
Mbas lutjes së parë u kapën dora-dorë dhe silleshin me hapa të matun përreth ashtu sikur vëhen në varg për të hedhë valle vendëse. Silleshin varg tue u ba rreth ende i papërkryem dhe përsëritnin pajanda në ritëm një thanje, si emën apo fjali. Kryetari qëndronte në mjedis dhe drejtonte fjalë e lëvizje, tue u dhanë këtyne krah në një drejtim të caktuem, i tretun në ekstazë me sy të mbyllun.
“Tash mund ta çojmë zanin e të flasim pa pëshpëritë. – Mbeti e tha Baci. – Tash janë të përqendruem në vete e s’i ndëgjojnë ma tingujt e jashtëm. I vetmi që mund t’i mbajë veshët të hapun kah zanet e jashtme asht zëvendësi, Këshilltari. – Ndeji e u mejtue e vijoi: – Sa kryetarë shkuen e erdhën e ai, Këshilltari, mbeti aty ku asht, në të dytin vend, i ngulun si cung lisi. – Zëvendësi i truhej Hyjnisë si me një gjysmë goje, por megjithatë zani i tij mbizotnonte fjalët e lutjeve të përbashkëta. Fjala e tij hidhej si prej një bahje prej gojës së shthurun dhambësh një gurë i vetmuem në pusin e shterrun. – Shikoje mirë e mos harro tiparin kryeneç, menda e zgjuet që nuk ndërron, prore me një shprehje në fytyrë, i qetë, energjik e sygordhë! ”
Zëvendësi i Drenashit, i ashtuquejtun Këshilltari, së fundi u vu edhe ai në valle si pa andie. Shtrini krahun e djathtë mbi shpatullat e valltarit për anë si flatër gjerze dhe dora e madhe e tij prej fshatarit mbulonte një pjesë të supit të shokut, të një fshatari vocrrak të thatë e fytyrëtjerrun. Kambët e thamta e të lakueme të tij lëviznin plogshtë në vallen vendëse: një hap para, një hap mbrapa e mandej shpejt e shpejt, dy para e një tjetër fare të shkurtë përsëri mbrapa.
Kështu në varg, dale e dalë dhe mbarë e mbarë zhdërvillohej rritshëm e me hov lëvizja vallëzore, jo pa sqimtari të natyrshme krenarie të përmbajtun hera-herë, dhe ngjit mbas plaste prapë papritmas egërsia e burrave fshatarë si bujena ndër arat e tyne.
Zëvendësi lutej fare vetëm me fjalë të veta në të folmen e Ripës së Poshtme: “Zot, po të lus, shqymbi anmiqtë tonë. Të lus, pra, shqymbi! Mos i le gja mangut, po qiti tashti fare me gjindje e mall e gja e fiki si fiket një qiri në ujë, e shnjerëzoji ma tepër se i ke shnjerëzue ata panukuj panukujsh! Dyndi këtij vendi e dlirë sish dhenë, e mbyti pa e lan një sish për farë, mbyti të gjithë në ujin e atij lumi për nën, po ashtu si mbyte vjetin e keq ushtrinë e karkalecave kur ata vërshuen dhenat tona, a more vesh? E mos u le vend nën këtë diell, ashtu deh! Mos u le vend!”
Së voni zu secili me u lutë në vete, ulë në gjunj të mëdhenj, disi pa rregull e me tinguj të pakuptueshëm pendestarësh të turpnuem për fajet e veta. Luteshin si për provë, sa për të përgatitë gjuhët për adhurime ma të vërshueshme. Shpërndahej nëpër qiellzanë të trenëve vajtimi i ngashrueshëm i njerëzve në mundime që s’donë me durue ma gjatë. Në këtë mënyrë lutej edhe Këshilltari me të dhanun të devoçëm si mos me i ditë kurrkund shteg vetit. Drenashi e ndërpreu ngutshëm këtë nynyrim ankues të paskaj, si me u pasë kujtue se një ankim i tillë nuk ishte për burra, dhe urdhnoi:
“Leni të rrjedhin prej gjuhëve tona fjalë të përflakëta, fjalë që me përshkue detin tej për tej e me ça gurin si me kepa çeliku! Çonje, bre, zanin deri në kupë të qiejve e të na e marrë vesh Ai që vran e kthjell në çdo skutë qiellore!”
