“E dashura ime, për ty do të bëja gjithçka. Ti ndërkohë do të bëje nga të gjitha”. Një “njoftim me pagesë” origjinal i publikuar në numrin e sotëm të gazetës prestigjioze italiane “Corriere della Sera”: letra e një burri të tradhtuar, i cili ka vendosur t’i “çjerrë maskën” publikisht gruas.
Autori, Enzo, nuk ka frikë të citojë emra dhe as të konsiderohet i nëpërkëmbur përpara gjithë vendit: “Dua t’i tregoj të gjithë Italisë tradhtinë tënde të neveritshme”, – i shkruan ai së shoqes, Luçias.
Pasi e ka parë të puthë një mashkull tjetër, Enzo ka hetuar për më shumë se një muaj (“31 ditë për saktësi”) dhe ka zbuluar të reja: nga pushimet e rreme me mikeshat me justifikimin për punë në Milano, deri te historia me një koleg të tij (“u ndjeve mirë me kolegët e mi, nëse do, të prezantoj të tjerë”).
Kështu Enzo, duket se nuk është treguar “diskret” për të shoqen, kur ka menduar mënyrën më të mirë për t’i thënë Luçias së tij që ishte në dijeni të tradhtive dhe këtë gjë ia “përplasi” në faqen e një gazete. Dhe jo vetëm, por ka hapur edhe një faqe “Facebook”-u.
“Martesa jonë ka përfunduar. Do të të lë, – e mbyll i shoqi, – dhe kam hapur edhe një faqe ‘Facebook’”, që jo rastësisht në pak orë, ka marrë dy mijë “Like”.
Mbetet mister identiteti i Enzos dhe vërtetësia e “letrës”: dikush ka hedhur hipotezën se bëhet fjalë për reklamën e një programi të ri televiziv. Në këtë rast, më shumë se një martesë e përfunduar, bëhet fjalë për një lëvizje të studiuar marketingu.


(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply