
Megjithëse ende nuk ka mbushur 41 vjeç, ai ka fituar sfidën për t’u bërë kryeministri i dytë më i ri i Europës dhe lideri i parë i një qeverie të majtë radikale në kontinentin europian.
I lindur vetëm katër ditë pas kalimit të Greqisë në demokraci, më 24 korrik 1974, Aleksis Tsipras ka filluar të angazhohet politikisht në shkollën e mesme, në radhët e rinisë greke të Partisë Komuniste. Pasi mbaron Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Athinës, ai bëhet anëtar aktiv i Unionit Studentor, më pas anëtar i partisë “Synaspismos”, një bashkim i forcave radikale të majta, ku edhe kryen detyrën e Sekretarit të saj politik.
Pasi lideri i kësaj force politike dhe mentori i tij, Alekos Alavanos, e propozon për kandidat të Bashkisë së Athinës në zgjedhjet lokale të 2006-s, ai përqëndron 10% të votave dhe kjo fitore i hap dyert e karrieres së tij politike. Në 2008-n, ai zgjidhet lider i kësaj partie, që quhet tashmë Aleanca e Radikalëve të Majtë “Syriza”, pikërisht kur Greqia hyn në rrethin vicioz të krizës politike dhe ekonomike, dhe në zgjedhjet e 2009-s fiton 4.6% të votave kombëtare.
Çdo gjë ndryshon kur kryeministri Papandreu detyrohet në fillim të 2010-s të kërkojë një paketë ndihme për Greqinë, në këmbim të masave të ashpra të kursimit, dhe një pjesë e mirë e socialistëve të PASOK-ut fillojnë dhe migrojnë drejt partisë së Tsipras, ndërsa prej tetorit të 2009-s ai është një prej 300 ligjvënësve të Parlamenti grek.
Në zgjedhjet e majit të 2012-s, Syriza përqëndron 16,8% të votave dhe 42 ditë më vonë, kur zgjedhjet përsëriten pasi asnjë parti nuk mundeshe të krijonte qeveri, ajo merr pothuajse 27% të votave dhe merita i dedikohet pikërisht Aleksis Tsipras, për strategjinë e tij të suksesshme. Ky ishte momenti, që mediat e huaja filluan dhe u fokusuan tek imazhi i tij, kur edhe ai fillon të kundërshtojë hapur Kancelaren Merkel dhe politikat e saj.
“Siç e dini, strategjia jonë është një strategji e aleancave në Europë. Unë nuk e njoh znj. Merkel si dikë shumë të ndryshme nga pjesa tjetër e 28 udhëheqësve të BE-së. Ajo është një nga 28 prej tyre, kështu që nuk gjej asnjë arsye për të nxituar të takohem me të”, tha atëherë Aleksis Tsipras.
Janë shumë ata, që e krahasojnë Tsiprasin me liderin karizmatik e populist, Andrea Papandreu, që themeloi PASOK-un në fillim të viteve ’80. Por janë më të shumtë ata, që e kritikojnë se i mungon përvoja shoqërore, profesionale dhe politike për një post të tillë. Gjithashtu, ai kritikohet se udhëheq një turmë politikanësh me larmi pikëpamjesh të paqëndrueshme, përsa i përket një plani për daljen nga kriza.
Tsipras është i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Megjithëse ateist, ai respekton ortodoksët e krishterë dhe merr pjesë në festat fetare. Prej kohës kur u bë lideri i opozitës fillojne dhe kontaktet me udhëheqës europianë, por edhe përtej Atlantikut. Në zgjedhjet për Parlamentin Europian, ai ishte kandidat i së Majtës Europiane për President të Komisionit Europian.
I pyetur nëse do të mbajë ndonjëherë kravatë edhe po të bëhet kryeministër, ai është përgjigjur se “kjo do të ndodhte vetëm nëse do të reduktohet ndonjëherë borxhi kolosal i Greqisë”.
Arben Llalla: Aleksi Çipra me origjinë nga Arta e Çamërisë
Kryetari i opozitës së majtës radikale greke Aleksi Çipra i cili ka shanse të fitojë zgjedhjet që do të mbahen në Greqi më 25 Janar 2015, është me origjinë nga babai çam ortodoks. Çipra është edhe nënkryetar i të majtës evropiane, ka shkruar historiani Arben Llalla.
Sipas tij, disa herë në mediat ekstremiste të djathta greke, Aleksi Çipras e kanë akuzuar se babai i tij ka financuar ish-kryepeshkopin e Greqisë Jeronimo Koçonit, gjatë viteve 1967-1973, i cili edhe ky kryepeshkop ishte me origjinë shqiptare.
“Gjatë këtyre viteve Pavlos Çipras ka financuar edhe misionet në Afrikë të kryepeshkopit të sotëm të Shqipërisë Janullatosit. Lind pyetja se çfarë i lidh këta të tre? Ata janë me origjinë shqiptare dhe Çipra dhe Anastas Janullatosi janë nga Çamëria, Arta dhe Preveza. Aleksi Çipra ka marrëdhënie të ngushta edhe me Kryepeshkopin e sotëm të Greqisë, Jeronimo Lapi (Labi) i cili është me origjinë shqiptare”, ka theksuar historiani dhe publicisti Llalla.
Nëna e Aleksit është nga fshati Elefteropoli të Kavallës që deri në vitin 1928 quhet Pravi. Ndërsa Babai i tij, Pavlos Çipra është nga fshati i Artës të Çamërisë.
Llalla thotë se mbiemri ÇIPRA rrjedh nga fjala shqipe Sipër-Mbi, në dialektin çam. Konstandin Kristoforidhi në fjalorin e tij të gjuhës shqipe botuar në greqisht në Athinë më 1904, në faqe 441 shpjegon se fjala TSIPRA-është fjalë shqipe. (INA)


Leave a Reply