Dhe si prej një goje ushtoi britma: “Hyjni, Hyjni!” Parreshtun: “Hyjni, Hyjni! Merr vesh! “Dhe u kapën prapë dora-dorë në valle, tashti ma të shpejtë, gjithnjë tue u çue e tue e ulë zanin si valë deti në tërbim.
Në mjedis Drenashi, si valltar i shtitëruem, sillej lehtas majë gishtavet të kambëvet dhe petku i bardhë lini përftonte një kumbonë. Prej kumbonës si lijtë që sillej vorbull rreth vetes iu duk të dy vëshguesvet në fundin e faltores se doli një plakëz, një grusht eshtna në veshjen femnore e të larmishme, vendëse. Plakëza me një tepsi bakri në dorë, e vetmja femën në atë rreth, kishte ndejë deri atëherë mb’anësh dhe po delte tash papritmas e ulej para kambëve të Fetarit në këcim, vetëm.
Ajo u ul përpara kambëvet të Drenashit dhe i ra bakrit me unazë argjendi që mbante në gishtin e mesëm të dorës. Ai tingull ua preu zanin në gojë. Mandej ajo vuni tepsinë pingul në truell dhe nisi ta sjellë në vend, rrotull, tue e drejtue me kumtin e vet zanet e lutjeve që kishin fillue përsëri fashitshëm. Kumti i thellë i bakrit të lëvizun prej dorës e llanës së krahut të plakës mori t’i mbledhë të gjitha zanet një nga një si gjasende të shpërndame nëpër truell. U prini të gjitha zaneve të zbutuna dhe u përnjësue me to dhe u ba një tingull i zbutun, si me qenë tue dalë ai za prej gjiut të dheut. Delte prej gjiut të dheut, kapej me mund harqeve të faltores deri aty ku këputeshin vizat dhe zhdukej kushdi se kah. Folkloristi tha me vete se vetëm kjo lutje depërtoi mure e troje, njena mbi tjetrën dhe arriti në veshët e qiejve të naltë. Secili, i qetuem, ngjante se lumnonte në gjamimin e unjishëm të zanit të vet të kapun dora-dorë në valle me zanet e tjerëve dhe të lëkundjeve ringlluese të metalit që ndërprehej në ritme prej copës argjandi në gishtin e plakëzës.
Fytyrat e besimtarëve galdonin të shndërruese nën fuqinë e transit dhe pesha e korpit shkëputej prej trollit dhe landa njerëzore e bartun prej ritmeve merrte turr për t’u librue në fluturim me vallen e shpejtueme.
Pak a shumë secili gjindej mbrenda një sfere të rrumbullakët, secili vetë gogël që vinte rreth dy rrotullave të ndezuna, rreth Fetarit në këcim e hanës së plotë, metalit zjarmor në dorën e plakëzës. Ndjenja me qenë yll në vartësi të diellit e të hanës në rrotullim të paskaj, thonë rregullat e besimit, asht për secilin shpërblim i të besuemit.
Ashtu si përherë edhe në këtë rast flijimi, lutësit panë befas se rrethi i ndezun në mjedis nisi të lëshojë rreze gjaku. Tërbimi i tran-sit mori flakë në çdonjenin sish.
Drenashi kishte hjedhë petkun e bardhë një copë përdhe e qëndronte xhveshë në brez e përpjetë. Prej shokësh së ngjeshun krahëqafë, mbushë me gjilpana, thikëza gjithnduersh, hoqi Këshilltari një gjilpnyer e ia dha Fetarit. Mandej i dha njenën mbas tjetrës, gjilpana, thikëza e heshta dhe këto të gjitha Drenashi njenën mbas tjetrës, fluturimthi, pa u kujtue vëzhguesit i ngulte në parzëm e ndër krahë, kudo mbërrinte në mishin e vet.
