
Ish-nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli, e cila arriti që të bëhej edhe kryetare Kuvendi për dy legjislatura në kohën e qeverisjes së djathtë, ka vendosur që të mos jetë më pjesë e mbledhjeve të kësaj force. Burime nga PD e Shkodrës bëjnë të ditur se deputetja e këtij qarku nuk ka marrë pjesë në asnjë prej mbledhjeve të zhvilluara nga PD e kësaj dege, raporton Dita. Në kohën e qeverisjes së PD-së, Topalli kishte dorë të lirë për të propozuar emrat e deputetëve të tjerë të këtij qarku, të cilat më pas i miratonte Berisha, por dhe kandidatët për kryetar bashkie. Por, me ardhjen e Bashës në krye të PD-së, edhe fuqia e Topallit ka rënë, dhe kjo e fundit ka zgjedhur që të hapë krahun. Edhe sot që u zhvillua takimi i Grupit të Punës së PD-së në Bashkinë Vau Dejës, takim që u drejtua nga kryetari i Grupit të Punës, Gjokë Uldedaj, Topalli mungonte. Të pranishëm në takim ishin dhe kryetari i PD-së Shkodër, Ramiz Çobaj si dhe deputetët, Voltana Ademi dhe Helidon Bushati. Topalli si duket nuk e kapërdin dot faktin që Basha vendosi në Shkodër, Arben Imamin në krye të shtabit për zgjedhjet e 21 qershorit.
albnews.al


Leave a Reply