve dhe shesheve të këtij qyteti sikur ndjejmë vetë Moisiun”, shkruan redaktori i veprës, Hasan Ulqini. Kryesisht përveç skicave, në libër pjesën më të madhe të tij e zë korrespodenca e aktorit me të afërmit e tij, bababin, nënën, motrat, nëpërmjet të cilave arrijmë të shohim një tjetër Moisi, një aktor jashtë skenës së teatrit, anën e panjohur të tij, Moisiun njeri. Por libri mbyllet me ditët e fundit të jetës së aktorit shqiptar, ku padashur jo vetëm autori Sali Hidri, por edhe vetë lexuesi ndjen dhimbje. “Për mua letrat e Moisiut janë paraqitja autentike e prejardhjes së familjes së tij, janë shpirti dhe ndërgjegjja e fisme e tij, janë dilemat, shqetësimet, dashuria, pakujdesia ndaj njerëzve më të afërm për të, dashuria për punën e përkushtimin e pandalshëm, janë hovet shpirtëroren, janë mendime filozofike, respekti e vlerësimi për jetën, për punën e artin skenik”, shprehet autori Sali Hidri, i cili në këtë libër ka përfshirë vetëm një letër, të cilën Moisiu ia dërgon të atit, e cila mjafton për të kapur një dëshirë të madhe e respekt për të.
Zakonisht letrat janë të shkruara me shkrim dore, mbajnë data e adresa, hotelesh, teatrosh, qytetesh e vendesh, në cilat ai ndodhej gjatë shkrimit të tyre. zakonisht mbajnë emra të plotë por pse jo dhe inicialet e tij A.M. a ndryshe të firmosura shkurt, Aleks. Janë rreth 24 letra. Lexoni një pjesë nga to.
Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste dhe ndërroi jetë më 22 mars të vitit 1935 në Vjenë, dhe prehet në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessin-it në Zvicër.
Ai u rrit në Trieste, Kavajë dhe Durrës, ndërsa në moshën 19-vjeçare u vendos në Vjenë, ku iu përkushtua aktrimit me ndihmën e Jozef Kainc. Në vitin 1898 e nisi karrierën si kompars (aktorë që luajnë rol të vogël) në Burgtheater, për të vijuar angazhimin në teatër në Pragë dhe Berlin.
Artisti i madh me origjinë shqiptare u pranua në seminarin e Max Reinhardt, ku në vitin 1911 u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi u angazhua në shumë vende të Evropës dhe Amerikës Veriore. Ai u bë i njohur për interpretimin e Hamletit, të Edipit, Fedjas në veprën ‘Kufoma e gjallë’ e Leon Tolstoit, etj. Në vitin 1920, Moisiu ishte i pari që interpretoi rolin kryesor në Jederman në Lojërat Festive të Salzburgut.
Ai vlerësohej nga publiku për zërin e bukur dhe në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore konsiderohej si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse.
Nga viti 1910 e deri në vitin 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë.
Një letërkëmbim prej 24 letrash e kartolinash që Aleksandër Moisiu ia dërgonte prindërve e motrave të tij zbulojnë këtë anë të panjohur. Janë me shkrimin e tij të dorës e të firmosura me emrin e shkurtuar Aleks apo edhe me iniciale. Nisen në emër të nënës apo të motrave nga adresa hotelesh të qyteteve italiane dhe gjermane, ku ai lëvizte për të dhënë shfaqje.
Letër nënës
Nga Girtler’s Posthotel
Brener
Tirol
Shënuar viti 1910
Shumë e dashura nënë!
Letra jote e fundit nuk ishte shumë e gëzuar. Por do më falësh nëse gabohem që një pjesë e lëngatave tuaja dhe të Sofisë i llogaris si teprime të zakonshme. Jam i sigurtë që vapa ju bëri të vuani, por megjithëkëtë duhet të falenderoni z.M…që ndodheni në Novistofen, që është sigurisht tepër i freskët, pse bie shi më shpesh se gjetiu. Në Gjermani, Austri, Angli etj, ka vdekje me qindra njerëzish prej vapë,s që ti i di e ke marrë vesht. Në atë… bregdet që është plotësisht i zbrazur m’u desh të shkoja për shkak të vapës që më shkaktoi të fiktë(jo vetëm mua). Po mushkonjat, vapa e natës atje është shumë mbytëse, e mizave…, sa që në tri net e tri ditë nuk fjeta më shumë se 30 minuta.