Gjaku maparë i rinoi nëpër parzëm e krahë vizla-vizla e mandej rrëke dhe megiithatë ai nuk ndiente kurrfarë dhimbje. Plakëza, e ashtuquejtun Emtja, pa e ndalë sjelljen e rrotullës së bakrit hodhi me shkathtësi faculetën që e mbante në brez ndër duert e shtrime të Drenashit kah dera e mbyllun. Faculeta mbeti e varun ndër duert e flijuesit si të ishte një gjasend që i truhej Hyjnisë. Edhe vëzhguesit e rrokun prej euforisë së përgjithshme panë në flakrimin e faculetës së kuqe diçka të gjallë, një shpend që po i pritej fli shejtnorëve.
“Edhe një risim – vërejti Folkloristi – edhe një risim!” Dhe përpiqej me gjetë çfarë shmënjie paskej premja e gjelit dhe vetëm kur pëlhura ra përdhe u kujtue se s’ishte gja e gjallë. Pra, asnjeni s’u kujtue se Emtja ia kish hjedhë Drenashit pa farë rezhie ceremoniale faculetën që ai të fshijë gjakun, as atëherë kur plakëza e çoi dhe e vuni në brez pa ndërpre sjelljen e rrotullës së bakrit të shkëlqyeshëm.
Flijimi kishte mbërritë kulmin: çdo gja rrotullohej ndër sytë e të dy vazhguesve. Edhe Drenashi ishte vu në varg me tjerë. Shpatëza e heshta, gjilpana gjithnduersh, tundeshin në kurmin e tij në rrotullim me tjerë si me qenë degë e rremba të thatë në lisin e rrahun prej erës. Besimtarët përkitnin si të verbët në sonambul majet e gishtave i me dashë të marrin ndjesë e bekim prej tyne. Mandej herë në rresht, herë palë e palë vallja – balladër e lëshueme prej së nalti – mori vrap edhe ma të tërbuem e bashkë me të gjimimi fjalësh mes tingëllimit të shigjetave në mishin e njeriut dhe ehut të bakrit në rrotullim. Fytyra e Drenashit dridhej prej dhimbjes e gjujtë i lakoheshin nën peshën e korpit të therun, kurse besimtarët – vorbull murrlani – fluturonin në vargun e valles tue përpjekë njeni mbas tjetrit dora-dorë vetëm rrëshqitazi gishtat e kambëvet të zdathuna nëpër truell.
Atje vonë gjymtyrët e Drenashit u lakuen e u përkulën fare kështu që gjysma e kurmit ra zvarë për tokë. Këtë e vërente edhe Këshilltari në kambë mb’anësh si të mos i përkiste rigatës së valltarëve, si tue e matë rrugën e flijimit.
Njeriu i flijuem prej njerëzvet të vet qindronte, por kur heshta e shigjeta në parzëm, krahësh e brijësh ndeshën për rrasat e shtrojes dhe i lënurën thellë mishin, Drenashi lëshoi një britmë dhimbje e i ra të letit.
Vigma e dhimbjes i zgjoi befas burrat në vrap vallëzor: një herë i shtangoi në vend, mandej i zgjoi prej kllapisë së randë. Kur erdhën në vete të gjithë, prishën vargun e valles e shkuen e zunë vend në gjuj të mëdhaj anash.
Kishin kalue vetëm dy orë prej fillimit të sjelljes fetare, por secili këqyrte me shtangim shokun si të mos ishin pa tash shumë mote. Këqyrnin njeni-tjetrin hulumtueshëm për t’i diktue në fytyrë sa rrudha qenkan mbresë në të mbas të gjithë asaj kohe. Mandej sytë u shkuen në mjedis të faltores. Mbi rrasat e gurit vërenin në heshtje një rreth gjaku të përkryem, rrethin e valles së vet. Kujtoheshin se ata vetë e kishin ngrehë rrëshqanë Drenashin e shigjetuem, shokun e vëllanë e vet. Dy besimtarë kapërcyen rrethin tue u ruejtë që të mos shkelnin hullinë e gjakut dhe u përkulën përmbi flinë: prej parzmit e krahëve të Drenashit nxirrnin hekurinat, hej të ngrimë në gjak në ngjyrë ndryshku. Duert e tyne lëviznin shkathshëm mbi korpin e flisë deri sa i hoqën të gjitha: Fetari pa thercat e ndëshkimit doli si i xhveshun, lakuriq në shesh.
