
Nëse keni vendosur që të humbi ca kilogramë, ndërsa nuk jeni të disponuar për numërimin e kalorive dhe kujdesin për kombinimin e ushqimeve, atëherë filloni me dietën “Step” (Hap).
Njëra nga dietat më të thjeshta dhe financiarisht më të aplikueshme, vjen nga Amerika, ndërsa e kanë shpikur studiuesit nga Universiteti i Kolorados. Në vend të numërimit të vazhdueshëm të kalorive, dieta “Step” përqendrohet në numërimin e hapave, respektivisht, edhe më thjesht se kjo, e tëra që duhet të bëni është që dalëngadalë të rrisni aktivitetin fizik dhe të zvogëloni shujtat.
Vetëm pas tre muajve, ju do të jeni në gjendje të shkëlqyeshme trupore dhe do të keni 18 kilogramë më pak, thonë autorët e dietës. Në fillim të planit tremujor të humbjes së peshës, duhet të bëni 2000 hapa në ditë (të ecni 15 minuta). Në të njëjtën kohë, duhet zvogëluar shujtat për 25 për qind. P.sh., thjesht ndajeni sandviçin në katër pjesë dhe lëreni njërën pjesë (25 për qind) të pangrënë. Në mënyrë që të vlerësoni se sa të zvogëloni sasinë e shujtës, para se të filloni me dietën, gjatë një jave shkruani se çfarë dhe sa hani. Edhe pse është e sugjeruar që të shmangni ushqimin me kalori të lartë, lejohet të hani të gjitha, por në sasi më të vogël.
Po ashtu, duhet dalëngadalë të shtoni edhe ritmin e ecjes dhe numrin e kilometrave të ecur. Qëllimi përfundimtar, është të arrini numrin prej 10 mijë hapave, pra të shëtisni 75 minuta në ditë. Kjo nuk do të thotë se duhet t’i ecni të 10 mijë hapat përnjëherë, por mund t’i ndani gjatë tërë ditës. Numri i pritur prej 10 mijë hapave, arrihet dalëngadalë gjatë tërë ditës. P.sh., shëtitja gjysmëorëshe pas darkës në kombinim me shtatë shëtitje pesëminutëshe në ditë do të japin gjithsej 10 mijë hapa. Parkojeni veturën disa rrugë më larg, dilni nga autobusi një stacion më herët dhe në vend të ashensorit, përdorni shkallët.
Veprimet e vogla shkrijnë kilogramët
Rezultatet do të jenë edhe më të shpejta dhe më të dukshme nëse përkrah zvogëlimit të shujtave, e rrisni edhe konsumimin e ujit dhe çajit të bimëve pa sheqer. Përveç ecjes, vozisni biçikletë apo ushtroni jogën. Gjashtëdhjetë minuta ushtrime të jogës, është baras me 3000 hapa ecjeje. Mundohuni të largoni ushqimet e yndyrshme dhe ëmbëlsirat dhe në vend të tyre, hani pemë dhe perime të freskëta apo jogurt.
Shembulli i menysë
Mëngjesi: Dy rriska buke, jogurt, çaj të gjelbër me limon.
Zamra: Mollë.
Dreka: Perime të ziera, një pjesë mish të bardhë pule apo bibe, sallatë lakre.
Zamra: Një rriskë të bukës integrale, dy rriska mish të bardhë bibe.
Darka: Djathë i freskët nga qumështi i lopës (150 g), vezë të zier, sallatë të përzier.
Këshillë
Ngrënia e tepërt dhe mungesa e ushtrimeve fizike, pas një kohe të caktuar, shkaktojnë grumbullimin e shtresave të dhjamit. Me ushtrime fizike e shpejtojmë harxhimin dhe djegien e yndyrave. Aq më tepër, është treguar se vepron më mirë se vrapimi, sepse paraqet aktivitet aerobik gjatë të cilit, me rritjen e sasisë së oksigjenit, rritet edhe shpenzimi i kalorive. Mirëpo, në mënyrë që ushtrimet të japin rezultate më të mira, për humbjen e kilogramëve është e domosdoshme edhe zvogëlimi i sasisë së ushqimit.
Shtimi i konsumimit të pemëve dhe perimeve do të sigurojë një ndjenjë më të gjatë të ngopjes, ndërsa pirja e ujit do të shpejtojë tretjen e ushqimit. Prodhimet e qumështit me pakëz yndyrë do të rregullojnë tretjen dhe më shumë do të shtyjnë ndjenjën e urisë. Nëse e zvogëlojmë sasinë e ushqimit për një të katërtën e shujtave të tanishme e rrisim lëvizjen, do ta shpejtojmë edhe humbjen e kilogramëve. Përveç kësaj, përkrah ushtrimeve dhe të ushqyerit e duhur, e forcojmë edhe punën e muskulit të zemrës, e përmirësojmë qarkullimin e gjakut, e rregullojmë sheqerin dhe shtypjen e gjakut.
Kosovasot


Leave a Reply