Në se do të bëni më kujdes…në Ëoristofen(?), do ta ndjeni efektin shpejt, po ashtu dhe Sofia. Jam shumë i sigurtë se kam të drejtë. Ku të shkosh? Në të vërtetë nuk di të të këshilloj: në se të pëlqen See, shko, unë më 11 në mëngjes do të jem në Munih, se fillojnë provat e “Orestias”, premiera do të jepet më 24. Në se do të jesh në Hanberger See do të mund të asistosh.
Unë u ndodha gjatë javës më të nxehtë në Isala, ishullin Sylt(Nor See), mëngjes e mbrëmje me mantel…tërë ditën shndriste dielli, termometri nuk arrinte kurrë në 20 gradë R. Nga gazetat mësova se çfarë ndodhte në Evropë. Unë arrij në pensionin Buch e do të kërkoj ndonjë vilë, sepse do të qëndroj 6 javë në Munih.
Letër dërguar nënës
Nga Shtëpia e Kurimit në Semering
KURHAUS SEMMERING
Physikalisch – Distetische
Hoen-Kuranstalt
Me adresë: Frau Amalie Moissi
Mordling Wien
Dominikannergasse 14
Shumë e dashura nënë,
E përsëris se nuk ndjej asnjë lloj mllefi as kundrejt teje, as kundrejt motrave, as për Kostandinin. Përkundrazi, ju dua shumë, por me një dhimbje të thellë vë re që fatkeqësisht nuk jetoni në harmoni, por e kundërta, më helmoni jetën me grindje krejtësisht të pabazuara. Shqetësimet tuaja që unë t’i shmangem mbajtjes së prindërve(farefisit, të afërmve) të jashtëligjshëm e të tjerëve të ligjshëm janë thjesht fantazira që nuk do të realizohen kurrë.
Tani që keni vilën dhe 6000 korona në muaj, do të mundeni të jetoni, qoftë edhe në mënyrë modeste, me zemër të qetësuar me motrat.
Letër nënës
Mbi zarf është shkruar
Data 1920
5.7.1920
Poshtë letrës është edhe një shënim
i gruas së Aleksandrit,
Joana Tervin, në adresë të nënës
e motrave të tij
Qetësohu e dashura nënë, hiq dorë nga fantazitë e do të shohësh se do të jeni të kënaqura të gjitha. Qëndrimi yt në Raichenen është tanimë i siguruar e do të mundesh atje të shijosh(gëzosh) natyrën e të jesh mirë, në se arrin të qetësosh shpirtin tënd jo pak të shqetësuar.
Përsëris gjithnjë dhe përherë lutja ime është të mos shqetësohesh.
Nesër shkojmë në Romë, me shpresën të rregullojmë turneun në Itali për pranverën e ardhshme. Pastaj do të shkoj t’i gëzohem detit dhe maleve.
Mijëra të puthura ty dhe të gjithëve.
I juaji Aleksandër
Adresa ime: Roma, Hotel de Russu.
Letër nënës
Graz, 24.12.93(1893)
Shumë e mira dhe e dashura nënë!
Nuk e di se çfarë do të mendosh për heshtjen time tepër të gjatë, por të jesh e sigurtë, e dashura nënë, se janë arsye, jo për fajin tim.
Po afrohen festat e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri, prandaj dua t’i uroj nënës sime shumë të dashur: Gëzuar festat dhe njëmijë vjet tepër të lumtur së bashku me të dashurit e tu, dhe që Perëndia të të mbajë mirë me shëndet, që ne të gëzojmë kënaqësinë e të pasurit një nënë të mirë.
Të gjitha këto t’i uron me sinqeritetin më të madh yt bir.
E di që fatkeqësia e familjes sonë është shumë e rëndë, por, falë Perëndisë, besoj që koha do të ndryshojë gjithçka.
Faleminderit Zotit, studioj mjaft mirë dhe me shëndet nuk jam keq, por më mungon e mira nënë dhe motrat e mia të dashura.
Me dashurinë më të thellë e puth nënën time të mirë.
Plot dashuri e mall, djali yt i vogël
Aleksandri
Graz, 24.12.1893
Panorama


Leave a Reply