Në sytë e të shumëve shiheshin lot jo aq të dhimbësunisë ndaj kryetarit të vet të flijuem kushdi për të satën herë, por ma tepër nga vetëdija se hapja e derës e dalja në dritë ngjaste tepër, kushedi, edhe shekuj të tjerë, varg njeni mbas tjetrit, si ata në vallen e gjakut.
Atyne që e libruen Fetarin heshetash e gjilpanash u dha shej Këshilltari që ta praponin andej dhe këta ashtu banë. Nësa e çonin lehtas para duersh, Drenashi hapi mundshëm sytë e pau se si e ulnin ngadalë në skajin e hapësinës së nëndheshme mbi shtrojen e pregatitun mapare me gjeth të njomë lari të stërpikun me uthull. Në përpjekje me atë lagshtinë djegëse i ra Drenashi përsëri të letit. Plakëza e vogël mori t’i lajë e t’i mjekojë varrët e çeluna të korpit pa shqisa, të shtrimë shakull, si me qenë tue e pregatitë për vorrim.
Besimtarët u ndanë në heshtje. U zhdukën ashtu si kishin ardhë në të gjitha drejtimet tue i hapë vetes shteg nëpër shkallë guri e kthina të thella për nën tokë, kush me dritë kandili tue e mbajtë si tinëz nën palën e petkut në dorë, kush pa të si, për shembull ma të vjetrit që gjatë moteve i kishin mësue shtigjet e përmbrendshme. Këta matnin me hapa të sigurtë, pa dritë pa pishë, në pikën e territ gjatësinë e kthinave tue prekë symbyllas gunga e kthesa, po ashtu si sivëllaznit e parë të cilët kishin ndërtue me dorë të vet skaje e gjije. Nga kjo rrethanë kishte mbetë në fjalë thanja me vështrim të zgjatuem e cila përdorej posaçe në kohnat e krizave dhe të përndjekjeve prej anëtarëve të besimit: pleqtë e dinë rrugën symbylltas në terr e në dritë.
Për t’i shpëtue syve të besimtarëve gjithnjë në përvlim të ekstazës, të dy vëzhguesit u ndanë në drejtime të ndryshme, mjerisht pa i pasë lanë njeni-tjetrit një pikë takimi. Humbën edhe ata në terrin e nëndheshëm e dolën jashtë në drejtim të kundërt, kështu që nuk do të ndeshin kurrë ma.
Edhe sot e kësaj dite, mbas shumë motesh, i shtihet në andërr Novelistit labirinti i mbushun me murgj dhe në atë tollovi kërkon përethshëm. Folkloristin: e gjen e s’e gjen, si në andërr ma! I flet e s’i përgjigjet dhe me shpejtësi vetime i del gjumi e gjithçka zhduket si vesa përpara diellit. Për t’u shlirue prej ankthit që i kthen kohë mbas kohe në gjumë, Agoni ka kërkue disa herë hymjet në çerdhen e besimit të fshehtë, për t’i thanë vetes: ja, tek asht labirinti i përmbrendshëm! Hyn, shihe e mos andërro ma! Por deri në sot Novelisti s’i ka ra askund për fije të zbulojë derën prej gurit të latuem. Mbas këso përpjekjesh pa rrugëdalje, kundron edhe një herë ledhet e vjetra të Ripës së Poshtme dhe i duket sikur gjithçka, njerëz, tempull e flijim, paskan qenë vërtet andërr. Mund të jetë, rëmon në vete ai, se mbas zhdukjes së kryetarit të tyne kanë rrënue shtëpitë përsipër e faltoren e kanë sigurue nga jashtë tue i murue dyert, në pritje që t’iu vijë dita.
* * * * * * *
Fragmenti është shkëputur nga pjesa e tretë e romanit, në kohën kur Agonit i duhet të vendosë për shumë gjëra të lëna përgjysëm. Puna e re që mund të fillojë, fati i dashurisë ndaj Soses e të tjera
si këto.
Ai bie në kontakt me ritualin ilegal të “dervishëve”, i cili është sa marramendje aq dhe ftillim i ideve të tij.
