
Vendimi pas akuzave që deputeti bëri javën e shkuar. Kryeministri Rama: Eshtë i lirë t’i provojë para drejtësisë. Doshi: Meta ka paguar për vrasjen time dhe deputetit demokrat Mhill Fufi
Armand Mero
Në Shqipëri, grupi parlamentar i Partisë socialiste vendosi sot të përjashtojë nga radhët e veta deputetin Tom Doshi, pas akuzave të këtij të fundit javën e shkuar se i kishte shpallur luftë kryeministrit Edi Rama dhe se do të trondiste shumicën me ato për të cilat ai kishte dijeni. Zoti Rama i konsideroi të papranueshme sulmet personale ndaj shumicës dhe qeverisë, ndërsa propozoi përjashtimin. Deputeti Doshi e shtoi dozën e këtyre akuzave duke deklaruar se kryetari i parlamentit Ilir Meta kishte paguar sipas tij një person për të vrarë atë dhe deputetin demokrat Mhill Fufi.
“Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet shumicës dhe qeverisë. Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukshkalë, për mua dhe të gjithë ata që e votuan në Shkodër, dhe këtë do ta shohë dhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij”. Këto deklarata të bëra javën e shkuar dhe akuzat që deputeti Doshi lëshoi dhe ndaj drejtuesve të tjerë të lartë të institucioneve, duket se e vunë kryeministrin Edi Rama përpara një zgjedhjeje të detyruar, pavarësisht përpjekjeve të vecuara deputetësh socialist për t’i hedhur ujë zjarrit të ndezur.
Në fjalën e tij sot, para grupit parlamentar socialist, kryeministri nuk ka patur asnjë mëdyshje, ndërsa është shprehur se me deklaratat e tij deputeti Doshi e ka bërë të pamundur që të vazhdojë të jetë pjesë e grupit socialist, duke saktësuar se “me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie”. Sipas zotit Rama “gjithkush në grupin socialist është i lirë të thotë atë që mendon për qeverinë, por askush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë”, është shprehur ai. Kryeministri ka nënvizuar se deputeti Doshi është i lirë “të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës parlamentare”.
Pas propozimit për përjashtim zoti Doshi ka marrë fjalën duke shtuar dozën e akuzave dhe më pas është larguar nga mbledhja duke u shprehur se “Edi Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta i cili ka paguar lekë dhe ka urdhëruar të më vrasë mua dhe Mhill Fufin. Ka pesë muaj që ja kam bërë të qartë dhe vetë Ilirit dhe Edi Ramës, dhe kryeprokurorit të Përgjithshëm”.
Mhill Fufi është deputet i partisë demokratike, pasi zëvendësoi një tjetër deputet të dorëhequr. Ditën e zgjedhjeve të 23 qershorit të 2013 ai mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri pranë një qendre votimi, ku u vra dhe një aktivist i Lëvizjes socialiste për integrim.
Deputeti Doshi tha se ai ka dhe prova për akuzat e tij. “Prova është se personi që ka marrë përsipër për të kryer këtë akt është takuar dhe me ministrin Tahiri. Disponoj video dhe gjithshka”, tha ai.
Largimi i zotit Doshi ka bërë që në mbledhjen e grupit të mos ketë debate të tjera, përvec një shkëmbimi replikash mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi, sipas të cilit, kjo që ndodhi “është historia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që s’duan të na I thonë dhe as nuk duam t’i marrim vesh. Por fatkeqësisht, një histori miqësie disavjecare që u prish për arsye që nuk dua t’i di, po që nuk janë politike, po i vënë një damkë të madhe partisë socialiste. Dhe sigurisht Edi Rama si njeri që duhet ta administronte këtë gjë prej shumë kohësh, të qeveriste më mirë, ka përgjegjësinë e vet, sado që jam dakort me faktin që bashkëjetesa në këto kushte ishte e pamundur”.
Deputeti Doshi, i cili njihet si një njeri me biznese tejet fitimprurëse, por mbi të cilat shpesh janë hedhur hije të forta dyshimi, ishte protagonist i fitores që për herë të parë e majta siguroi në zgjedhjet e fundit në Shkodër, zonë e njohur si një bastion i së djathtës.
Zeri i Amerikes
———————————————-
Tom Doshi Official
Sapo me njoftuan per nje deklarate te bere nga Ambasada Amerikane dhe Tirane dhe Misioni i Bashkimit Europian ne Tirane. Nuk du te merrem me brendesine e deklaratave per emrin tim, por dua te deklaroj me force se jam me gjithe shpirt per dekriminalizimin e Kuvendit, duke filluar nga Kryetari i Kuvendit deri dhe tek cdo deputet i thjeshte.