Estetikisht fragmenti përbën një prej situatave letrare në të cilën mund të kuptohet më mirë aftësia përshkruese e Camajt. Dinamika e lëvizjes së personazheve është e jashtzakonshme. Të gjithë lëvizin si në një shirit filmi që rrotullohet e rrotullohet pa ndalim për të krijuar kështu iluzionin e lëvizjes reale.
Duhet një njohje mjaft e mirë e shqipes burimore, për të kuptuar më në detaj veprimet, ritmin, tonalitetin, thekset dhe së fundi imazhin fantastik të prodhuar nga shkrimtari. Duket se çdo gjë është e bazuar mbi kujtesën e largët ose fantazinë, në të cilën shkrimtari bujarisht kërkon të na bëjë pjesëtarë.
Mjeshtër i fjalës dhe i tekstit shqip Camaj shënon një model të ri të të shikuarit të botës shqiptare, të asaj bote të fshehur për shumëkënd gjatë një periudhe gjysëmshekullore.
Rrathë (analizë)
Romani u botua më 1978. Autori i njohur si lirik, me Rrathët, paraqiti veprën e parë të madhe, prozaike dhe më të gjerë deri atëherë, për të cilën kishte punuar 15 vjet. Romani përbëhet nga tri pjesë: “Rrathë uji”, “Rrathë zjarri”, “Rrathë gjaku”. Pjesët lidhen me njëra-tjetrën përmes figurave kryesore Bacit dhe veçanërisht Agonit.
Pjesa e parë fikson paraqitjen e hollësishme të tyre dhe të personave të tjerë, të cilët prezantohen të gjithë për arsye të ndryshme, në një ditë vjeshte në të njëjtin qytet. Këtu tregohen anët e ndryshme të jetës pasrevolucionare, në një fshat malor të quajtur “Dheu i Arbënit” (Një aluzion i historizuar për Shqipërinë ndën sundimin komunist). Agoni që i përket brezit të ri, nga profesioni agronom, ndërkaq gazetar dhe shkrimtar, dërgohet prej Partisë për një reportazh mbi ardhjen e traktorëve të rinj, si dhe për marrjen e njoftimeve mbi një kundërshtim në thelb të sistemit në Malësi, në fshatin Ripë.
Pjesa e dytë, në qendër të së cilës janë ngjarjet dhe përshtypjet e Agonit, fillon me nisjen e tij në Ripë dhe përfundon me mbërritjen e traktorëve atje, pak ditë më vonë. Ndërkaq Agoni ka bërë të dështojnë përpjekjet e ilegalit për të përdhunuar bareshën e bukur Sose, vajzën e virgjër të rapsodit. Pasi Sosen e ka zënë në befasi natën tek burimi, ai do të pushtohet vetë nga dashuria e zjarrtë për të, që përcakton qëndrimin e tij të mëtejshëm. Ai nuk shqetësohet më për reportazhin dhe heq dorë nga takimet e planifikuara me mësuesen e zgjuar Zojën, së cilës kishte dashur t’i bënte një deklaratë dashurie.
Pjesa e tretë vendoset pas mbërritjes së traktorëve. Agoni pushohet nga redaksia dhe pret për një emërim të ri, si agronom. Pas një vizite në kishën e një sekti ilegal në Ripën e Poshtme, rituali i kërcimit, i përgjakshëm, e shtyn atë dhe i zhvillon gjithnjë e më tepër dëshirën për të jetuar me Sosen. Në kohën kur pas shtegtimeve të përbashkëta në male nuk ka mundur të caktojë me të vendin e martesës, e përdhunon. Një bari që qëllon atje i ndalon atij qëndrimin e mëtejshëm ndër male. Agoni shkon në Ripën e Mesme dhe bie në një letargji të thellë, pasi tashmë kishte humbur ndjenjën e kohës. Pas kohës së gjatë të pacaktuar i mbërrin një kërkesë për t’u paraqitur në redaksinë e mëparshme. Drejtori i ri e qorton atë për shkak të tendencës armiqësore të një dorëshkrimi “Shtëpia pas maleve” që është përshtatur si pjesë teatri kukullash me sukses të madh. Para kthimit të tij në Ripë bëhet takimi me Sosen si dhe me regjizorin e teatrit të kukullave. Prej tij Agoni mëson që ai kishte jetuar pothuajse 20 vjet në “ëndërrën e vetmisë”.
Romani përfundon me kthimin në Ripën e Mesme të Agonit, të cilit i është zgjuar sërish dëshira për të shkruar. Krahas këtij trajtimi kryesor romani përmban një varg trajtimesh të tjera që tregojnë jetën e popullsisë vendase në periudhën e ndryshimit rrënjësor e të vrullshëm. Këtu qëndron vlera e veçantë në përshkrimin e mënyrës së të menduarit, të ideve dhe motiveve të personave.
“Rrathë” u vlerësua si romani i parë psikologjik shqiptar. Krahas kësaj është karateristik elementi liriko-folkloristlk, që shfaqet veçanërisht në përshkrimet e Malësisë e të zakoneve. Krahasimet popullore dhe frazeologjizmat, si dhe një variant i pasur gjuhësor i gegërishtes, fjalori i zgjedhur janë karakteristike për gjuhën e tij. Baza e tregimit qëndron në monologët e pasur, të brendshëm dhe bisedës së gjallë. Tendenca bazë e romanit, që tingëllon në titull, është të tregojë sesi njerëzit janë të lidhur në rrathë të ndryshëm shoqërorë e metafizikë, ku qëndrojnë simbolet e ofruara: uji, zjarri dhe gjaku. Simboli i rrathëve rimerret larmishëm. Kushtet konkrete social-ekonomike qëndrojnë më fort brenda kuadrit të jashtëm. Temat e mirëfillta janë përgjithësisht: natyra, vetmia, humbja e traditës, kërkimi i fatit dhe i suksesit, lidhja me vetë rrënjët. Mbizotërimi i karaktereve poetike letrare dhe komentimi i gjerë i problemeve të gjuhës, letërsisë dhe artit në përgjithësi, mund të përbënin gjithashtu nëntema të veprës artistike. Romani me figurën kryesore Agonin e, me gjithë problematikën e tij në kërkim të identitetit, tregon më në fund se “Ne më kot përfaqësojmë një epokë të re”.
Dranja (fragment)
Ata që presin barin me drapinj dhe kosa të shkurtra, posare për livadhe me gur në bjeshkën e Cukalit, janë njerëz të heshtun dhe vetëm në dukje të qetë: dhimba u bren kocat natën e i kap si pika në mëngjes në muskuj e gjymtyrë kur sjellin së pari rreptas hekurin në bar. Në parzmin e leshtë u fshehet frika e gjarpnit që pret tue njehë në ritëm afrimin e krismës së drapnit në tërfojë.
Mbledhësit e barit flejnë në vapën e ditës mbështetë për trungun e ahut nën hije e shohin andrra syçelë.
Ma i riu i zgjoi njëherë e u tregoi atë që kishte gjetë, diçka të gdhendun, gungë e madhe ngjyrë ashti, rrashtën e breshkës e mbi atë gjarpnin dredha-dredha, gjithçka të bamun gurë! Mirë – thanë ata – na e dimë qëmoti se nëma e Orëve ndërron në shkamb çdo gja, edhe bariun me tufë përpara, po puna ashtë: si erdhi breshka deri këtu, kaq nalt?
Njeni sish shpjegoi me buzë në gaz:
“Unë kam helm në gjak pse gjarpni më zuni tri herë, andaj unë di në këtë mes pakëz ma tepër se ju. Breshka – tha ai – e pruni deri këtu në shpinë gjarpnin. Shikoni, si janë të ngrimë më një si të mos ishin dy frymorë! Si pela ime, Drania, e unë mbi të kaluer.”
Mandej folësi mori briskun e me maje ia shkoqi gjarpnin breshkës nga rrashta mbi të cilën mbeti gërresa dredha-dredha, si ravë që përshkon gjysmën e globit.
Dranja, e quejtën njazani ata breshkën në gurë, pa gjarpën…
Ndonëse breshkë, Dranja ashtë vrejtuese e vëmendshme kur ndodh se e sheh njerëz apo shtazë si përtypen tue ngranë. Dhisë i lakmon ma së forti si ajo me buzë e dhambë të mprehtë përpin palën e gjethit sa çel e mbyll synin breshka. Kjo, një fletë të vetme sallate, e përçap me orë derisa t’i lëshojë një pikë lang në gojë.