Tom Doshi nuk eshte i perfshire kurre ne asnje akt kriminal. Nuk kam perfituar kurre padrejtesisht, dhe kurren e kurres nuk jam pershire ne akte kriminale kundrejt prones apo individit. Kam arritur cdo gje ne jeten time ne baze te perpjekjes time te ndershme.
Nuk kam synuar asnjehere ne jeten time te bej shantazh as ndaj Kryeministrit dhe as ndonje figure tjeter publike ne vend. Kam folur me ton te ashper ditet e fundit edhe ndaj Kryeministrit per te shprehur revolten time personale, te familjes time dhe miqve te shumte, sepse kam pare bashkefajesi dhe mosveprim te Kryeministrit ne krimin e planifikuar kunder meje dhe kolegut Fufi. Cfare duhet te beja? Kam mbi 5 muaj qe pres te reagoj shteti ndaj fakteve qe une i kam paraqitur deri ne detaje per vrasjen time. I vdekur nuk mund te reagoj. Kam reaguar tani, sepse nuk mund te prisja me gjate. Para pak ditesh eshte tentuar te vritet denoncuesi i skemes se vrasjes. Nuk mund te prisja me gjate, sepse njerezit rezikojne te vritet nga indiferenca e shtetit, dhe ortakeria e Kryeministrit me Kryetarin e Kuvendit. Kush nuk do ishte i revoltuar ne kushtet qe eshte i rrezikuar te vritet, ne kushtet qe faktet dhe deshmitaret po tentohen te vriten? Jam ne te drejten time te reagoj per jeten. Ashtu sic jam ne te drejten time te denoncoj vrasesit me pushtet, te cilet me marreveshje vendosin te injorojne detyren e tyre, te injorone ligjin dhe te fshehim nje krim makaber.
Po deklaroj edhe njehere me pergjegjesine e ligjvenesit se kam paraqitur fakte te pamohueshme per krimin ndaj meje dhe kolegut tim. Le te pyesin Ministrin e Brendshem dhe Drejtorin e Pergjithshem te Policise per deklaraten qe ka bere personi i paguar ne zyren e tyre. Le te informohen ambasadat tek Ministri per kete fakt. Jam i gatshem gjithashtu qe ti vej ne dospozicion te ambasadave qe neser nje video prej 37 minutash ku rrefehet me detaje historia e ndekjes time prej disa muajsh nga kriminelet e paguar nga Ilir Meta. Le ta verifikojne autenticitetin e videos dhe faktet tronditese qe pohohen aty.
Do kerkoja me zemer ne dore qe ambasada e Shteteve te Bashkuara dhe Bashkimit Europian te sjellin hetues profesionist te gjykojne se bashku me Prokurorine Shqiptare keto akuza. Une kam interes te zbardhet e verteta. Kam interes te mos kete kriminel ne Parlament. Njehere Ilir Meta i shpetoi drejtesise me akuzen e korrupsionit. Shpresoj kete here drejtesia te bej detyren, dhe garancia qe kjo pune do funksionoj eshte qe hetues profesionist amerikan dhe europian te jene pjese e grupit te hetimit.
Tom Doshi nuk mund te vazhdonte nje miqesi me Edi Ramen kur ai ka bere marreveshje me krimin, per te mbajtur te pacenuar karrigen e tij te pushtetit. Votat e nje porositesi krimesh nuk duhet te mbajne PS ne pushtet. Shantazg i vertete eshte ai qe ben Meta. Nese nuk me mbroni ju coj ne opozite i thote ai Rames. Kjo aleance duhet te denoncohet deri ne fund. Me krimin duhet te ndahen te gjithe, mbi te gjitha politikanet. Ditet e fundit Edi Rama me ka bere oferte qe ta fsheh kete krim duke me dhene garanci se qeveria dhe partia do vazhdojne te me mbeshtesin dhe se nuk do kete masa ndaj meje. Une nuk bej pazare me askend per jeten time dhe te femijeve te mi. Krimi duhet te hetohet dhe denohet, ashtu sic ambasadoret e nderuar shprehen ne deklaraen e tyre. Jam i gatshem te bashkepunoj deri ne fund me drejtesine.
Burimi – Nga faqja zyrtare e Tom Doshit ne Facebook.


Leave a Reply