Poetit që e vëren Dranjen po në këtë timtë s’i shkon mendja te punët e saj të brendshme: në vetmi ai përtyp në tru si breshka na qenka kosmopolite e mirëfilltë vetëm sepse kupa e rrashtës së saj i përngjet gjysmës së rruzullit me njolla dhenash të çdo ngjyre, si racat e ndryshme në të.
Por ai ashtë edhe i zoti ta ndreqë rëmimin e vet, kur ndalet dhe e vëren Dranjen nënçmueshëm e thotë:
Dam, që askush s’e ditka se një rruzull i tillë na paska po në thelb një zemër breshke!
Vjeshta po kalon ndërrueshëm me vapë e fortunë, dridhje shtërpie lara-lara nëpër dushk. Thonë: kohën që vjen askush të mos presë një ditë të mirë. Si kështu! Kaq pabesim në jetë?
E njëmend erdhi moti krejt i mirë, lak i gjatë pa nyja. Dranjes iu sqarue drita e synit si me dashë me pa si asnjë breshkë ndojherë kreshtat e maleve larg-larg mbulue me borë të bardhë: vetëm prei atij vezullimi u ndez dheu e uji mori flakë.
Jo, nuk ishin vargmale ato, po fletëza arnejsh në vërvitje në skajin e pyllit, një flakim peshe larg dhe përpara turra kajzish të vegjël barnash të thata.
Vjeshta po kalonte, por gredhi me za të burrnueshëm si kurrë kërkoi ndër lisa e gjeti ç’ka lypte: pemë të çame përgjysmë me erën e athët në lang. Një lloi bretkose, thithlopa e ngime, i merr amë në hapësi qumështit që shkumbon në vedër mes gjujve të mjeltores, gërmuq në shkam, ende të pashtitëruem mirë për këtë zeje.
Edhe pse tepër ngjyra në këtë vend, koha përputhet për kohë përkueshëm, pa u vra aspak sendi për send.
Dranja (analizë)
“Dranja” u fillua së shkruari rreth vitit 1975 dhe mbaroi më 1979. Është vetë fati i poetit i ngjashëm me fatin e Dranjës, breshkës së mitizuar në madrigalet e tij, perëndeshës së kujtimit të dalë nga Dheu:
Po e kapi dikush si për lojë ta marrë me vete ndër dhena tjera, aio mbaron me të tana! Për Dranjen buzëhollë, lëpusha e laknës së huej nuk e ka shijen e duhun e njimsinë e avullit, i cili si me qenë pëlhurë, i mveshet bimësisë buzë Drinit në mëngjes. Larg këtij vendi edhe shpirtin e jep e s’prek gja me gojë”. Breshkë, rruzull më vete “s’prek gja me gojë” dhe “shpirtin e jep”, më vërtetësisht se në metaforë, ashtu si njeriu dhe shpirti i tij, që kur s’ka ç’të prekë me gojë mbahet me ngjizje: kur kujtoi këtë jerm nuk lyp shpjegim të një andrre, por me jepet me rrëmue mbi sende e frymorë të mbrumë me tharmin e gjakut tim.
“Dranja” ndonëse nuk është në vargje si madrigali tradicional, në përmbajtje i përket kësaj gjinie dhe si e tillë i kundërvihet trajtave të tjera letrare, të përdorura deri më sot në gjuhën shqipe. Në lexim e sipër, mundësisht të ngadalshëm, duhet patur parasysh se trajta e jashtme, historia e një breshke dhe e rrashtës së saj, lidhen me nënkuptime simbolike, me fjalë të tjera me zbërthimin e përmbajtjes së brendshme apo “teoremës”. Me rëndësi për autorin është fjala e bukur poetike, ku bëhen përpjekje që gjuha t’i përshtatet lakueshëm çdo situate.
“Dranja” është një formë e re letrare për kulturën e shkruar shqiptare. Duke qenë thellësisht vepër simboliste, madrigalet mund të jetojnë edhe si copa më vete.


Leave a Reply